Hakerë të lidhur me Iranin kanë arritur të nxjerrin jashtë funksionit për katër ditë një central elektrik në Britani, në një sulm kibernetik të paprecedentë, raporton The Telegraph. Besohet se ky është rasti i parë në Britani ku hakerë të lidhur me regjimin iranian kanë arritur të mbyllin një central elektrik. Sulmi konsiderohet gjithashtu ndër incidentet më të suksesshme kibernetike të këtij lloji.
Zyrtarët britanikë nuk kanë bërë të ditur se cili central u prek, duke përmendur arsye sigurie. Sipas The Telegraph, bëhet fjalë për një central relativisht të vogël, i cili qëndroi jashtë funksionit për katër ditë, ndërsa stafi punoi për rikthimin e tij në operim.
Incidenti iu raportua Qendrës Kombëtare për Sigurinë Kibernetike (NCSC), pjesë e agjencisë britanike të inteligjencës GCHQ. Pas sulmit, qeveria informoi drejtuesit e kompanive të energjisë dhe u dërgoi bizneseve udhëzime për forcimin e masave të sigurisë.
Autoritetet amerikane i lidhën sulmet me “aktorë kibernetikë keqdashës”, ndërsa burime të qeverisë amerikane më vonë thanë se kërcënimi besohej se kishte origjinën në Teheran. Irani ka shtuar aktivitetin e tij kibernetik ndaj vendeve perëndimore që nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, veçanërisht pas nisjes së sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite në shkurt.
Sulme të dyshuara iraniane janë raportuar edhe në Gjermani, Poloni, Finlandë, Belgjikë dhe Shqipëri, ndërsa Izraeli dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme kanë qenë ndër objektivat kryesore.
Në mars, NCSC u kërkoi organizatave britanike të rishikonin masat e sigurisë për shkak të rritjes së kërcënimit kibernetik. Drejtori i agjencisë, Richard Horne, tha në qershor se NCSC kishte trajtuar më shumë se 200 sulme ndaj infrastrukturës kritike kombëtare gjatë vitit të kaluar. Autoritetet britanike nuk kanë konfirmuar publikisht se kush qëndron pas sulmit ndaj centralit. NCSC ka refuzuar të komentojë për incidentin.
Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se Britania është e ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike nga shtete të huaja. Një vlerësim i fundit i qeverisë britanike ka paralajmëruar gjithashtu se inteligjenca artificiale mund t’i bëjë sulmet kibernetike më të shpejta, më efikase dhe më të lehta për t’u realizuar.
Qeveria britanike ka theksuar se sistemi energjetik i vendit mbetet i qëndrueshëm dhe se incidenti nuk krijoi asnjë rrezik për furnizimin e përgjithshëm me energji.











