Dita e sotme do të dominohet nga reshjet dhe rrebeshet e shiut në të gjithë territorin shqiptar dhe era e fortë, por fundjava do të sjellë përmirësim të kushteve atmosferike dhe një rritje të ndjeshme të temperaturave. Meteorologia e A2 CNN Tanja Porja, tha në Dita Jonë se nga nesër e deri në vijim do të kemi një mot të ngrohtë.
“Rreth orës 3: 00 pasdite fillon sërish kthjellimi i kushteve të motit fillimisht në veriperëndim dhe më pas gradualisht në zonat perëndimore. Ndërsa jugu dhe juglindja mbeten deri vonë në mbrëmje me vranësira dhe reshje, të cilat pakësohen në orët e vona të pasdites. Nesër në orët e para të ditës do të kemi vranësira të dukshme në një pjesë të konsiderueshme të territorit shqiptar. Megjithatë bregdeti kthjellohet që në orët e natës dhe në orët e para të ditës së nesërme të diell kemi kryesisht në brigjet e Adriatikut. Skaji jugor dhe juglindja herë pas here do të kenë prezencë të reshjeve të pakta dhe afatshkurtra të shiut edhe orët e para të ditës së shtunë. Nga mesdita e së shtunës dhe në vijim do të kemi mot kryesisht të kthjellët”, tha Porja në Dita Jonë në A2 CNN.
Sipas meteorologes së A2 CNN shtatori do të mbyllet me temperatura deri në 30 gradë celsius.
“Temperaturat do të njohin një rritje graduale. Të shtunën maksimumet pritet të arrijnë deri në 28 gradë celsius, ndërsa të dielën deri në 29. Në fillim të javës së ardhshme termometri do të ngjitet sërish në rreth 30 gradë celsius, vlera të pazakonta për fundin e shtatorit. Pjesa e dytë e ditës dhe kryesisht në gjysmën veriore veriu dhe zonat lindore do të kenë temperatura do të thosha tipike të dimrit për pasditen e sotme, ndërsa nesër krejt ndryshe. Nesër dhe në vijim për disa ditë mot, pranvere, vere”, theksoi Porja.











