A e prisnit rezultatin e PD?
Ju nuk reaguat pas listave të Bashës, edhe pse u latë jashtë?
Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte koha për fushatë jo për analizë. Kur shpallet një listë, kur vjen një listë atëherë është shumë vonë për të bërë këtë gjë. Kam bërë dhe fushatë, kam mbështetur kandidatët tanë.
Ju thoni që keni marrë pjesë në fushatë, ku konkretisht?
Ishte pak e shkurtër por unë kam qenë dhe jam i caktuar tek njësia 2 në Tiranë. Për shkak të ligjit që është, që mendoj se duhet ndryshuar, është i tillë që mund të lëvizin deputetët. Nga kontaktet që pata me miqtë e mi gjithmonë habitesh nëse fiton kundërshtari.
Ju kur e vendosët që do merrnit pjesë në garë? Ishte spontane apo e menduar?
Ishte e menduar patjetër, në kuptimin që vij për të dhënë një kontribut. Kam qenë gati për të kandiduar dhe në zgjedhjet e kaluara. Por kam biseduar me zotin Basha dhe kam parë tek ai një njeri me vizion dhe ndaj u tërhoqa. Kur nuk e pashë që nuk po ecte, atëherë kam dalë në një deklaratë të fortë. Makina ishte pa frena dhe askush nuk po e çonte në servis. Ka një mospërputhje të gjërave që ai thotë se do të bëhen dhe ato që bëhen.
Përse po e vazhdoni garën?
Sepse për mendimin tim, një tokë e pluguar keq është më mirë se një tokë e papluguar. Basha duhet të jepte dorëheqjen, nisur nga përmasat e humbjes, ta privonte edhe veten nga një kandidim i ri. Po gabon si politikan i ri, por është zgjedhja e tij.
Në këtë periudhë të vështirë mendoj tua jap shansin demokratëve të zgjedhin vizionin e ri. Garën nuk e kam me zotin Basha por me vizionin bashkëkohor. Edhe garat e pabarabarta mund të fitohen. Forca e fushatës sime është në modelin që ofroj.
27 vjet janë shumë për të bërë një bilanc. Ka qenë shumë më shumë demokratike PD në fillimet e saj. Sot është më pak demokratike se në fillimet e saj. Edhe atëherë deputetët propozoheshin nga baza, i sillte dega dhe pastaj promovoheshin nga këshilli Kombëtar. Erdhi duke shkuar në zbehje. Totalitarizmi e mundi.
“Je si Maqo Lakrori”, Selami i përgjigjet Patozit e Topallit
Sfidanti i Bashës në krye të PD-së, Eduart Selami u është përgjigjur edhe sulmeve të Topallit dhe Patozit se ai ka hyrë në një garë false. Selami pranoi se Patozi i ka kërkuar tërheqjen në një drekë, por ai nuk ka pranuar.
“Përgjigja ime për ta është e njëjtë. Ndajmë të njëjtat shqetësime, por jo të njëjtën rrugë. Sigurisht që gara do të ishte më e mirë me Topallin dhe Patozin kandidatë. Por ata vendosën që të mos kandidonin”, tha Selami.
Ai nuk preferoi të ndalej gjatë me incidentin që i ndodhi në PD me shoferin e deputetes së PD. “Këto janë gjëra emocionale që ndodhin, por unë nuk u kushtoj rëndësi”, tha Selami.
Takimi me Berishën
Kandidati në garë për kreun e Partisë Demokratike, Eduard Selami ka treguar disa nga çështjet e biseduara me ish-kryetarin e kësaj force politike Sali Berisha, në takimet e zhvilluara gjatë ditëve të fundit.
“Janë takime pune. Unë e takoj vazhdimisht, kam respekt. Po, do të konsultohem me Berishën, por vendimet do të jenë pas diskutimeve të gjera. Unë i shpreha vizionin tim, i tregova platformën time, i thashë unë kandidoj, ne jemi miq, i jam mirënjohës për mbështetjen dhe bashkëpunimin në nivel personal, dhe do të vazhdoj takimet me Berishën përtej kësaj”, tha Selami.
I pyetur lidhur se cilin nga dy kandidaturat mbështet Sali Berisha për kreun e PD-së, Lulzim Bashën apo Eduard Selamin, ky i fundit tha se ish-kryeministri e ka garantuar se do të mbajë qëndrim neutral.
“Ai më tha se do të jetë neutral. Pavarësisht preferencës së tij, unë nuk kam për ta përdorur këtë si justifikim, pavarësisht sesi shkon gara. Unë mendoj se avantazhin e kam unë, pasi dua t’i jap demokratëve një vizion europian dhe një model bashkëkohor”, u shpreh Selami.










