Nga Altin Ketro
Të mërkurën e 19 majit 2021, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shpalli Sali Berishën si person “non grata” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për DASH-in, Berisha konsiderohet si i përfshirë në: “Veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë. Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies”.
Të enjten, datë 20 maj 2021, ora 18:00, ish-kryeministri Berisha jep një konferencë shtypi në të cilën deklaron se do padisë për shpifje në gjykatat franceze, zotin Blinken. Po në këtë konferencë shtypi, Berisha u pyet se: “Si e shihni faktin që Meta ka zgjedhur heshtjen dhe ende nuk ka reaguar?” Përgjigja e tij ishte: “Unë mendoj se është normale, s’ka asnjë lloj shkaku pse të flasë, unë prononcohem vetë siç e shihni.”
Ditën e shtunë, datë 22 maj 2021, ora 10:05, presidenti Ilir Meta bën prononcimin e parë në lidhje me çështjen “Berisha”, dhe ndër të tjera ai shkruan në rrjetin social Facebook: “… ndjej përgjegjësinë të ndaj me secilin prej jush, mesazhin e solidaritetit, që i kam dërguar z.Sali Berisha dhe familjes së Tij ditën e enjte paradite…”
Pra, Berisha kur u pyet pasditen e së enjtes për mos reagimin e Ilir Metës, e fshehu faktin që paradite kishte marrë një mesazh solidariteti prej tij. Ai nuk e përmendi mesazhin e presidentit Meta, të cilin ky e pranon vetë që ia kishte dërguar disa orë përpara se të mbante konferencën për shtyp.
U deshën 48 orë që presidenti Meta ta bënte publik atë mesazh që i dërgonte Berishës të enjten paradite. Për çfarë shërbeu kjo kohë kaq e gjatë? Cili ishte shkaku që nuk e bëri publik menjëherë që të enjten kur ia dërgoi? Çfarë ndryshimi ka nga e enjtja në të shtunë?
Gjatë këtyre zhvillimeve të rëndësishme politike, bashkëshortja e presidentit ndodhej në Shtetet e Bashkuara ku pati shkuar për një takim me… kushërirën e saj këngëtare si dhe me një reper amerikan. Si asnjëherë më parë kur ka shkuar nga SHBA, ajo nuk pati asnjë takim në institucionet amerikane.
Gjithsesi, reagimi në publik i presidentit Meta me statusin i tij në Facebook, kishte fjalë të rënda drejtuar Departamentit të Shtetit dhe sekretarit Blinken. Presidenti ishte kujdesur që t’i godiste pa i përmendur me emër të përveçëm, por që nënkuptohej fare lehtë sepse vendimi kundër Berishës u bë publik nga vetë zoti Blinken.
Midis 78 fjalëve që formonin fjalitë e tij ndaj vendimit të sekretarit Blinken, 20 prej tyre përmbanin fjalë që nuk i takojnë një kryetari shteti të tilla si: “Akt i shëmtuar, pabesi, poshtërsi, lobingje antishqiptare, financues që shpallën hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e partisë, marrëzi, pacipëri”.
Nervozizmi i presidentit për të përdorur një gjuhë kaq të ashpër, të cilën për çudi e shmangu edhe vetë i akuzuari kryesor me emër e mbiemër, Sali Berisha, tregon panikun që e ka kapur presidentin tonë edhe pse në vendimin e DASH-it ai nuk përmendet me emër.
Nëse presidentit Meta i “djeg miza” kur sekretari Blinken thekson “pasurimin e aleatëve të Berishës” apo që “retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura”, kjo tregon që Ilir Meta e pranon se është pjesë e këtyre allishverisheve. Atëherë le ta pranojë hapur që është ai një nga aleatët e Berishës që nënkupton zoti Blinken. Kjo do të ishte më e ndershme dhe do merrte më shumë kuptim edhe përgjigjja e tij e pahijshme.
Në këtë kuadër, ky mesazh “solidariteti” i presidentit Meta drejtuar aleatit të tij Berisha, duhet të administrohet nga Komisioni Hetimor parlamentar për hetimin e shkeljeve të presidentit, si një tjetër provë e rëndësishme e degradimit në publik të gjuhës së presidentit të republikës.
Se çfarë bën ai e se çfarë shkruan në mënyrë private me të tjerët, kjo i takon atij. Por kur mesazhet e tij më pas i bën publike, ato marrin automatikisht vlerën e qëndrimit të postit të lartë që ai mban. Pra janë qëndrime të Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe trajtohen si të tilla në marrëdhënie me qeveritë e shteteve të tjera, në rastin konkret SHBA-në, të cilën e kemi aleatin tonë më të madh strategjik. Kjo ndërhyrje pa takt në marrëdhëniet e politikës së jashtme me aleatin tonë, e cila është atribut ekskluziv i qeverisë shqiptare, nuk duhet të kalojë në heshtje nga Komisioni i Hetimor i Kuvendit të Shqipërisë.
A eshte i sigurte zoti Meta( i zgjedhur nga parkamenti) dhe jo nga sovrani ,se perfaqson shqiptaret ne shumice ? Eshte mije % se ai nuk eshte