SPECIALE JAVANEWS/ Viti 2015 mund të konsiderohet një vit i cili pati dritë- hijet e veta për shqiptarët. Ashtu si dhe vitet paraardhëse, viti 2015 nuk bëri përjashtim nga përplasjet monotone politike mes pozitës dhe opozitës. Në kalendarin e këtij viti natyrisht që pati dhe jo pak zhvillime në sferën politike dhe atë parlamentare, ku më të spikaturat ishin miratimi në Kuvend i ligjit për dekriminalizimin (integritetin e figurës), si dhe çështja Tom Doshi. Nga ana tjetër reforma në drejtësi përbëri një sfidë më vete, ku flirtet politike e vunë dhe vijojnë ta venë ende në pikëpyetje miratimin e paketës së kësaj reforme me numërin e duhur të votave në Kuvend. Por përgjatë vitit 2015 pati edhe mjaft ngjarje të tjera që bën diferencën ku më e shquara ishte kualifikimi i kombëtares shqiptare për në Kampionatin Europian, “Francë 2016”. Natyrisht që edhe vizita e kancelares Merkel me 8 korrik 2015 ishte një ngjarje e veçantë politike, e cila bëri të dukshme vëmendjen e politikës gjermane ndaj vendit tonë. Ndërkaq zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015 ishin një moment sprove si për mazhorancën ashtu edhe për opozitën. E para për të testuar mbështetjen në elektorat dhe së dyti për përsosjen e standarteve zgjedhore. Por viti 2015 do të mbahet mend dhe për problemet e shumta ekonomike me të cilat u përballen dhe vijojnë të përballen familjet shqiptare, emigracionin masiv, si dhe për disa aksione të qeverisë në luftën kundër informalitetit, aksione të cilat rezultojn më shumë si raprezalije ndaj biznesit, sesa një përpjekje serioze për të luftuar informalitetin.
Kualifikimi për në Francë 2016
Ngjarja e cila eklipsoi jo pak problemet e përditshmërisë së shqiptarëve ishte kualifikimi i kombëtares shqiptare në Kampionatin Europian “Francë 2016”. Ky kualifikimi ishte konkretizimi i një ëndrre të cilën pak kush e kishte besuar kur filluan ndeshjet eleminatore në grupe. Shqipëria u rendit në vendin e dytë në grup, pas Portugalisë. Kthimi i lojtarëve të kombëtares më 12 tetor në Tiranë nga Armenia ishte një spektakël i vërtetë. Ata u pritën si heronj nga mijëra e mijëra qytetarë dhe sportdashës. Kryeministri Rama dhe Presidenti Nishani u rezervuan atyre një pritje të veçantë. Ndërsa festime pati edhe në Kosovë, Maqedoni, por edhe në shumë qytete të Europës deri në SHBA.
Reforma në drejtësi
Reforma në drejtësi përbëri dhe “thembrën e Akilit” për politikën shqiptare. Qëndrimi ndaj kësaj reforme, e cila gëzon një mbështetje të fortë nga SHBA dhe BE, shfaqi qartazi edhe aleancat fluide mes palëve të cilat kërkojnë të “fusin duart” në këtë paketë me qëllim ruajtjen e kontrollit politik mbi sistemin e drejtësis. Zërat kundër paketës së hartuar nga ekspertët me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së erdhën kryesisht në unison nga PD-ja dhe LSI-ja. Kundër nuk ngurroi të pozicionohej edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Në gjysmën e parë të vitit 2015 komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi angazhoi dhjetra ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas për të bërë një analizë të detajuar të sistemit. Në momentin që kjo fazë u përmbyll Presidenti Nishani, i cili spikati gjatë gjithë vitit 2015 në pozicione politike, lëshoi edhe kritikat e tij. Ai e cilësoi procesin të njëanshëm. Nga ana tjetër PD-ja, pak përpara vizitës së kancelares Merkel në Tiranë, hoqi dorë nga bojkoti i komisionit të posaçëm, por vuri kusht përfaqësim të barabartë pozitë- opozitë në komision, kërkoi bashkëkryetarin e komisionit, si dhe të drejtën e vetos. Por në mesin e vitit 2015 saktësisht me 8 qershor, amerikanët hoqën “dorezat” dhe folën hapur. Në prezantimin e analizës së sistemit të drejtësis më 8 Qershor, ambasadori amerikan, Donald Lu u shpreh se: “Në sistemin e Drejtësisë në Shqipëri, disa persona duhet të pushohen nga puna për korrupsion dhe disa të tjerë duhet të çohen në burg”. Nga ana tjetër ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, theksoi se “reforma duhet të jetë e plotë, e thellë dhe pa kompromis”.
Pas këtyre qëndrimeve të dy ambasadorët ai i SHBA-së dhe ajo e BE-së, do të angazhohen haptazi në mbështetje të paketës së reformës në drejtësi. Ata ndërmjetësuan për përfshirjen e PD-së në Komisionin e Posaçëm. Më 7 korrik PD-ja zë vendet e lëna bosh në këtë komision. Nga ana tjetër edhe PS-ja me 5 gusht 2015 nëpërmjet kryetarit të këtij komisioni Fatmir Xhafaj shprehet hapur se “ndryshimi i gjendjes në sistemin e drejtësis, nuk pranon makiazh, por ndërhyrje kirurgjikale”, duke lënë të kuptohet se reforma duhet të jetë e thellë.
Në muajin shtator 2015 miratohen nga komisioni i posaçëm edhe ndryshimet kushtetuese, të cilat në muajin tetor i dërgohen Komisionit të Venecias për shqyrtim. Por PD-ja vijon të mbetet kritike. Ajo publikon kundërshtit e saj ndaj draftit dhe ja dërgon Venecias draftin e saj. Pas nuk mbetet as Presidenti Nishani, i cili edhe ai i dërgon një letër po Komisionit të Venecias ku shpreh kundërshti të theksuara si për punën e komision it të posaçëm parlamentar ashtu edhe për përmbajtjen e draftit.
Por faktori ndërkombëtar rreshtohet hapur në mbështetje të paketës së reformës në drejtësi. Ambasadori amerikan Lu i jep mbështetje të hapur reformës, e cila në thelb përmbys sistemin aktual të drejtësis. Lu me 13 nëntor 2015 deklarohet hapur se “Shtetet e Bashkuara i mbështesin plotësisht propozimet aktuale”. Sipas ambasadorit amerikan, kundër kësaj reforme janë “ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja por kurrë nuk e ndjekin penalisht dikë”.
Lu së bashku me ambasadoren e BE-së dhe ambasadorët e vendeve të rëndësishme të BE-së në vjeshtën e 2015 angazhohen në një fushatë intensive në mbështetje të reformës. Në muajin dhjetor ndryshimet kushtetuese marrin një vlerësim pozitiv paraprak nga Komisioni i Venecias. Por zërat kritik ndaj saj vijojnë të gjallojnë. Përpos vërejtjeve të opozitës, kritika shfaq edhe Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Lalla, si dhe ministri i Drejtësisë nga LSI, Ylli Manjani. Por për ambasadorin Lu zërat kundërshtues vinë sepse disa njerëz të pushtetshëm në Shqipëri kanë frikë. “Kanë frikë se do të humbasin vendin e punës dhe të ardhurat e pista. Por kanë frikë se mund të përfundojnë në burg. Ndoshta duhet të kenë frikë”, theksoi ambasadori me 22 dhejtor 2015. Në përpjekje për zgjeruar mbështetjen dhe votimin në Kuvend, ambasadori Lu takon ish- kryeministrin, Sali Berisha dhe kreun e opozitës Lulëzim Basha. Ky i fundit siguron se PD-ja do të mbështesë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Me 23 dhjetor edhe LSI-ja rikonfirmon mbështetjej rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Faktorët politik kanë premtuar se në pranverë të vitit 2016 do të miratojnë reformën në drejtësi. Por deri atëhere ka vend ende për pikëpyetje për sinqeritetin e deklaratave të tyre. Për momentin ata thjeshtë po përpiqen të fitojnë kohë.
Ligji për dekriminalizimin (integritetin e figurës) si dhe çështja Tom Doshi
Ligji për dekriminalizimin i miratuar në Kuvend me votat e thuajse gjithë deputetëve, mund të konsiderohet si arritja më e madhe parlamentare përgjatë vitit 2015. Miratimi i këtij ligji u përshëndet në mënyrë të menjëhershme nga SHBA dhe BE. Pavarësisht se marrëveshja për ligjin në fjalë u miratua në dhjetor të vitit 2014, vetëm një vit më pas ajo mundi të finalizohej. Procesi u end mes propozimesh dhe kundërshtish të panumërta mes PS dhe PD-së. Më 19 Shkurt 2015 Kuvendi miraton ngritjen e komisionit të posaçëm pozitë- opozitë për hartimin e ligjit. Por ende pa u tharë boja e kësaj marrëveshje shpërthen çështja Tom Doshi. Deputeti socialist akuzon kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, se ka dashur ta eleminojë fizikisht atë dhe deputetin e PD-së, Mhill Fufi. Ai nuk ngurroi të deklaronte se përpara derës së Kuvendit se “po të flasë më tepër do t’i dridhen themelet, mazhorancës dhe qeverisë”. Por deputeti Doshi përjashtohet pas pak ditësh nga radhët e PS. Pak orë më vonë ai do të publikojë një video të një personi me emrin Durim Bami, i cili, sipas Doshit, “ishte atentatori”. Për javë të tëra kjo temë do të trazojë politikën shqiptare. Ish- kryeministri Berisha i kërkon Metës të japë dorëheqje. Por Meta i kundërpërgjigjet Berishës se “për Shkëlzen Berishën e kam dhënë një herë dorëheqjen. Nuk e jap dy herë”. Por hetimet për rastin në fjalë do të rrjedhin me shpejtësi. Si asnjëherë më parë në prokurori do të paraqiten një numër i madh figurash të larta politike. Në këtë ngjarje do të përfshihet dhe deputeti i PKD-së, Mark Frroku. Së bashku me atentatorin e dyshuar, Doshi dhe Frroku do të vihen nën akuzë. Ata do të arrestohen me 26 Mars 2015. Për deputetin Frroku do të hapet edhe çështja e vrasjes së dyshuar në Bruksel, e cila do të detyrojë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, të japë dorëhejqje më 31 Mars 2015. Arësyeja ishte pasi në zyrat e Interpolit në Tiranë kërkesa e autoriteteve belge rezultoi të ishte zvarritur.
PD u përpoq të shfrytëzonte çështjen Doshi për të shtuar presionin për ligjin e dekriminalizimit. Për këtë ajo dorëzoi dhe propozime konkrete në komision. Debatet për personat e inkriminuar të përfshirë në politikë do të jenë të pranishëm edhe përgjatë zgjedhjeve vendore të 2015. Pas nuk mbeten as amerikanët, të cilët nëpërmjet ambasadorit Lu shprehen se “janë identifikuar disa emra personash me histori të mundshme kriminale” dhe se “rastet e tyre po diskutohen me udhëheqësit politik”.
Në Korrik të 2015 janë sërish amerikanët që përmes asistentes së Sekretarit të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Victoria Nuland, gjatë vizitës së saj në Tiranë, do t’i mëshojë sërish kërkesës për dekriminalizimin. Pak ditë më vonë, raporti i Departamentit amerikan të shtetit do të përmendë faktin se një deputet shqiptar është dënuar më parë për trafik të qenieve njerëzore. Raporti bënte fjalë për deputetin e PS-së, Arben Ndoka, i cili në shtator të 2015 do të japë dorëheqjen si deputet. Në fund të muajit nëntor 2015 të njejtin veprim do të bëjë edhe Mark Frroku. Pavarësisht përplasjeve palët arrijnë të gjejnë konsensusin në muajin nëntor 2015 dhe ta votojnë në Kuvend ligjin për dekriminalizimin.
Zgjedhjet vedore me hartë të re territoriale
Zgjedhjet për pushtetin vendor u zhvilluan për herë të parë sipas ndarjes së re territoriale. Ato nuk sollën ndryshime mes kampeve. E majta rikonfirmoi diferencën e thellë me të djathtën. Por ajo që ra në sy ishte fakti se mes PS-së dhe LSI-së do të shfaqen përplasjet e para.
Për qeverinë zgjedhjet e 21 qershorit ishin testi i parë pas ardhjes në pushtet për të parë mbështetjen ndaj saj, ndërsa për kreun e PD-së Basha, ishin një sfidë e dyfishtë: nga njëra anë vlerësimi për punën e tij si kryebashkiak i Tiranës katër vitet e fundit dhe nga ana tjetër si kryetari i ri i PD-së. Basha zgjedh të mos rikandidojë për Bashkinë e Tiranës, por vetëm të drejtojë PD-në në fushatë. Nga ana e tij Kryeministri Rama nis punën për zgjerimin e aleancave parazgjedhore, duke krijuar një koalicion me 37 parti politike. LSI-së do t’i besohen 15 nga 61 bashkitë e reja të vendit. Ndërsa PD hyn në zgjedhje me një koalicion mjaft të rrudhur vetëm me 15 parti. Vëmendja kryesore në këto zgjedhje u përqëndrua në Tiranë. Të dy kampet i shpallën kandidaturat në të njejtën ditë, më 16 Prill. Erion Veliaj ishte kandidati i koalicionit të majtë për bashkinë e Tiranës, ndërsa Halim Kosova nga koalicioni i djathtë. PD-ja zgjodhi të bëjë një fushatë duke i konsideruar zgjedhjet e 21 qershorit si referendum ndaj qeverisë. Kjo bëri që kandidatët e saj të mos kishin thuajse asnjë projekt për tua paraqitur zgjedhësve. Ndërsa PS-ja goditi ashpër Bashën në pikën e tij të dobët që ishte dështimi si kryebashkiak i Tiranës.
Më 21 qershor e majta siguron një fitore të thellë në 45 bashki, kundrejt vetëm 15 që i kaluan opozitës. Në qytetet kryesore e majta fiton thellë. Në Tiranë Veliaj grumbullon 44 mijë vota më shumë se Kosova. Ky i fundit uron rivalit të tij fitoren. Në nivel këshillash bashkiakë e majta grumbullon edhe më shumë vota, mbi 990 mijë përkundrejt 507 mijë të së djathtës.
Të nesërmen e zgjedhjeve vëshguesit ndërkombëtar theksuan pengesat e procesit për shkak të mungesës së vullnetit politik, ndërsa thanë se kishte patur akuza për presione dhe blerje votash. Në daljen e tij të parë, më 21 Qershor, Basha deklaroi se “këto zgjedhje janë një hap i madh për PD-në”, por kur u panë përmasat e humbjes së thellë të PD-së ai nis akuzat për manipulim. Gjithsesi, mjaft emra të rëndësishëm brenda PD-së pranojnë se PD-ja humbi në zgjedhje.
Nga ana tjetër brenda shumicës qeverisëse rezultati i zgjedhjeve provokon edhe fërkimet e para publike mes PS-së dhe LSI-së. Të dyja palët dyshojnë në sinqeritetin e njëra- tjetrës gjatë zgjedhjeve.
Dosja CEZ
Skandali CEZ shpërthen në fillim të shtatorit pas një publikimi të BIRN-it, të çështjes DIA, kompanisë së përzgjedhur nga çekët e CEZ, për mbledhjen e borxheve. Dokumentat e avokatëve të huaj të qeverisë flasin për para që kompania DIA, dhe pronari i saj Kastriot Ismailaj, që ndodhet në burg për mashtrim, kishin dhënë për një ish- kryeministër dhe një ish- zyrtar të ERE-s, për të përfituar kontratën.
PD-ja e drejton gishtin nga kryetari i parlamentit, Ilir Meta, ish- kryeministër në fillim të viteve 2000. “Largimi i tij nga detyra është një parakusht që çështja të zbardhet e plotë”, deklaroi kryetari i PD-së Basha. “Kastriot Ismailaj nuk më ka kërkuar asnjë favor dhe nuk i kam bërë asnjë favor. Kjo gjë duhet të jetë fare e qartë për ju dhe për këdo tjetër”, ishte kundërpërgjigjija e Metës. Por kësaj cështje i shtohet dhe rihapja nga opozita e marrëveshjes së një viti më parë të qeverisë me CEZ-in. E djathta flet për një megaskandal dhe kërkon hetim ndërkombëtar. “Paqja dhe stabiliteti i vendit e kanë jetik këtë hetim”, kërcënon ish- kryeministri Berisha. Nga ana e saj e majta shprehet se është dakort në parim, por duhet hetuar edhe blerja nga CEZ-i i operatorit të shpërndarjes së energjisë. Propozimi i opozitës për hetimin ndërkombëtar do të hidhet poshtë. Ndërsa në LSI dyshojnë se pas publikimit të dokumentave për DIA-n qëndron kryeministri Rama. “Është i vetmi kryetar opozite që në vend që të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit, siç ndodh në çdo vend të botës, kërkon vetëm dorëheqjen e kryetarit të parlamentit”, insinuoi Meta më 26 Shtator 2015 nga Skrapari në adresë të Bashës. Paralelisht me këtë nga LSI-ja nisin të intensifikohen mesazhet për ndryshime në qeveri: “Kërkojmë impulse të reja qeverisëse” thotë zoti Meta më 5 Tetor, pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij.
Ndërsa kryeministri hedh poshtë çdo mundësi ndryshimi, në mënyrë të papritur, më 9 Nëntor, jep dorëheqjen ministri i Drejtësisë, Nasip Naço. Brenda ditës, ai do të zëvendësohet nga përfaqësuesi tjetër i LSI-së, Ylli Manjani. Palët shpeshtojnë takimet publike me njëra tjetrën, por duket se mosmarrëveshjet vetëm sa mbulohen përkohësisht. Opozita nga ana e saj ka rritur tonet. Denoncimet për korrupsion të qeveritarëve janë gjithnjë e më të shpeshta. Në qendër të sulmeve do të jenë kryesisht ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ai i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Në fund të vitit e djathta beson se ka ardhur koha për zgjedhje të parakohshme: “Rrugë të mesme nuk ka. Nuk ka më kohë dhe nuk duhet t’I japim më kohë, qeverisë së Edi Ramës me 40 hajdutë”, deklaroi zoti Basha në protestën para qeverisë më 8 Dhjetor, një protestë kjo e dhunshme.
Lufta kundër informalitetit
“Lufta ndaj informalitetit do të jetë kryefjala e këtij 300 ditëshi të tretë qeverisës”, deklaroi Kryeministri Rama më 31 Gusht 2015. Por operacioni antiinformalitet do të shoqërohet me polemika e kritika për shkak të shtrirjes së tij kryesisht ndaj biznesit të vogël, apo dhe arrogancës të shfaqur jo rallë nga grupet e kontrollit në terren. Një fenomen të cilin do e pranojë më vonë dhe kryeministri Rama, i cili njoftoi lehtësira për “të gjitha bizneset nga 0 deri 50 milion lekë në vit, të cilat do të çrregjistrohen nga tatimi i thjeshtuar”. Por për opozitën me këtë hap qeveria, sipas Bashës, “kopjoi propozimin tonë për pullën fiskale, dhe sot propozimet tona për detaksimin për biznesin e vogël”. Operacioni kundër informalitetit i hapi rrugën lëvrimeve të kësteve nga Fondi Monetar, i cili vlerëson rezultatet e arritura, si dhe objektivat e buxhetit. Por në parlament debatet do të jenë të zjarrta sa i përket çështjeve ekonomike.
Problemet ekonomike, vlerësohen si një ndër arsyet kryesore të një fluksi të pazakontë shqiptarësh që iu drejtuan Gjermanisë përgjatë vitit 2015. Qeveria fillimisht do ta interpretojë si keqkuptim të qytetarëve shqiptarë të njoftimeve për hapje vendesh pune në Gjermani. Më pas i mëshon tezës se emigracioni po nxitet nga grupe kriminale të trafikantëve dhe në fund komentoi se pjesa më e madhe e më shumë se 50 mijë shqiptarëve, janë emigrantë që kishin jetuar më parë në Greqi. Ky variant nuk u konfirmua nga Ministri i brendshëm gjerman gjatë vizitës në Tiranë. Pavarësisht kësaj, problemet ekonomike vijojnë të jenë prezente në mjedisin shqiptarë, dhe politikat qeverisëse në jo pak raste nuk kanë shkuar drejt zbutjes së këtyre problemeve. Kjo mbetet një pikë e dobët e qeverisë Rama.
(javanews.al) Me. Ar