Kiço Mustaqi, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm në kohën e komunizmit, mbështet periudhën e komunizmit dhe respektin për udhëheqësin komunist Enver Hoxha.
Nga Aristir Lumezi, Panorama
Në 110 vjetorin e lindjës së Hoxhës, Kiço Mustaqi vizitoi Nexhmije Hoxhën në shtëpinë e saj, nga ku sjell dhe detaje nga biseda me të.
Nexhmija e ka falenderuar për mbrojtjen e familjes së saj me forcat speciale ushtarake, në 1991 kur turma e protestuesve iu sul Bllokut të udhëheqjes.
Ish-ministri i Mbrojtjes shprehet se do të ishte turp i madh për të nëse nuk do të kishte qenë i zoti të mbronte familjen e udheheqësit komunist.
Ju keni qenë për vizitë tek e veja e Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxha, me rastin e 110-vjetorit të lindjes së udhëheqësit komunist…
Unë mora pjesë në këtë aktivitet të organizuar nga organizata komuniste, nuk interesohem për emrat, sepse janë 2-3 organizata komuniste dhe më vjen keq që ato nuk janë bashkuar në një. Unë kam pikëpamjet e mia në këtë aspekt. Unë vajta për vizitë te Nexhmije Hoxha sepse ishte një përvjetor jubilar i Enver Hoxhës. Unë jam emëruar në detyrat më të rëndësishme të Ushtrisë, nga shef i Shtabit të Përgjithshëm, komandant Korpusi, drejtor operativ e kudo me firmën direkte të Enver Hoxhës. Unë nuk jam nga ata bukëshkalët, që e mbushin dhe e derdhin enën me qumësht. Unë i përkas atij sistemi dhe i qëndroj besnik sepse kam punuar dhe dua që vlerat e mia i kam treguar në punën e tij dhe nëpërgjegjësitë që më janë ngarkuar. Unë kam qenë afër udhëheqjes së kohës, Byrosë Politike, etj., etj.. Kush mendon se unë e kam bërë punën keq, unë do ta pranoj dhe do ta argumentoj. Unë di që kam vepruar në punën time me dinjitet dhe pa shkelur ligjet e shtetit shqiptar. Prandaj unë kam punuar dhe shërbyer në atë kohë dhe nuk heq dorë prej saj. Unë respektoj atë kohë, por vlerësoj dhe gjërat e mira që bëhen sot. Nga ana tjetër, unë Babalen nuk e duroj dot të më bëhet si pjesëtar i familjes.
Çfarë ju bezdis dhe ju shqetëson nga zhvillimet e sotme?
Në fund të viteve ’80 ne ia lamë në dorë rinisë dhe është rinia që duhet ta çojë më tutje këtë vend. Dhe ne kishim besim, që ia lamë rinisë në dorë të ardhmen e vendit, sepse po të mos kishim besim, ne duhet të kishim bërë luftë dhe i pari që duhet të hidhesha në luftë isha unë, por nuk bëmë. Domethënë u dorëzuam.
U dorëzuat apo bëtë një tërheqje taktike?
Njëlloj është, po u tërhoqe, dorëzim është edhe ajo. Madje edhe më keq, sepse po u tërhoqe tregon se të ka hyrë paniku. Dhe ne e lamë rininë që të ecë përpara. Mua më vjen keq se kaluam nga ai sistem ku shteti funksiononte mbi bazën e ligjeve dhe rregullave nënjë sistem të pretenduar demokratik, por që në fakt është një sistem anarkik. Ata që dolën me flamurin e demokracisë ishin po ata që e shkatërruan vendin, e dogjën, e vodhën, shkatërruan mundin dhe djersën e 45 viteve, e kthyen vendin në vitin zero dhe nuk ditën të ndërtojnë një vepër të madhe të kohës së komunizmit. Ne sot ndriçohemi ende me hidrocentralet e Enver Hoxhës. Edhe ato do t’i kishin hedhur në erë siç bënë me uzinat dhe fabrikat, por nuk kishin aq shumë eksploziv se do ta kishin bërë. Jo vetëm vendi kaloi në një fatkeqësi të madhe, por këtu nuk ka dalë as përgjegjësia, kush ishte përgjegjës për këto shkatërrime. Dhe analistët nuk thonë të vërtetën, por flasin me zërin e partive politike. Në këtë kuptim, nuk janë pa vend opinionet e njerëzve që thonë: Sikur të ngjallej edhe njëherë shoku Enver! Çështja është, që mirë ne që kemi atë nostalgji sepse kemi punuar me të dhe në atë kohë, po më të rinjtë përse e thonë këtë?! Këtë përgjigje duhet të më japin politikanët e demokracisë së sotme shqiptare.
Çfarë biseduat me Nexhmije Hoxhën? Çfarë ju tha ajo?
Unë e urova Nexhmijen që të jetë shëndoshë dhe mirë dhe sa të jemi gjallë do ta kujtojmë edhe Enverin, edhe Nexhmijen, sepse ata më kanë uruar mua për ditëlindjen, si shoku Enver ashtu dhe Nexhmija, veçanërisht Nexhmija më ka ardhur në shtëpi për ditëlindjen, për 40-vjetorin. Nga ai mendim që kishim të gjithë se ajo do të ishte e pamundur, e sëmurë, pashë që ajo ishte me shëndet të mirë dhe me një memorie shumë të mirë.
Çfarë kujtuat?
Ajo më tregoi një episod të 1991 që kishte të bënte me mbrojtjen e saj kur u sulmua blloku nga protestuesit. Më tha se oficerët që kisha dërguar ishin sjellë shumë mirë me të. Unë i vura në dispozicion disa forca speciale që kishim ne në Ushtri, në mbrojtje të familjes së Enver Hoxhës. Ajo e mbante mend atë moment kur unë e kisha marrë në telefon dhe i kisha thënë, a je mirë, a ndiehesh e sigurtë se nëse është nevoja, të sjell të gjithëUshtrinë. Nëse unë nuk do të mbroja familjen e Enver Hoxhës, çfarë detyre do të përmbushja?! Kushdo që të ishte, të njëjtën gjë do të bënte, siç bën edhe sot me personalitetet e shtetit shqiptar. Betimi i ushtarakut para ligjit nuk ka ndryshuar nëçdo kohë. Për mua, do të ishte turpi më i madh që të pësonte gjë familja e Enver Hoxhës.
Ku e vendosët familjen e Enver Hoxhës në atë kohë?
Mesa kujtoj unë, është vendosur në Dajt sepse atje zona ishte më e sigurt dhe larg gangove. Kur Nexhmija e përmendi këtë episod dhe në sy të të tjerëve qëishin prezent, m’u bë qejfi. Por ishte shumë e kthjellët në kujtime dhe në gjykimet e ditëve të sotme.
Ju ishit dhe për homazhe në varreza?
Po domosdo, isha unë dhe plot shokë të tjerë. Në shtëpinë e Nexhmijes nuk ndalonin njerëzit, që i shkonin për vizitë. Në varreza ishte dhe i biri, Iliri dhe djali i tij. Me Ilirin unë kam punuar nëMinistrinë e Mbrojtjes, ai ka qenë drejtor i Prodhimeve Ushtarake dhe na ka lidhur shumë puna, por nuk jam servilosur. Takohesha dhe raportoja në ato tre vite që isha shef i Shtabit të Përgjithshëm me shokun Enver, por nuk servilosesha, kurse Saliu e bënte mirë servilin në Bllok. M’u bë qejfi që u takova me Nexhmijen, jo se kam ndonjë interes, por sepse ajo edhe ka luftuar edhe kishte lidhur jetën me Enver Hoxhën, por edhe se ka qenë anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së, e Frontit etj.. Atëherë përse nuk duhet respektuar?! Cilat janë gabimet e Nexhmijes?! Mos bëri gabim që doli partizane?!
E kanë akuzuar dhe për disa gabime nga brenda familjes, siç është rasti i Liljana Hoxhës…
Ajo është fatkeqësi që ndodh në familjet tona, e kjo fatkeqësi i ndodhi edhe asaj. Unë i kam lexuar të gjitha shkrimet e saj, e cila ishte kundër Nexhmijes dhe pro Enverit, por kam lexuar dhe reagimin e Nexhmijes dhe porosinë që i ka dhënë Ilirit. Mua më duket se qëndrimi i Nexhmijes është i drejtë. Tani ti vajte nuse në shtëpi, nuk të pëlqeu vjehrra, por ti mund të ndaheshe që atëherë. Por këto janë fatkeqësi të familjeve tona dhe s’duhet të futem fare në këto debate.