• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, February 11, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews

Sejko: Po monitorojmë situatën në Greqi

by
01/07/2015 17:05
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori të mërkurën në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike, monetare  e financiare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.00%.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi në një konferencë për shtyp se, “ecuria e inflacionit nën objektiv dhe dobësia ciklike e ekonomisë kanë kërkuar ndjekjen e një politike monetare stimuluese gjatë viteve të fundit”.

“Banka e Shqipërisë ka rritur në mënyrë progresive stimulin monetar, duke synuar krijimin e kushteve të përshtatshme financiare për rritjen e kërkesës agregate dhe për kthimin e inflacionit në objektiv. Kjo politikë ka dhënë rezultate në kahun e pritur, por inflacioni vazhdon të mbetet nën objektiv dhe aktiviteti ekonomik është ende nën potencial. Ecuria e këtyre treguesve dikton ruajtjen e kahut dhe të intensitetit të stimulit monetary”, tha Sejko.

Sipas tij, “inflacioni është karakterizuar nga një tendencë rritëse gjatë pesë muajve të parë të vitit, por kjo tendencë shfaqet ende e brishtë dhe inflacioni mbetet nën objektiv”.

“Norma e inflacionit zbriti në nivelin 1.8% në muajin maj. Ky reduktim ishte në linjë me vlerësimet tona për ndikimin e përkohshëm të goditjeve të ofertës në çmimet e mallrave të konsumit. Reduktimi i çmimit të ushqimeve në muajin maj solli dhe reduktimin e inflacionit në këtë muaj. Paralelisht me të, efekt rënës në inflacion vazhdojnë të japin edhe çmimet e ulëta të naftës në tregjet botërore. Mallrat e tjerë të shportës së konsumit, vijuan të japin kontribute të ulëta dhe të qëndrueshme në rritjen e inflacionit në vend”, u shpreh Guvernatori Sejko.

Sipas tij, “ecuria e inflacionit vazhdon të reflektojë presionet e ulëta inflacioniste, të cilat burojnë si nga dobësia ciklike e ekonomisë, ashtu edhe nga nivelet e ulëta të inflacionit në tregjet botërore. Këta faktorë pritet të jenë të pranishëm edhe gjatë disa tremujorëve në vazhdim. Inflacioni parashikohet të luhatet brenda intervalit 1.8-2.2% gjatë vitit 2015, por ai pritet të ndjekë një trajektore rritëse drejt objektivit gjatë dy viteve të ardhshëm”.

Guvernatori shtoi se, “ekonomia parashikohet në rritje, por rikuperimi i normave të rritjes afër potencialit do të jetë gradual dhe aktiviteti ekonomik pritet të mbetet nën potencial gjatë vitit 2015”.

“Të dhënat e reja të sektorit real mbështetën vlerësimet tona të mëparshme për ngadalësimin e ekonomisë në gjysmën e parë të vitit. Nga këndvështrimi i prodhimit, aktiviteti ekonomik vuajti pasojat e përmbytjeve dhe të çmimit të ulur të naftës në tregjet botërore. Nga këndvështrimi i kërkesës, rritja ekonomike u mbështet nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë. Kërkesa e brendshme private vlerësohet e dobët, ndonëse ajo ka dhënë një ndikim të vogël pozitiv në rritjen ekonomike. Në veçanti, konsumi privat është goditur nga pagesa e borxhit të prapambetur të faturave të energjisë elektrike. Nga ana tjetër, politika dhe treguesit fiskalë kanë vazhduar të ndjekin rrugën e konsolidimit fiskal. Deficiti buxhetor rezultoi me ulje deri në muajin maj, ndërsa shpenzimet publike shënuan një rritje të lehtë vjetore”, tha Sejko.

Sipas tij, “politika monetare stimuluese është reflektuar në rënie të përgjithshme të normave të interesit, por reagimi i ekonomisë ndaj kushteve më të mira të financimit mbetet i ngadaltë”. “Stimuli monetar është transmetuar në tregjet financiare: kostot e financimit të sektorit privat dhe publik janë në nivelet e tyre më të ulëta historike. Tregjet financiare operojnë në nivele të kënaqshme likuiditeti, por sektori bankar shfaqet hezitues në financimin e projekteve afatgjata. Gjithashtu, familjet dhe biznesi shfaqin kërkesë të ulët për financimin e konsumit dhe investimeve me kredi bankare. Për rrjedhojë, rritja e aktivitetit kreditues në katër muajt e parë të vitit ka rezultuar më e ulët nga sa pritej. Banka e Shqipërisë pret një rritje të ngadaltë të aktivitetit kreditues gjatë vitit 2015, por një përshpejtim të tij në vitet e ardhshme. Bilancet e shëndosha të sistemit bankar, programi për trajtimin dhe reduktimin e kredive me probleme, si dhe rikuperimi i pritur i kërkesës për kredi, pritet të stimulojnë një rritje më të shpejtë të aktivitetit kreditues”, tha Sejko.

“Në mbyllje të analizës, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerëson se informacioni i ri nuk ndryshon pritjet tona për zhvillimet ekonomike dhe financiare në afat të mesëm”, theksoi Sejko. “Ngadalësimi ekonomik i tremujorit të parë pritet të jetë i përkohshëm. Për rrjedhojë, Këshilli Mbikëqyrës nuk ka ndryshuar parashikimin e tij për ecurinë e ekonomisë në afat të mesëm. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim gjatë gjysmës së dytë të vitit 2015 dhe në dy vitet e ardhshme. Kushtet monetare stimuluese do të nxisin rritjen e konsumit dhe të investimeve, duke krijuar premisa për përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe për kthimin e ekonomisë në ekuilibër. Shfrytëzimi më i mirë i kapaciteteve prodhuese do të mbështesë rritjen e pagave e të punësimit dhe kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv”, u shpreh Guvernatori.

Sipas tij, “në përputhje me këto parashikime, kahu dhe intensiteti aktual i stimulit monetar në ekonomi është i përshtatshëm për respektimin e objektivit tonë të inflacionit”. Gjithashtu, nëvizoi Sejko, “shpejtësia e kthimit të inflacionit në objektiv vlerësohet të jetë konsistente me ruajtjen e ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit. Duke u nisur nga informacioni i disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se kthimi i qëndrueshëm i inflacionit në objektiv do të kërkojë ruajtjen e normës bazë të interesit në nivele të ulëta edhe për disa tremujorë”.

Këshilli Mbikëqyrës është duke monitoruar me kujdes zhvillimin e situatës në Greqi.

Guvernatori Sejko shtoi se, “ecuria e negociatave për zgjidhjen e krizës së borxhit publik në Greqi, do të përcaktojë në një masë të madhe ambientin e huaj ekonomik dhe financiar me të cilin do të përballet ekonomia shqiptare”.

“Deri më tani, parashikimet dhe politikat tona makroekonomike supozojnë një përfundim të suksesshëm të këtyre negociatave. Për më tepër, ekonomia dhe sistemi financiar shqiptar kanë një ekspozim të ulët dhe një rezistencë të kënaqshme ndaj goditjeve të mundshme”, tha Sejko.

Megjithatë, shtoi Guvernatori i BSH, “Këshilli Mbikëqyrës po vlerëson me kujdes çdo skenar të krizës greke, i cili mund të kërkojë rishikimin e parashikimeve tona ekonomike. Në çdo rast, ne mbetemi të gatshëm të marrim të gjitha masat e nevojshme për të respektuar objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve”.

Next Post

Kreu i Agjencisë: Kthimi i pronave merr fund në tre vjet

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Paralajmërimi i analistit: Dënimi i krerëve të UÇK-së do të sjellë destabilizim

Paralajmërimi i analistit: Dënimi i krerëve të UÇK-së do të sjellë destabilizim

February 11, 2026
I akuzuar për trafik droge dhe grup kriminal, GJKKO dënon me 12 vite burg Astrit Balliun

I akuzuar për trafik droge dhe grup kriminal, GJKKO dënon me 12 vite burg Astrit Balliun

February 11, 2026
Të katërt u shuan në Itali, shqiptarët mbledhin për dy ditë mbi 75 mijë euro për funeralin e familjes Kola

Humbën jetën në mënyrë tragjike në Itali, trupat e katër pjesëtarëve të familjes Kola nisen drejt Shqipërisë

February 11, 2026
Zbulimi i fundit i shkencëtarëve: Si gripi mund të godasë zemrën dhe të shkaktojë infarkt

Zbulimi i fundit i shkencëtarëve: Si gripi mund të godasë zemrën dhe të shkaktojë infarkt

February 11, 2026
3 miliardë lekë për bujqësinë! Malaj, Salla dhe Sejko takim me bankat tregtare: Shtysë e re për garancinë sovrane dhe kreditimin e bujqësisë

3 miliardë lekë për bujqësinë! Malaj, Salla dhe Sejko takim me bankat tregtare: Shtysë e re për garancinë sovrane dhe kreditimin e bujqësisë

February 11, 2026
Tabaku: Koha për t’i kthyer pushtetin lokal qytetarit, jo partisë! Reforma Territoriale kërkon model të ri dhe autonomi reale financiare

Tabaku: Koha për t’i kthyer pushtetin lokal qytetarit, jo partisë! Reforma Territoriale kërkon model të ri dhe autonomi reale financiare

February 11, 2026
Aksident i trefishtë në zonën e Ishull-Lezhë, disa të plagosur

Aksident i trefishtë në zonën e Ishull-Lezhë, disa të plagosur

February 11, 2026
Ministri Vengu: 2026 pret stërvitjen e parë trilaberale mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë

Ministri Vengu: 2026 pret stërvitjen e parë trilaberale mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë

February 11, 2026
Mblidhet ‘Territorialja’, opozita rikthehet në tryezë pas protestës: Na duhet një produkt konsensual

Mblidhet ‘Territorialja’, opozita rikthehet në tryezë pas protestës: Na duhet një produkt konsensual

February 11, 2026
Gjashtë planete bëhen bashkë, çfarë pritet të ndodhë më 28 shkurt

Gjashtë planete bëhen bashkë, çfarë pritet të ndodhë më 28 shkurt

February 11, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In