Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar për një shpërthim të ri të virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos. Deri tani janë raportuar më shumë se 300 raste të dyshuara dhe të paktën 88 viktima. Raste janë konfirmuar edhe në Ugandën fqinje.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli situatën një emergjencë ndërkombëtare të shëndetit publik.
Ebola është një sëmundje shumë e rëndë dhe shpesh fatale, e zbuluar për herë të parë në vitin 1976 pas dy shpërthimeve të njëpasnjëshme në territoret që sot njihen si Sudani i Jugut dhe Kongo. Shumica e shpërthimeve të mëdha kanë ndodhur në Afrikën nën-Sahariane, ku viruset që shkaktojnë Ebola-n konsiderohen natyrshëm të pranishëm.
Po nga se shkaktohet dhe si përhapet?

Sëmundja shkaktohet nga një grup virusesh. Tre prej tyre njihen për shpërthime të mëdha: virusi Ebola, virusi Sudan, dhe virusi Bundibugyo. Shpërthimi aktual lidhet me virusin Bundibugyo, një variant i rrallë që më parë është regjistruar vetëm në dy epidemi.
Sipas OBSH-së, lakuriqët e natës që ushqehen me fruta besohet se janë bartësit natyrorë të virusit. Edhe kafshë të tjera, si majmunët dhe gorillat, mund të infektohen.
Njerëzit mund ta marrin virusin përmes kontaktit me kafshët e infektuara ose përmes lëngjeve trupore të personave të sëmurë, si gjaku, të vjellat apo jashtëqitjet. Virusi mund të transmetohet edhe nga sipërfaqe të kontaminuara.
Simptomat dhe rrezikshmëria
Simptomat mund të shfaqen nga dy ditë deri në tre javë pas ekspozimit, por zakonisht dalin brenda një jave.
Sëmundja nis me simptoma të ngjashme me gripin: temperaturë, dhimbje trupi, lodhje apo dhimbje fyti.
Më vonë mund të shfaqen: probleme gastrointestinale, skuqje në lëkurë, kriza dhe gjakderdhje.
Shkalla mesatare e vdekshmërisë nga Ebola është rreth 50%, megjithëse në shpërthime të ndryshme ka variuar nga 25% deri në 90%. Aktualisht ekzistojnë vaksina dhe trajtime të miratuara vetëm për variantin klasik të virusit Ebola, jo për virusin Bundibugyo.
Shpërthimet më të mëdha të virusit ndër vite

2013-2016: Epidemia më e rëndë në histori
Shpërthimi më i madh i regjistruar ndodhi në Afrikën Perëndimore, kryesisht në: Guine, Liberi, Sierra Leone. U regjistruan mbi 28 mijë raste dhe më shumë se 11 mijë viktima. Disa raste u raportuan edhe në SHBA, Britani, Itali dhe Spanjë, kryesisht te udhëtarët ose personeli mjekësor që ishte kthyer nga Afrika.
Studiuesit besojnë se epidemia nisi në Guinenë juglindore, kur një fëmijë ra në kontakt me lakuriqë nate të infektuar.
2018-2020: Kongo dhe Uganda
Shpërthimi i dytë më i madh ndodhi në lindje të Kongos dhe u përhap edhe në Ugandë.
U regjistruan mbi 3,400 raste dhe më shumë se 2 200 vdekje.
Shkalla e vdekshmërisë ishte rreth 66%. Edhe ky shpërthim u shkaktua nga virusi klasik Ebola.

2007-2008: Shpërthimi i parë i virusit Bundibugyo
Në Ugandën perëndimore u regjistrua për herë të parë varianti Bundibugyo.
Atëherë pati 131 raste dhe 42 viktima. Ekspertët vunë re se ky variant kishte një nivel më të ulët vdekshmërie krahasuar me format e tjera të Ebola-s, por ende nuk ekziston vaksinë apo trajtim specifik për të.
1976: Rastet e para

Rastet e para të Ebola-s u shfaqën në Sudanin e atëhershëm dhe më pas në Kongon e atëhershme, e njohur si Zaire.
Në Sudan: u raportuan 284 raste dhe 151 persona humbën jetën. Pak muaj më vonë, në veri të Kongos pati 280 viktima dhe një shkallë shumë të lartë vdekshmërie.
Pikërisht gjatë këtij shpërthimi shkencëtarët identifikuan për herë të parë virusin Ebola, i cili mori emrin nga lumi Ebola pranë zonës ku shpërtheu epidemia. Rasti i parë i njohur jashtë Afrikës ndodhi po atë vit, kur një teknik laboratori britanik u infektua aksidentalisht gjatë analizimit të mostrave. Ai arriti të mbijetonte. Që nga zbulimi i virusit, rastet jashtë Afrikës kanë qenë shumë të rralla.











