Nga Blendi Çeka
Shqiptarët e mbështesin integrimin evropian më shumë se pothuajse çdo publik tjetër në Ballkanin Perëndimor, por besojnë pak se ai do të realizohet shpejt. Ky kontrast, i dokumentuar në mënyrë të qëndrueshme nga valët e Barometrit të Euronews Albania, përbën pikënisjen e nevojshme për një debat të argumentuar mbi afatin 2030.
Në sondazhin e nëntorit 2023 (N = 1.000), 85,2% e të anketuarve kishin opinion pozitiv për BE-në dhe 66,6% e konsideronin anëtarësimin “të vetmen të ardhme” të vendit. Në të njëjtin sondazh, 69,9% pajtoheshin se shqiptarët janë lodhur pas tri dekadash integrimi dhe nuk besojnë më se ai do të ndodhë. Mbështetja për qëllimin dhe skepticizmi ndaj procesit nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin; ato bashkëjetojnë. Ky kombinim, që literatura e njeh si “lodhje nga zgjerimi”, duhet marrë seriozisht nga kushdo që flet për afate.
Ku ndodhen negociatat: ritëm i shpejtë, faza e vështirë përpara
Nga pikëpamja procedurale, përparimi i dy viteve të fundit është i padiskutueshëm. Shqipëria i hapi të gjithë kapitujt e negociatave brenda më pak se një viti, nga tetori 2024 deri në nëntor 2025. Në maj 2026, BE-ja konfirmoi se vendi ka përmbushur standardet e ndërmjetme në fushën e sundimit të ligjit, një parakusht për mbylljen e kapitujve. Më 14 korrik 2026, në konferencën e nëntë ndërqeveritare, u mbyllën përkohësisht kapitujt e parë: 25 (Shkenca dhe Kërkimi), 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe 30 (Marrëdhëniet me jashtë). Qeveria synon mbylljen e rreth dhjetë kapitujve gjatë 2026 dhe të të gjithë kapitujve deri në fund të 2027.
Këto janë hapa realë, por duhen lexuar në kontekst. Kapitujt e mbyllur deri tani janë tradicionalisht ndër më pak kërkuesit. Mbyllja është “e përkohshme”, sepse asgjë nuk konsiderohet e përfunduar derisa të ketë marrëveshje për të gjitha fushat. Klasteri i Themeleve, që përfshin drejtësinë, të drejtat themelore, sigurinë, prokurimin publik dhe kontrollin financiar, hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Komisioni e ka cilësuar kapitullin 27 (Mjedisi dhe ndryshimet klimatike) si një nga më të vështirët e procesit, dhe mosmarrëveshja për ndryshimet ligjore të 2024-ës për zonat e mbrojtura e ka bërë këtë më të dukshme. Faza e vështirë e negociatave, pra, sapo ka filluar.
Çfarë thotë raporti i fundit i Komisionit
Raporti vjetor i Komisionit Evropian për Shqipërinë, i publikuar më 4 nëntor 2025 dhe ende raporti më i fundit, e cilëson ritmin e negociatave “të paprecedentë”. Ai vlerëson përfundimin në shkallë të parë të procesit të vetingut për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe rezultatet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Megjithatë, i njëjti raport evidenton probleme që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e demokracisë: polarizim politik dhe mungesë dialogu të mirëfilltë mes mazhorancës dhe opozitës; kontroll të kufizuar parlamentar mbi ekzekutivin; zgjedhje konkurruese në Maj 2025, por pa kushte të barabarta gare dhe me keqpërdorim të burimeve publike; korrupsion që mbetet i përhapur në sektorë të ndjeshëm; dhe përpjekje të vazhdueshme për ndikim të padrejtë mbi sistemin gjyqësor. Me fjalë të tjera, Komisioni vlerëson ritmin teknik, por paralajmëron për kufizimet politike.
Pse raporti i këtij viti ka peshë të veçantë
Raporti i radhës i Komisionit pritet të miratohet më 28 tetor 2026, bashkë me një risi: për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, Komisioni do të paraqesë për herë të parë udhërrëfyes anëtarësimi, me prioritetet dhe afatet orientuese për mbylljen e kapitujve. Sipas njoftimeve paraprake, udhërrëfyesi për Shqipërinë pritet të mbështesë objektivin e përmbylljes së negociatave deri në fund të 2027. Kjo e bën raportin e këtij viti më shumë se një vlerësim vjetor: ai do të përcaktojë kushtet konkrete të fazës përmbyllëse.
Raporti vjen pas një viti me tensione të dukshme politike dhe shoqërore. SPAK-u e ka marrë të pandehur zëvendëskryeministren Belinda Balluku për manipulim të supozuar të tenderëve në infrastrukturë; në fund të korrikut 2026 i komunikoi akuza të reja për tenderë të tjerë të Unazës së Jashtme të Tiranës, ndërsa në shtator i shtoi akuzat për korrupsion pasiv dhe fshehje pasurie. Kryeministri e shkarkoi nga detyra në shkurt, por në mars Kuvendi refuzoi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit, me 82 vota kundër dhe 47 pro. Delegacioni i BE-së reagoi duke theksuar se angazhimi për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit ka rëndësi thelbësore për procesin e anëtarësimit. SPAK-u ka hapur gjithashtu hetim për ndryshimet e vitit 2024 në statusin e zonave të mbrojtura në Sazan dhe në Vjosë-Nartë.
Paralelisht, nga nëntori 2025 deri në maj 2026, opozita organizoi protesta të vazhdueshme me kërkesë dorëheqjen e qeverisë, disa prej të cilave u shoqëruan me akte dhune që u dënuan nga Delegacioni i BE-së. Që nga maji 2026, protestat qytetare në Zvërnec dhe në Tiranë kundër projekteve turistike në zona të mbrojtura kanë sjellë në rrugë edhe qytetarë jashtë strukturave partiake.
Për këtë arsye, raporti do të lexohet si test për tri çështje: nëse institucionet politike, dhe jo vetëm SPAK-u, e mbështesin trajtimin e rasteve të profilit të lartë; nëse vendimmarrja për mjedisin dhe pronën respekton standardet evropiane; dhe nëse polarizimi, brenda dhe jashtë Kuvendit, po kthehet në pengesë për reformat që kërkon faza përmbyllëse. Gjuha e raportit për këto çështje do të ketë më shumë peshë se zakonisht, sepse do të ndikojë drejtpërdrejt në udhërrëfyesin dhe në ritmin e mbylljes së kapitujve.
Pengesa kryesore është e brendshme, dhe qytetarët e pranojnë
Diagnoza e Komisionit përputhet me atë të vetë qytetarëve. Krahasuar me publikun e vendeve të tjera të rajonit, ku vonesa shpesh u atribuohet faktorëve të jashtëm, shqiptarët shfaqin një nivel të lartë vetëkritike. Sipas sondazhit të nëntorit 2023, 70,3% e konsiderojnë korrupsionin si arsyen kryesore të vonesës dhe 66,1% imazhin e vendit të lidhur me kriminalitetin, ndërsa vetëm 10,8% pranojnë shpjegimin se BE-ja e refuzon Shqipërinë për shkak të shumicës myslimane. Kjo diagnozë nuk ndahet sipas vijave partiake: korrupsionin si pengesë e shohin 71,5% e votuesve të PS-së, 73,4% e votuesve të PD-së dhe 73,5% e mosvotuesve.
Diagnoza është e përbashkët, por zgjidhja shkon përtej reformës në drejtësi. SPAK-u është sot institucioni me besimin më të lartë publik: përqindja e qytetarëve që i japin besim të lartë u rrit nga 14,2% në nëntor 2022 në 52,1% në shkurt 2025. Në të kundërt, vetëm 13,1% kanë besim të lartë te partitë politike. Në nëntor 2024, 67,0% e të anketuarve mendonin se vota e shqiptarëve përcaktohet kryesisht nga pritja e përfitimeve ose e punësimit, ndërsa 33,8% deklaronin se do ta ndryshonin votën në këmbim të një vendi pune ose të një favori.
Këto të dhëna tregojnë kufijtë e reformës institucionale. Një prokurori e posaçme efektive mund të ndëshkojë abuzimet, por nuk ndryshon vetvetiu mënyrën si financohen partitë, si rekrutohet administrata publike apo si zhvillohet gara zgjedhore. Kur llogaridhënia i delegohet kryesisht një institucioni të vetëm, rreziku është që reforma të mbetet e izoluar, ndërsa praktikat klienteliste vazhdojnë. Kushtëzimi europian ka qenë efektiv në krijimin e institucioneve të reja, por më pak efektiv në transformimin e kulturës politike që i rrethon ato.
Integrimi nuk mund të mbetet proces vetëm teknik
Negociatat zhvillohen kryesisht mes qeverisë dhe Komisionit Evropian, përmes grupeve të punës, raporteve dhe standardeve teknike. Kjo qasje është e domosdoshme, por jo e mjaftueshme. Përafrimi me legjislacionin evropian do të ndryshojë rregullat për fermerët, bizneset e vogla, punëmarrësit, pronën, mjedisin dhe shërbimet publike. Një proces me ndikim kaq të gjerë shoqëror nuk mund të mbetet monopol i administratës dhe i ekspertëve.
Të dhënat sugjerojnë se distanca mes qytetarëve dhe politikës është e konsiderueshme. Në mars 2024, 71,5% e të anketuarve deklaronin pak ose aspak interes për politikën, ndërsa 44,3% mendonin se vota e tyre nuk ndikon në përcaktimin e qeverisë. Në këto kushte, rreziku është që Shqipëria t’i përmbushë standardet formalisht, ndërkohë që shoqëria nuk e percepton procesin si të sajin dhe nuk e mbështet kur të shfaqen kostot e para të përshtatjes. Ajo që në literaturë quhet “pronësi vendase” e reformave nuk mund të zëvendësohet me deklarata politike.
Një proces më gjithëpërfshirës do të kërkonte, ndër të tjera:
- përfshirjen e opozitës parlamentare në monitorimin e negociatave, jo vetëm në miratimin e ligjeve;
- konsultim substancial me sindikatat, organizatat e biznesit, fermerët, universitetet dhe shoqërinë civile për kapitujt që i prekin drejtpërdrejt, sidomos për bujqësinë dhe mjedisin;
- rol aktiv për njësitë e qeverisjes vendore, të cilat do të zbatojnë një pjesë të konsiderueshme të acquis-it europian;
- raportim të rregullt publik për ecurinë e secilit kapitull, përtej ceremonive të hapjes dhe të mbylljes.
Një qasje e tillë do të shërbente edhe si mekanizëm kundër polarizimit. Diagnoza për pengesat është tashmë e përbashkët; ajo që mungon është një proces që e shndërron këtë diagnozë në angazhim të përbashkët.
Integrimi gradual: propozimi i ri i Komisionit
Më 6 tetor 2026, Komisioni Evropian paraqiti komunikatën “Përgatitja për një Union më të gjerë”, e cila përcakton si do të përgatitet BE-ja për anëtarë të rinj dhe si do të funksionojë integrimi gradual. Sipas saj, vendet kandidate që përparojnë me reformat mund të marrin pjesë më herët në politika të caktuara të Unionit: në programet si Erasmus+, Horizon Europe dhe Europa Krijuese, në energji, transport, ekonomi digjitale, mbrojtje dhe, pjesërisht, në tregun e brendshëm. Këshilli ka autorizuar që në qershor 2026 negociatat për shtrirjen e roaming-ut pa kosto shtesë edhe në Ballkanin Perëndimor.
Komisioni propozon dialogë vjetorë për integrimin gradual me secilin vend dhe financim të dedikuar përmes instrumentit të ri Global Europe. Qasja është e kushtëzuar dhe e kthyeshme: pjesëmarrja mund të pezullohet nëse detyrimet nuk përmbushen. Komisioni thekson se integrimi gradual nuk e zëvendëson anëtarësimin, por e plotëson, dhe se pjesëmarrja para anëtarësimit nuk jep të drejta vendimmarrjeje.
Për Shqipërinë, kjo është mundësi reale për përfitime të prekshme para 2030-ës, që mund ta zbusin lodhjen e publikut. Por ka edhe dy rreziqe. I pari: që integrimi gradual të shndërrohet në një gjendje pritjeje të zgjatur, me detyrime të anëtarit, por pa zë në vendimmarrje. I dyti: që përfitimet sektoriale të përdoren si dëshmi suksesi, ndërkohë që reformat në themele, pra në drejtësi, zgjedhje dhe administratë, ecin më ngadalë.
Dimensioni evropian: zgjerimi si vendim politik
Në debatin publik shqiptar, integrimi trajtohet shpesh si një provim teknik: përmbush kriteret dhe anëtarësohesh. Në realitet, anëtarësimi është edhe vendim politik i shteteve anëtare. Vendimet kyçe merren me unanimitet në Këshill, traktati i anëtarësimit duhet ratifikuar nga secili shtet anëtar dhe në disa prej tyre nuk përjashtohet mundësia e një referendumi. Në komunikatën e 6 tetorit, Komisioni i rekomandon Këshillit që për hapat e ndërmjetëm të negociatave të përdorë shumicën e cilësuar, por vendimi për këtë mbetet në vullnetin e shteteve anëtare.
Kjo e bën afatin 2030 të ndjeshëm ndaj ciklit zgjedhor brenda BE-së. Zgjedhjet për Parlamentin Europian të vitit 2024 forcuan partitë skeptike ndaj zgjerimit, ndërsa deri në 2030 shumë shtete anëtare do të zhvillojnë zgjedhje parlamentare. Një qeveri e re mund të vendosë kushte shtesë ose të vonojë ratifikimin për arsye të politikës së brendshme, siç e ka përjetuar më shumë se një herë Maqedonia e Veriut. Propozimet e reja synojnë ta parandalojnë këtë në të ardhmen: anëtarët e rinj do të angazhohen të mos bllokojnë zgjerimin për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Propozimet tregojnë edhe se BE-ja do të jetë më e kujdesshme me anëtarët e rinj. Masat mbrojtëse sektoriale, që në traktatet e mëparshme zgjasnin tre vjet pas anëtarësimit, do të zgjaten ndjeshëm. Për herë të parë propozohet edhe një klauzolë mbrojtëse institucionale, e vlefshme për 15 vjet pas anëtarësimit, për raste shkeljesh serioze të vlerave dhe detyrimeve të Unionit. Mesazhi është i qartë: përmbushja e kritereve nuk mbaron me nënshkrimin e traktatit, sidomos në fushën e sundimit të ligjit.
Për rrjedhojë, Tirana ka nevojë për një strategji që shkon përtej Brukselit: dialog të qëndrueshëm me parlamentet kombëtare dhe me opinionin publik të shteteve anëtare, jo vetëm me qeveritë aktuale.
Përfundim
Të dhënat përshkruajnë një publik që e mbështet BE-në, që e identifikon pengesën kryesore te qeverisja e brendshme dhe që ka humbur besimin te afatet. Mbyllja e kapitujve të parë dhe propozimet e reja për integrimin gradual krijojnë një moment të favorshëm, por jo të pakufizuar. Afati 2030 është i arritshëm nëse plotësohen tri kushte: reforma që shtrihen përtej sistemit të drejtësisë, te financimi i partive, administrata publike dhe procesi zgjedhor; një proces integrimi që i përket shoqërisë dhe jo vetëm institucioneve; dhe vullnet politik në kryeqytetet evropiane, i cili do të formësohet nga zgjedhjet e tyre.
Në mungesë të këtyre kushteve, 2030 rrezikon të shtohet në listën e afateve të paplotësuara. Prandaj pyetja thelbësore nuk është vetëm nëse Shqipëria do të anëtarësohet në BE në 2030, por me çfarë cilësie demokracie dhe me çfarë mbështetjeje nga qytetarët e saj.
Burimet: Barometri i Euronews Albania, terreni MRB Hellas – Datacentrum: Nëntor 2023 (N = 1.000), Mars 2024 (N = 1.000), Nëntor 2024 (N = 1.000), Shkurt 2025 (N = 1.600); kampioni përfaqësues kombëtar, të dhëna të ponderuara. Komisioni Europian, Raporti 2025 për Shqipërinë (4 nëntor 2025). Komisioni Europian, “Preparing for a wider Union”, COM(2026) 705, 6 tetor 2026. Këshilli i BE-së, njoftimet për shtyp të 17 nëntorit 2025 dhe 14 korrikut 2026. Raportimet e European Western Balkans (12 mars, 2 qershor dhe 24 shtator 2026) dhe Tirana Times (gusht 2026) për rastin Balluku, hetimin për zonat e mbrojtura dhe udhërrëfyesin e anëtarësimit.
Blendi Çeka është pedagog në Departamentin Shkenca Politike, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.
Ky shkrim botohet në kuadrin e një serie artikujsh me temë “Media dhe Integrimi evropian” të Institutit Shqiptar të Medias.











