Prokurorët gjermanë kanë ngritur akuza ndaj një pediatri për 130 raste abuzimi seksual, përfshirë përdhunimin e fëmijëve, shumica prej tyre pacientë nën kujdesin e tij.
Rasti ka tronditur opinionin publik dhe ka shtyrë klinikat të forcojnë masat mbrojtëse për fëmijët.
Mjeku 46-vjeçar, emri i të cilit nuk është bërë publik, ndodhet në paraburgim që prej nëntorit, pasi një nënë dyshoi se fëmija i saj ishte abuzuar dhe njoftoi autoritetet. Ai punonte në disa klinika në Brandenburgu, pranë Berlinit.
Dyshohet se krimet janë kryer mes viteve 2013 dhe 2025, ndërsa nuk është bërë e ditur se sa fëmijë mund të jenë abuzuar.
“I akuzuari përballet me akuza për shkelje të autonomisë seksuale në gjithsej 130 raste. Këto përfshijnë abuzim të rëndë seksual ndaj fëmijëve dhe përdhunim”, thuhet në deklaratën e prokurorisë.
Sipas hetimeve, shumica e abuzimeve dyshohet se janë kryer gjatë ushtrimit të detyrës së tij profesionale në klinikat e grupit shëndetësor Havelland, në qytetet Rathenow dhe Nauen.
“I akuzuari mbetet në paraburgim”, shton prokuroria, duke bërë të ditur se akuzat janë ngritur më 6 maj.
Tashmë një gjykatë rajonale në Potsdam do të vendosë nëse çështja do të kalojë në gjykim.
Gjatë arrestimit të pediatrit, hetuesit sekuestruan pajisje elektronike që besohet se përmbajnë materiale me rëndësi për hetimin. Sipas gazetës Bild, denoncimi i nënës erdhi pasi fëmija i saj dyshohet se ishte abuzuar gjatë trajtimit në repartin pediatrik të spitalit të Rathenow.
Pasi rasti doli në dritë në janar, Klinika Havelland njoftoi se kishte nisur një hetim të brendshëm me ndihmën e ekspertëve dhe se do të bashkëpunonte plotësisht me prokurorinë, duke i vënë në dispozicion çdo informacion të nevojshëm.
“Shprehim keqardhjen dhe mbështetjen tonë për të gjithë pacientët që mund të jenë dëmtuar, si dhe për familjet e tyre”, thuhej në deklaratë.
Rasti ka rikthyer në vëmendje edhe skandalet e ngjashme në Europë. Në Francë, në maj të vitit të kaluar, një ish-kirurg 74-vjeçar u dënua me 20 vite burg për abuzimin seksual të qindra pacientëve, shumica nën moshën 15 vjeç. Ky u konsiderua procesi më i madh gjyqësor për abuzim ndaj fëmijëve në historinë e vendit.
Joël Le Scouarnec kishte punuar si kirurg në spitale publike dhe private në perëndim të Francës, ku shpesh operonte fëmijë me apandesit. Ai u akuzua për 111 përdhunime dhe 189 sulme seksuale mes viteve 1989 dhe 2014 në rreth 12 spitale.
Shumë prej fëmijëve u abuzuan ndërsa ishin nën anestezi ose sapo zgjoheshin pas operacioneve, ndërsa disa të tjerë në shtretërit e spitalit. Mosha mesatare e viktimave ishte 11 vjeç. Vendimi rriti më tej presionin ndaj qeverisë franceze për të adresuar dështimet në sistemin shëndetësor dhe atë të drejtësisë.










