Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, thotë se PD hyn në negociata me Partinë Socialiste për të zgjedhur Presidentin vetëm me kushtin që të drejtën për të paraqitur kandidaturën ta paraqesë opozita.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Boçi tha se PD nuk do të pranojë të bëhet pis në një proces ku Rama ka paracaktuar emrin se kush do të bëhet President dhe thjesht kërkon ta përfshijë PD-në në lojë.
Ndërkohë, ai konfirmoi se Komisioni i Rithemelimit që drejton PD nuk ka caktuar asnjë deputet apo grup negociatorësh për të diskutuar me PS-së për këtë proces. Proceset e nisura më herët, sipas tij, kanë rënë.
Boçi foli edhe për procesin e ristrukturimit të PD-së. Ai është kundër një shtyrjeje të tretë për zgjedhjet në bazë, ndonëse Grupi Parlamentar nuk është plotësisht i “pajtuar”.
Sipas Boçit, një shtyrje tjetër do të humbte besimin e anëtarëve.
Ndërkohë shton se lëvizja që ka nisur ish-kryedemokrati Basha është si një shkop nën rrota për të penguar bashkimin. Ndaj ai e shikon këtë lëvizje si një sinjal për të mos u tërhequr dhe për të vijuar procesin e zgjedhjeve në bazë.
Z. Boçi, pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, dilema më e madhe është se si do të bashkohen demokratët. Tashmë që përplasja ka përfunduar me z. Basha, a ka një konsensus për t’u bashkuar?
Procesi nuk mund të jetë një akt apo përgjigje ndaj një thirrjeje. Bashkimi është një proces që lidhet me organizimin e partisë, sikurse me angazhimin total të hierarkive të mbetura të PD-së, duke mos krijuar distancën që krijon mosbesim. Kriza e besimit është shuar me vetë largimin e Bashës dhe tani fillon edhe ngritja e PD-së. Kjo ngritje kalon domosdoshmërisht në procese organizative zgjedhore dhe përfundon me zgjedhjen e lidershipit dhe organeve të tjera drejtuese. Brenda këtij procesi ekzistojnë edhe opinione, thirrje dhe mendime të ndryshme, pse jo edhe kundërshti. Unë do ta gjykoj që në një parti, aq më tepër demokratike si PD, do të ekzistojnë mendime të ndryshme. Por ideja për të pranuar fraksione është ide pajtuese. Çdo mendim mund të ekzistojë dhe mund të ketë edhe ai autoritetin e vet, qoftë edhe përfaqësues, në mënyrën se si funksionon PD. Të rëndësishme, krahas organizimit, për të pasur një bashkim, janë kauzat politike. Një parti politike nuk bashkohet pas një njeriu apo pas disa njerëzve. Janë kauzat politike ato që përcaktojnë bashkimin. Ndonjëherë pengesat dhe opinionet me pse nga mbrapa nuk vlejnë fare. E rëndësishme është që lidershipi të jetë përbashkues në mënyrën se si i frymëzon njerëzit dhe se si e ndërton kauzën.
Ka disa procese të nisura gjatë kohës që konflikti politik mes palëve ishte i lartë, proces që po vazhdon. Në një kohë që pretendohet bashkimi, ka pretendime se këto procese do të lënë jashtë një pjesë të rëndësishme të demokratëve. A ka luksin PD të humbasë njerëz?
Ka një debat të këtillë, por nuk besoj dhe nuk mendoj që brenda drejtimit të PD-së në Grupin e PD më sekt që të ekzistojë palë. Ka mendime të ndryshme, por jo palë të ndryshme. Por bashkimi është proces. Proces që nis nga baza dhe vazhdon lart. Nuk mundet që procesi i bashkimit të vijë nga lart e të zbresë poshtë, sepse tek e fundit, sikurse ka mekanizma organizativë për përcaktimin e kauzës, elementi më themelor dhe kryesor i bashkimit në një parti politike është vota. Vota e anëtarit të thjeshtë dhe nuk është thjeshtë mendimi apo opinioni i grupit parlamentar. Opinionet tona janë shpesh të “kontaminuara” edhe subjektive, për shkak të lidhjeve për gjërat që kanë ndodhur, përplasjet që janë zhvilluar në PD dhe pjesa e votës së anëtarit është pjesa më e sinqertë e forcës politike. Është vota që ndan opinionet tona se cilat janë të drejta dhe cilat për momentin jo të përputhshme me kërkesat që ka votuesi. Nuk e thashë të padrejta. Ndaj, thashë se nuk nisin pajtimet me negociata. Negociatat kryen me kundërshtare për çështje të caktuara. Nuk ka negociata mes një force politike. Pala është anëtarësia e PD-së dhe është vetëm një palë që janë deputetët e PD-së. Mos i marrim deputetët e t’i ngarkojmë me gjëra që s’mund t’i mbajnë në shpinën e tyre. Deputetët e kanë treguar forcën e tyre në momentin që në grup i kërkuan dorëheqjen kreut të PD-së, për shkak të kapjes së sentimentit të anëtarësisë se kishte humbur besimin dhe këtë pjesë të sentimentit e reflektuan në kërkesën e tyre. Tani s’mund t’i japim detyra të tjera përtej kësaj. Debatet e ndryshme do të vazhdojnë. Ne duhet të dalim me vendime kolegjiale si grup, pa përjashtuar opinionet apo mendimet e ndryshme. Pjesa e përbashkimit duhet të vazhdojë në procesin organizativ zgjedhor.
Po nuk ka ende një pajtim të atyre që janë përfaqësues të qytetarëve!
Është e vërtetë se ka zëra që këto procese të nisura më të herët mund të lënë jashtë pjesë të caktuara të PD-së dhe, për këtë, u shty një herë data e mbledhjes së Kuvendit. Nga data 22 mars kalojmë në datën 30 dhe një shtyrje e tretë nuk tingëllon mirë për besimin, për gjykimin dhe emocionet e anëtarësisë. Organizimi i PD-së dhe procesi i bashkimit nuk është një finalitet që përfundon në datën 30, por është një proces i vazhdueshëm dhe partia pranon hyrjet, bashkime, çdo fluks brenda saj dhe organizimi do të vijojë edhe pas datës 30, nuk do lërë jashtë asnjë faktor dhe asnjë kontributor të PD-së, asnjë ish-drejtues apo anëtar që ka pasur mendime të ndryshme gjatë kësaj kohe. Nuk duhet të kemi iluzione që të pajtohet Grupi Parlamentar dhe pastaj ky pajtim të përcillet si mesazh.
Jo, është anëtarësia që na pajton ne. Është ajo forca kryesore ku ne mbështetemi. Grupi Parlamentar, aq sa është i fortë, siç e tregoi forcën për aktin e kërkesës për dorëheqjen, por po aq është vulnerabël përballë anëtarësisë. Para anëtarësisë deputeti është i dorëzuar. Është ai që e mbështet dhe është ai që i jep votën dhe, në emër të tij, ai bën më pas edhe fjalimet politike.
Duket sikur ka një dualitet brenda grupit. Në rastin e zgjedhjes së Presidentit është vënë re ky dualitet. Nga njëra anë, deklaratat e Alibeajt dhe, nga ana tjetër, anëtari i Komisionit të Rithemelimit. Si e shikoni?
Grupi i rithemelimit nuk është në mënyrë kaq taksative që të mos përfshihemi. Por grupi i rithemelimit përcakton qartazi që, nëse kompetenca e zgjedhjes së Presidentit i kalon opozitës, atëherë opozita kalon në negociata. Pra, nuk është se ne themi që Rama të bëjë çfarë të dojë se i ka të gjitha elementet. Jo, ne jemi shumë të qartë. Ne pranojmë që ta zgjedhim ne Presidentin për balancim pushtetesh, jo se ne duam të tregojmë atë pjesën e vendimmarrjes që na takon në këtë rast, por themi që nëse ato negociata janë false, gjoja për të përfshirë opozitën, ndërkohë që me synimin për të zgjedhur personin e parashikuar nga Rama, atëherë ajo është një hile politike që kërkon të përfshijë në vorbullën e vetë për hir të opinionit dhe për ta bërë pis opozitën. Ne nuk duam të bëhemi pjesë në një proces të paragjykuar e të vendosur nga Rama. Nëse i takon opozitës, atëherë nuk ka asnjë kundërshti që Komisioni i Rithemelimit, që drejton sot PD-në ligjërisht, sipas Statutit të saj, hyn në negociatë për të zgjedhur një person që është përfaqësues ose mund të jetë përfaqësues i unitetit të popullit, por pse jo, edhe i një lloji, ndonëse fluid, partiak politik në Shqipëri. Presidenti duhet të jetë mbi palët, edhe mbi palët politike.
A ka caktuar Komisioni i Rithemelimit një grup për të negociuar me kundërshtarin politik për zgjedhjen e Presidentit?
Nga Komisioni i Rithemelimit nuk ka grup. Ai e drejton tani PD-në. Nga maxhoranca nuk ka pasur një ofertë të tillë dhe madje maxhoranca vazhdon të luajë lojën e përplasjes, të futjes së sherrit duke konsideruar organe legjitime ato që e kanë humbur legjitimitetin dhe i ka përfshirë në një hap të mëparshëm, proces negociatash false që e bëjnë pis PD-në dhe që nuk duhet të vazhdojnë e të ndërpriten menjëherë, me kushtin e vetëm që maxhoranca t’i japë të drejtën opozitës që të propozojë kandidatin për President, për të krijuar klimën politike dhe për të balancuar pushtetet në Shqipëri. Një balancim pak sa i vogël pasi e dimë që Rama i ka kapur të gjitha pushtetet dhe s’e ka për turp të marrë edhe Presidentin. Vetëm në këtë rast ndërtohet një komision që hyn në negociatë. Çdo negociatë e mëparshme e iniciuar e nisur apo e presupozuar dhe e deklaruar, është e rrëzuar në këto momente. Kushti ynë është kryesor dhe unë jam kundër çdo deklarate politike në emër të grupit të PD-së.
Në kushte kur baza e partisë po përpiqet që të sheshojë çdo lloj tentative për të qenë të përçarë, si e shihni lëvizjen e z. Basha që thotë se PD nuk vjen asnjëherë në pushtet me një person “non grata”?
Z. Basha po mundohet që të ruajë pamjen e një personi që ndikon në PD. Është një lloj emocioni që do ta kishte çdo njeri tjetër i dorëhequr pas kaq vitesh në drejtimin e Partisë Demokratike. Nuk shoh ndonjë ndryshim të deklaratave të tij në raport me deklaratat e tij të mëparshme në raport me të ardhmen e PD-së. Unë nuk mendoj që mënyra e impostimit në këtë lloj forme, duke krijuar një grup të ngushtë të vetin në raporte jopolitike, por edhe duke shfrytëzuar raporte jopolitike, i bën mirë organizatës që ai e ka drejtuar prej vitesh. Ai është i ndërgjegjshëm në këtë rast, se kjo gjë e dëmton, pavarësisht se mund ta faktorizojë në momente të caktuara. Faktorizimet bien menjëherë pasi procesi i zgjedhjeve realizohet dhe sanksionohet dhe data nuk është e largët. 30 prilli vjen shpejt dhe kjo lloj kundërshtie rrit më shumë edhe angazhimin e pjesës së organizimit të partisë që procesi të vazhdojë dhe të përfundojë. Këto hyrjet janë si hyrje pykash që tenton të dëmtojë atë që ne dëshirojmë: bashkimin. Basha, duke qenë drejtues prej kaq vitesh, e ka atë rrobën e faktorit politik dhe nuk duhet ta shtyjë me forcë, sepse bie shpejt. Ai duhet të gjejë rrugën e bashkimit./ Panorama/
/b.h