Tetë muaj para pushkatimit, Hito Çako, gjenerali i akuzuar për veprimtari armiqësore kundër Partisë dhe pushtetit popullor, i është nënshtruar një tjetër procesi gjyqësor: atij të divorcit me bashkëshorten.
Mënyra si e kanë përjetuar këtë familjarët e shtatmadhorit të kryqëzuar për tradhti ka qenë një dramë më vete. Gjikë Çako, i vëllai i Hitos, duke kujtuar ato momente të trishta, thotë se lajmi për divorcin e papritur i ka tronditur po aq sa dhe ai për arrestimin e tij.
Na ndanë të gjallë, po le të bashkohemi në vdekje, kujton ai amanetin e saj. Përveç këtyre momenteve dramatike, pjesa përmbyllëse e rrëfimit të Gjikë Çakos, risjell të tjera kujtime nga jeta-burg, siç thotë ai, e kalvarit të vuajtjeve dhe persekutimit si familjarët e “puçistit” që do të rrëzonte Enver Hoxhën nga froni. Sakaq, nuk harron të përmendë edhe emrat e atyre që në ato ditë ferri, kur ishin shënjuar në syrin e ciklonit si familje e fis, u treguan bujarë e zemërgjerë, madje edhe duke rriskuar nga vetja e tyre…
Pra, Shefqet Peçi dhe Gramoz Ruçi nuk ju kanë kthyer krahët në ato ditë të vështira. Po zyrtarët e tjerë të regjimit, çfarë qëndrimi mbanin ndaj familjes suaj?
Tani kanë kaluar shumë kohë e gjërat s’më kujtohen mirë. Ka pasur dhe zyrtarë të tjerë që na rrinin pranë në mënyra nga më të ndryshmet. Ka qenë një tjetër. Fuat Loloçi e quanin. Ishte sekretar i parë i Tepelenës. I çuan këta syzgjuarit e Progonatit, këta të këshillit e të Partisë së fshatit një tufë me letra ku denonconin tim bir se kishte prerë në pyll pa leje një sasi të madhe pemësh. Operativi kishte propozuar ta arrestonin. E kisha marrë vesh gjithë këtë rrëmujë dhe prisja nga dita në ditë gazin e Degës për t’i hedhur hekurat. Mirëpo, kur ia kishin çuar për firmë Fuat Loloçit, kishte refuzuar. Ma tregoi vetë këtë gjatë në një takimi që patëm në sektorin ku punoja. “Kujdes herë tjetër, Gjikë, më porositi, se e keqja bëhet për një çikë”. S’ia harroj atij burri këtë nder, pavarësisht çfarë portofoli i kish dhënë Partia. Se kishte boll burra pa portofol partiak që të bënin gjëmën. Këta, bile, ishin pjesa më e përçmuar e atij takëmi…
Kur sekretari i parë i rrethit ju trajtonte në këtë mënyrë, pse u refuzohej shkollimi fëmijëve tuaj?
Këtu duhet të ndajmë dy gjëra: Sjelljen njerëzore, njerzillëkun, me një fjalë të Fuat Loloçit dhe qëndrimin parimor përballë ligjeve e normave të kohës. Te kjo e dyta nuk kishte çfarë të të bënte as vëllai, jo më zyrtari më i lartë i partisë në rreth. Si mund të guxonte kush atëherë në Tepelenë të ngrinte dorën që nipi i Hito Çakos të shkonte të studionte në universitetin “Enver Hoxha” në Tiranë?! Ne mjaftoheshim me njerëzoren, bile atë e quanin shumë, se për sa i përket ligjit të kohës, as që bëhej fjalë të pretendonim ndonjë përjashtim. Ishim pajtuar, si të thashë, me fatin që na kishte zënë.
Ndërkohë kishit kontakte me fëmijët e Hitos?
Ata e paguan më keq. I shfarosën nga Tirana qysh me arrestimin e Hitos dhe i syrgjynosën nëpër fshatra të largë- ta. I trajtuan si bagëti. Kontakte me ta kishim, patjetër, por kuptohet jo të shpeshta. I kishte këto largësia, xhepi i zbrazët, sytë që na përgjonin. Në fund të fundit, regjimi prandaj na vuri në sy të ciklonit. Për të na parë keq e më keq. Kanë hequr të zitë e ullirit ata, siç themi nga anët tona. Po më shumë ka vuajtur e shoqja, Dhimitra. Nuk mjaftoi për të syrgjynosja në fshatrat e Vlorës, po e detyruan edhe të divorcohej me Hiton.
Të divorcohej…?
Po, po, të divorcohej ligjërisht, me proces dhe gjyq zyrtar. Nuk e di pse e kërkonte regjimi këtë gjë, por më kujtohet se disa muaj para se ta pushkatonin Hiton, Dhimitrën e thirrën disa herë, i bënë presion e shantazh që të kërkonte të ndahej. Pas gjithë kësaj furtune, i morën firmën dhe bënë gjyqin në Selenicë. Aty i komunikuan se më në fund ajo s’do të ishte më gruaja e Hito Çakos, armikut të Partisë.
Pati lehtësira pas këtij procesi familja e Hito Çakos?
Gjepura, asgjë. Situata e tyre shkoi keq e më keq, deri në fund të regjimit. Dhimitra e shkretë, ajo grua fisnike, e përjetoi shumë keq procesin e ndarjes. Deri sa mbylli sytë, e kishte këtë pengun më të madh të jetës. Prandaj e la amanet që, kur të vdiste, ta çonin në një varr me Hiton. Nëse na ndanë në gjallje, thoshte, le të bashkohemi në vdekje. Dhe ashtu u bë.
Po me nipin tuaj që ishte pilot i Enverit, çfarë ndodhi pas arrestimit të Hitos?
E ke fjalën për Çobon, për Çobo Skënderin, djalin e motrës. Ai ka qenë pilot i klasit të parë. Ishte shkolluar e stërvitur gati pesë vjet në Bashkimin Sovjetik. Në fakt, nuk ka qenë pjesë e ekuipazhit organik të avionit të Enverit, por ka pilotuar disa herë me avionin e tij. Me sa më kujtohet, disa kohë para arrestimit të Hitos, Çobo ishte komisar i regjimentit të Aviacionit të Rinasit. Aty e gjeti dhe gjëma e dajkos. E morën që këtej dhe e shfarosën, kuptohet si të padëshirueshëm. Më saktë, të pabesueshëm. Si mund të qëndronte në krye të bazës më të madhe luftarake të aviacionit nipi i Hito Çakos, gjeneralit që do përmbyste Enverin? E broçkulla të tilla, ç’të të tregoj më parë.
Të kthehemi dhe një herë te periudha kur Hito ishte në burg dhe priste të dënohej. Çfarë dinit për akuzat ndaj tij?
Çfarë dinim, thotë ky. Çfarë mund të dinim, përveç atyre që bënte publike Partia. As bëhej fjalë të dinim diçka më shumë se akuzat zyrtare që kishin dalë nga plenumet e Partisë. Përveç ndonjë zëri aty- këtu, që në mirëbesim na thoshte ndonjë gjë.
Pra, qarkullonin edhe zëra të tjerë, përveç akuzës zyrtare.
Kryesisht zëra të tillë tregonin për sjelljen rebele të Hitos në Plenumin e Partisë. Aty thoshin se ishte zënë dhëmbë për dhëmbë me Enverin. Madje tregonin se një moment i ishte drejtuar këtij të fundit me shprehjen “Dy vezë që përplasen, njëra do të thyhet”. Që nënkuptonte se pas kësaj përplasjeje, Hiton e priste gjëma, sikundër edhe ndodhi. Në fakt, nuk e di sa e vërtetë ka qenë kjo ligjëratë e tij përballë Enverit, por tani që janë hapur dokumentet, kam mësuar shumë më tepër për qëndrimin burrëror të Hitos, si në plenumin e Partisë dhe në Hetuesi e gjyq. Madje, edhe para skuadrës së pushkatimit ka qëndruar i palëkundur.
Kur thoni këtë, keni parasysh dokumentin e Sigurimit me fjalët që ka shprehur para skuadrës së pushkatimit?
Në atë dokument është regjistruar vetëm një fjalë e tij. Një fjalë me katër germa “Mirë”. Kështu rezulton në dosje me firmën e prokurorit dhe ekzekutorëve. Por, në fakt, siç e kemi mësuar nga dëshmitarë në ngjarje, Hito i është përgjigjur prokurorit që i ka kërkuar fjalën e fundit, me shprehjen shpërfillëse “Bini, ç’prisni!”. As aty nuk e ka dorëzuar veten. Jo vetëm nuk është qurravitur, por i ka urdhëruar ekzekutorët ta mbyllin sa më shpejt atë histori, fundin e së cilës e dinte fort mirë që nga përplasja me Enverin.
/Panorama/