Soni Malaj hap zemrën në Grida Duma Podcast: pengu për dy fëmijët që nuk i pati

Në një rrëfim intim për “Grida Duma Podcast”, Soni Malaj ka folur jo vetëm për rrugëtimin e saj të gjatë muzikor, por edhe për dashurinë, familjen, divorcin, sakrificat dhe pengjet që vazhdon të mbartë.

Përballë Grida Dumës, një prej figurave më të njohura të muzikës shqiptare ka ndarë mendime dhe episode nga jeta e saj që e largojnë vëmendjen nga skena dhe arritjet profesionale.

Familja dhe dëshira për ta pasur atë më të madhe përbëjnë një nga pjesët më personale të kësaj bisede.

“Kam ëndërruar për një familje më të madhe. Do doja të kisha edhe dy fëmijë të tjerë”, rrëfen Soni, duke treguar hapur çfarë ka dëshiruar në jetën private dhe duke pranuar se jo gjithçka është realizuar ashtu siç e kishte ëndërruar.

Në të njëjtën kohë, ajo pranon se suksesi profesional ka pasur edhe koston e vet. Angazhimet, jeta prej artisteje dhe ritmi i skenës kanë ndikuar në vendimet që ka marrë në planin personal.