Ta shikosh të shkuarën… si me sytë e Polonisë
Nga Ben Andoni
Instituti Kombëtar i Përkujtimit – Komisioni për Ndjekjen Penale të Krimeve kundër kombit polak është një institucion qeveritar, që hulumton mundësitë e Lustracionit dhe çon para prokurorisë personat polakë të implikuar në krime, në rast se…e bëjnë veten. Që do të thotë: nëse kërkojnë të zgjidhen në poste, nëse i emërojnë diku dhe ata pranojnë, pa dëshmuar të shkuarën dhe… E rëndësishme është periudha dhe objektet që hulumton ky komision…
Ndryshe nga ne shqiptarët, që e kemi të drejtuar të gjithë mllefin e të shkuarës e gjithçka tjetër vetëm për krimet e komunizmit, këta (lexo polakët) janë të lidhur në identifikimin e disa periudhave dhe ngjarjeve ndërsa përpiqen të mos lënë askënd të jetë jashtë listave të tyre. Dhe, kështu. Ma bëjnë të qartë, se edhe vizita ime do të shkojë në këtë vazhdë. Por në ditën e takimit, profesori Dudek s’është… Një ditë më vonë s’do jetë dhe i famshmi Lech Walesa në Gdansk!!! Janë takime që i kanë rregulluar vetë organizatorët polakë, ndaj edhe mërzitja ime s’është aq skajore. Organizatorët më sorollatin pak, por si kam përballë, kështuqë e shtyj me disa të thëna nëpër-dhëmbë. Ua them në eter. Kurse ajo që kam përballë është një vajzë e edukuar, që flet një anglishte perfekte. Ajo amortizon gjithçka. Kur e pyes më shumë, përgjigja vijon me një ngritje supesh dhe thënia: jam thjesht shoqëruese. Kuptohet, që duhet të më orientojë në qytetet e mëdha polake, e të jemi korrekt në takime, jo shoqëruese-shoqëruese.
Më duket se Polonia e bukur që duan t’më tregojnë, s’është gati asgjë pa artikulimet e këtyre burrave, që kam të planifikuar në takim. Më ka dhënë pak shpresë takimi i dy ditëve më parë, kur jam pjekur me Litynski-n, këshilltarin e presidentit aktual, një nga njerëzit kryesorë të desidencës polake. E shtyjmë gjatë sëbashku në një drekë të këndshme, pa e ditur se takimi me të do jetë i fundit i këndshëm me një nga legjendat e gjalla në Poloni. Burrë i këndshëm. Serioz. I qeshur. Trim. I drejtpërdrejtë. Modest. Të tjerët qoftë edhe me tagrin, që do më paraqesin, nuk do më ngrohin më. I shoh si gogla dhe më vjen të bëj qyfyre. Ah, harrova zëvendësministrin e jashtëm polak, intervista me të cilin do një muaj që të marrë aprovimin e botimit në Ministrinë polake (Nuk është aprovuar ende!!!!).
Kam pasur shumë shpresë në takimin me profesor Antoni Dudek, kryetarin e Këshillit ose Bordit të Institutit Kombëtar të Përkujtimit. Edhe ai personalitet. Në fund dhe ai pëson diçka. Nëse nuk jam gabuar: ka thyer këmbën. Kur bëhen disa të tilla gjëra, më vjen ndërmend udhëtimi i pak kohëve më parë në Iran. Njësoj, edhe atje, programi ndryshonte shpesh, por përgjigjet ishin allosoj dhe të këndshme në vetëcensurimin e tyre, që në fund të bëjë të qeshje gjatë.
IPN
Gjithsesi, mund të konsiderohet fat edhe shkuarja në këtë institut. Quhet IPN (Instytut Pamięci Narodowej – Komisja Ścigania Zbrodni przeciwko Narodowi Polskiemu). IPN, ndryshe nga instituti ynë, që merret vetëm me komunistët, heton krimet e BRSS-së, nazistëve, komunistëve, kolaboracionistëve dhe këdo, që i ka bërë keq popullit polak apo edhe atje ku vetë polakët e ndjejnë se kanë bërë keq. Arkivi dhe institucioni ndodhet në 28 Towarowa, rruga në Varshavë, që i biem nga një Unazë jashtë Varshavës.
Emri i institucionit është i gjatë, por një nga administratorët ma shpjegon në mënyrë të detajuar. Më tregon të gjithë strukturën dhe për fat flet anglisht, gjë që e bën më të thjeshtë shpjegimin e ndërlikuar burokratik. Është gati i shtrirë në kolltuk, si ndodh zakonisht rëndom me bullafiqët burokratë, që qëndrojnë ulur të gjithë ditën, dhe në fund e mbyll duke më pyetur për përvojën shqiptare. Ia shpjegoj thjesht dhe i them se ne do e fillojmë në shtator dhe atëherë po ia dolëm..
Çfarë është Instituti
Më kanë lënë në dorë një adresë ku kundroj më shumë të kuptoj disi një dikaster, që është tejet i kontrolluar dhe me rregulla strikte e që mund t’ia sjell eksperiencën në vendin tim. Instituti Kombëtar i Përkujtimit – Komisioni për Ndjekjen Penale të Krimeve kundër kombit polak është një institucion qeveritar, që hulumton mundësitë e Lustracionit dhe çon para prokurorisë personat e implikuar, në rast se…e bëjnë veten. Që do të thotë: nëse kërkojnë të zgjidhen në poste, nëse i emërojnë diku dhe ata propozojnë, pa dëshmuar të shkuarën dhe… E rëndësishme është periudha që hulumton ky komision. Objektivi i punës përfshin periudhën e krimeve të nazizmit, komunizmit, rusëve-mu ato që janë kryer në Poloni midis viteve 1939 dhe 1989, e në rast se i kërkohet edhe boton dokumente dhe i bën të njohura hetimet e saj për publikun. Struktura është disi burokratike. Ka disa degë si: Komisionin për Prokurorinë e Krimeve kundër kombit polak (Główna Komisja Ścigania Zbrodni Przeciwko Narodowi Polskiemu). I dyti është Sigurimi dhe arkivimi i dokumenteve (Biuro Udostępniania i Archiwizacji Dokumentów); e treta Byroja e Arsimit Publik (Biuro Edukacji Publicznej) dhe Lustracioni. Instituti ka marrë shumë atribute didaktike, pasi është i përfshirë në shpërndarjen e rezultateve të tij kërkimore në formën e botimeve (veçanërisht Buletini IPN) dhe revistave, ekspozitave, seminareve, komenteve, filmave, seminareve dhe shkollës. Për fat, pesha e këtij institucioni është e tillë saqë i duhet të bashkëpunojë me detyrim me Ministrinë e Arsimit Kombëtar dhe Sportit, madje edhe ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, ku jep mendimin e specializuar në kurrikula dhe tekstet mbi historinë, që përdoren pastaj në shkollat polake, por u tregon ndryshe historinë nxënësve dhe përgatit dhe mësuesit.
Kam një ndjesi sikur jam në Gjermani, pasi edhe ndërtesa është gati e tillë, por shpejt kuptoj se veç ndërtimeve që kanë disa karakteristika pak si të njëjta me atë të STASI-t, është edhe moti.
Edhe këtu ka shumë konflikte, por më shumë ka pasur pak pasiguri në atë që është bërë dhe në deklarimin e atyre që kanë bashkëpunuar. Burokrati m’i thotë me një tis buzëqeshje dhe më pyet për përvojën tonë. Ia përsëris se e kemi bërë përgjysmë dhe shpresojmë ta fillojmë shpejt.
Instituti u themelua nga Parlamenti polak më 18 dhjetor 1998, por e filloi aktivitetin më 1 korrik 2000. Flitet se edhe këtu janë prishur dosje, ka pasur manipulime dhe plot siklete. I kanë kaluar, jo pa qeder, si do thoshim me gjuhën tonë. Kurse, njëri nga njerëzit që u propozua si kryetar u akuzua se kishte lidhje me shërbimet informative ose më saktë me Sluzba Bezpieczeństwa (Agjencia e inteligjencës së brendshme të Polonisë Komuniste dhe policinë sekrete). Przewoźnik humbi por më vonë fitoi pastrimin nga akuzat vetëm pasi na kishte humbur zgjedhjet!!! Kam frikë se edhe ky ka vdekur me atë avionin e njohur ku vdiq i gjithë delegacioni polak. Por shumë interesant është përqasja e disidencës polake. Në një nga këto momente do më shpjegojnë se desidenca nuk do të thotë vetëm Solidarnosch!!! “Historia kundër diktaturës dhe të keqes i përket miliona polakëve dhe jo thjesht një grupi shoqëror apo politik që uzurpon të drejtën të vendosë se cilat pjesë të historisë kombëtare duhet të diskutohen dhe cilat duhen harruar”, lexoj diku.
Ku hetojnë
E kanë të drejtë, pasi duhet të hulumtojnë dhe dokumentojnë të gjithë pësimet si rezultat i Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë periudhës së pasluftës; ata që kanë vepruar keq kundër rezistencës polake dhe krimet ndaj tyre, por edhe shtetasve të tjerë jo polakë; krimet e Bashkimit Sovjetik dhe regjimit komunist, të kryera nga 17 shtator 1939 deri në rënien e komunizmit në 31 dhjetor 1989; deportimeve në Bashkimin Sovjetik të ushtarëve polakë të Armia Krajowa dhe organizatave të tjera të rezistencës polake, si dhe banorëve polakë në ish-territoret lindore; krimet e kryera nga agjencitë e zbatimit të ligjit të Republikës Popullore të Polonisë, në veçanti Ministria e Sigurimit Publik të Polonisë dhe Drejtorisë kryesore të Informacionit të Ushtrisë Polake; krimet e rënda kundër njerëzimit; krimet kundër paqes, njerëzimit…
Si është struktura
Për ta hedhur dritë në të gjithë këtë, puna e parë ka qenë skicimi i arkitekturës së të keqes, ku problemi ka qenë sesi ka funksionuar Struktura dhe metodat e funksionimit të aparatit të Shërbimeve Sekrete; Aparatit të këtyre shërbimeve në periudhën 1944-1956; Aktivitetet e aparatit të Shërbimeve kundër emigrantëve politikë; Lufta e Sigurimit me Kishën dhe lirinë e besimit; si janë përballur me demonstratat nga 1956-1989 dhe ata që janë dënuar me vdekje; Bibliografia e konspiracionit; rezistenca dhe represioni 1944-1989 nën regjimin sovjetik dhe atyre polakëve të zhvendosur në Bashkimin Sovjetik; vlerësimi i atyre që kanë ndodhur me kushtet e jetesës nën kampet naziste dhe ato sovjetike; viktimat e luftës dhe politikës shfarosëse të pushtuesve nazistë dhe atyre sovjetikë; holokausti, hebrenjt, vetë polakët në vendet e huaja…Por, edhe vetë polakët kanë gjynahet e tyre. Një e tillë është masakra e Jedwabner, një pogrom ndaj hebrenjve polakë “aksion i kryer drejtpërdrejt nga polakët, por frymëzuar nga gjermanët”, në vitin 1941. Një përzgjedhje e rasteve të tjera përfshijnë: kampet gjermane në Poloni, masakrat e rusëve dhe Ushtrisë së Kuqe në Poloni e shumë e shumë të tjera, por edhe vetë polakët ndaj hebrenjve…
…
Janë kaq shumë gjëra sa mezi riorientohem, kjo edhe për shkak të mosnjohjes së thellë të këtij realiteti, që ne i kishim damkosur dikur si revizionistë. Më duket shumë i vogël vendi im me sherret e vockla dhe me fshehjen e të vërtetës. Jemi vërtetë tmerr të vegjël, por edhe shumë smirëzinj, në atë sesi flasim për të tjerët dhe sesi nuk konfesojmë… Kjo më vjen ndërmend teksa kaloj stadiumin e Legias së Varshavës dhe drejtohemi në cepin tjetër të qytetit…