Sipas tij, kryeministri Edi Rama i siguron Berishës përfitime si para, leje dhe koncesione, ndërsa shtoi se kreu i opozitës është i ekspozuar ndaj presioneve për shkak të dosjeve që mund të ketë ndaj tij.
“Realisht ne jemi në regjimin Rama-Berisha. Berisha mban në pushtet Edi Ramën, Rama i jep atë për të cilin Sali Berisha shet edhe shpirtin: paratë, lejet, koncesionet edhe mbrojtje të caktuara. Se thoshte sot, për shembull, që Lul Bravën e mbante Edi Rama peng me disa dosje. Po ky ka 100 dosje, po të jetë për atë punë, i ka dosjet kapicë. Sot Sali Berisha është i kapur nga Edi Rama”, tha Salianji.
Lidhur me garën për drejtimin e PD-së, Salianji e cilësoi procesin si jo politik, por administrativ, duke pretenduar se Berisha ka kontrolluar të gjithë mekanizmin e përzgjedhjes së kandidatëve. Sipas tij, janë përjashtuar emra të tjerë nga gara, janë caktuar listat dhe janë përdorur burimet financiare të partisë për aktivitete, duke e kthyer procesin në një formalitet ku kryetari aktual garon i vetëm.
“Unë do të kandidoj dhe e mund Sali Berishën. Dhe po e them prap. Me garë unë e mund. Këtu nuk jemi në një proces politik, jemi në një proces administrativ, ku Sali Berisha ka krijuar komisionin për të përzgjedhur kandidatët, ka përjashtuar kandidatët e tjerë, ka caktuar listat zgjedhore, ka përdorur burimet financiare të Partisë Demokratike për të bërë aktivitete dhe është vendosur, ashtu sikurse Kim Young Un, të jetë kandidat i vetëm. Rast unik në Europë ku një kryetar partie, sidomos në opozitë, kandidon i vetëm.”, deklaroi Salianji.
Ai shkoi më tej duke thënë se ky është: “Rast i parë në botë dhe do t’i ftoj ata të Guinness-it ta regjistrojnë, që një kryetar opozite krijon autokraci partiake dhe qëndron prej 36 vitesh në krye të një partie kur humbet.”