Një i ri, është gjendur i vdekur në zonën e njohur si “Zogu i Zi” në qytetin e Fierit.
Trupi i pajetë i djalit është gjetur nga kalimtarët në trotuarin e mbuluar me gjak dhe është dërguar në spital.
Viktima është identifikuar nga policia si shtetasi Dionis Vrenozi, 16 vjeç nga fshati Hoxharë e Vjetër.
Ka dyshime se djali është goditur me thikë gjatë një sherri që ai ka pasur me një bashkëmoshatar pranë gjimnazit “Janaq Kilicia”.
Policia ndërkohë është vendosur në kërkim të personit që dyshohet se ka qëlluar për vdekje Vrenozin.
Njoftimi i policisë:
Policia identifikon autorin e dyshuar të plagosjes me thikë në vendin e quajtur “Zogu i Zi” ku si pasojë e plagëve të mara ndërroi jetë shtetasi i plagosur.
Sot në datën 18.10.2018, rreth orës 16:30 ka shkuar në Spitalin Rajonal Fier i plagosur me mjet prerës shtetasi D.V, 16 vjeç, banues në Hoxharë të Vjetër.
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Zogu i Zi”, Fier ku pas një sherri mes dy të rinjve ka mbetur i plagosur me thikë shtetasi D.V.
Eshtë shpallur në kërkim si autor i dyshuar i ngjarjes shtetasi F.G, rreth 17 vjeç dhe po punohet për kapjen e tij.
Shtetasi i dëmtuar ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Fier.
Është ngritur grupi hetimor i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Forca të shumta policie nga Komisariati i Fierit dhe nga Sektori për Krimet e Rënda kanë ngritur pika të shumta kontrolli dhe po punojnë për kapjen e autorit.










