Kur gazetari i mirënjohur dhe miku im i vjetër, Xhevdet Shehu, më tha se materialin e intervistave të Izet Haxhisë, të botuara në gazetën ‘DITA’ dhe që tërhoqën si rrallëherë vëmendjen e opinionit publik shqiptar gjatë dy viteve të fundit, do t’i përfshinte në një libër dhe më kërkoi të bëja parathënien e tij, të them të drejtën, nuk e mora seriozisht.
Duke ditur marrëdheniet e dikurshme të Izetit me mua, mendova se Xhevdeti donte të më bente një sfidë, ndaj pa e menduar gjatë iu përgjigja se do ta bëja parathënien, pa qenë i bindur nëse do ta kryeja apo jo.
Më pas, duke gjykuar ftohtë dhe gjatë, vendosa.
***
Izetin e njoh qysh në vitet e rinisë së tij studentore. Kurbat e ecurisë së jetës e bënin atëherë Izetin një person interesant. Ai përfaqësonte një grup të rinjsh protagonistë, aktivë e njëkohësisht dëshmitarë të një periudhe të ndryshimeve të medha.
Për mua, Izeti ishte një djal i zgjuar që në rininë e e tij nuk diti të përdorte dobishëm aftësitë që ishin të plota për një jetë të sukseshme. Ai ishte edhe i dhunshëm, ku së pari i referohej muskujve e jo mendjes; e njëkohësisht ishte edhe njerëzor, i besës tradicionale, edhe trim i çartur, edhe naiv në tradicionalitetin, në besnikërinë e tij ndaj “të parit të fisit”, në rastin konkret ndaj atij që, siç thotë, e kishte idhull, të përfaqësuar nga njeriu i krahinës së tij e të cilin vendosi ta mbështeste me çdo çmim. Tashmë, me të drejtë ai ndihet i fyer, i zemëruar dhe i revoltuar për përdorimin që i ka bërë ky njeri. Duke medituar atje në syrgjynin e detyruar nga ish-idhulli i tij larg familjes dhe miqve, pas kaq vitesh, i ftohtë në logjikën e tij ai është vetë kritik, artikulon përgjegjësinë e tij veçanërisht duke u përqendruar në gabimet e bëra me pasoja jo vetëm për jetën dhe familjen e tij, por edhe për popullin dhe për gjithë vendin. Njeriu në një gjendje shpirtërore sikurse është Izet Haxhia aktualisht, flet vetëm me ndërgjegjen e tij. Kjo e bën atë të vërtetë e të besushëm në rrëfimin e tij, në faktet dhe argumentet që paraqet.
Shumëkush mundë të pyesë: Pse e bëri këtë Izeti? Ç’e shtyu në këtë rrëfim? E vërteta duket fare e thjeshtë. Erdhi nje moment që spekulluesit, mashtruesit kalemxhinj e mercenarë, që janë rracë jo e pakët te ne, u larguan aq shumë prej të vërtetave sa që Izeti nuk duroi më. Dhe shpërtheu. Unë do të shtoja se është edhe aftësia e gazetarit për të nxjerrë këto fakte, deri edhe brerjen e ndergjegjes të rrëfimtarit.
Në këtë libër na shpaloset portreti mjaft interesant dhe simpatik i Izet Haxhisë. Djalë i një familjeje patriotike, ku thuajse të gjithë ishin të shkolluar dhe me emër të mirë në krahinën e tij, me energjinë e të riut, me vrull ndonjëherë të pa kontrolluar mirë, por i pastër e i ndershëm në marrëdhëniet me atë që e beson, ai në procesin e jetës përdoret, zhgënjehet. Por ja, vjen momenti e përfundimisht ai në faqet e këtyij libri gjykon si një burrë i pjekur dhe me mençuri për veten, për vendin, për të djeshmen, të sotmen e të ardhmen.
***
Rrëfimi i sinqertë i Izetit intrigon cilindo që kërkon të njohë ato situata që u bënë përcaktuese dhe ndikuese të rëndësishme edhe në zhvillimet e mëvonshme në vend.
Por unë kam edhe një arsye të fortë për të shkruar këtë parathënie të librit të Izetit. Kisha një detyrim personal ndaj familjes Haxhia. Dihet fakti që vëllezerit Haxhia u paguan për të më vrarë mua nisur nga e kaluara, që unë dikur kisha përjashtuar nga fakulteti Izetin. Ata nuk u bënë vrasës dhe e refuzuan kategorikisht Azem Hajdarin në këtë nismë ogurzezë.
Ky mendoj se është një nga faktet kokëfortë dhe tepër bindës që Izetin dhe njerëzit e tij nuk i etiketon dot si vrasës askush.
Në këto intervista unë lexoj jetën e një djaloshi, pjesë e një grupi djemsh e vajzash të ndershëm e idealistë që në dhjetorin e vitit 1990 u ngritën me guxim kundër diktaturës. Mirëpo, sikurse del fare qartë në këtë rrëfim të Izetit, krahas tyre, brenda kësaj bashkësie njerëzish idealistë, kishte edhe individë e grupe të nisur nga motive të ndryshme, të këshilluar, të komanduar, intrigantë, interesaxhinj, spiunë, batakçinj, që u futën në levizje për qëllime të ndryshme dhe që në fund të fundit e dëmtuan në mënyrë ta pandreqshme atë lëvizje. Këto kontigjente janë të zakonshme në kohë turbullirash e revolucionesh. Kam parasysh këtu Revolucionin francez të vitit 1789, revolucionin e 1917-s në Rusi, por edhe Luftën tonë Antifashiste nacionalçlirimtare.
Një situatë e ngjashme u përjetua në vendin tonë në vitet ’90. Në këto situata dramatike është vërtetuar se janë të pasura me dëshmitarë e pseudo dëshmitarë, me analistë e opinionistë sharlatanë e servilë të paguar që për karrierë, bastardët i shndërrojnë në patriotë, ndërsa spiunët na dalin heronj.
Të vërtetat e dëshmuara nga Izeti në këtë libër kanë vlerë të veçantë edhe në këtë aspekt, pra për të pastruar historinë e këtyre periudhave nga mashtruesit dhe shtrembëruesit e tyre.
Është tashmë i pakontestueshëm fakti se zhvillimet komplekse e kontradiktore në nivelet drejtuese e organizuese të politikës pas përmbysjes së diktaturës, jo rrallë u karakterizuan më shumë me intriga se sa me politikë, më shumë me hile se sa me ndershmëri, më shumë me kurthe e pabesi deri në krime.
Izeti i asimiloi këto realitete dhe e kuptoi me vonesë thelbin e zhvillimeve që po ndodhnin. Ai nuk arriti të njihte në kohë njerëzit të cilëve u shërbente si dhe veprës së yre të mbrapshtë, jo në shërbim të demokracisë dhe të mirës së vendit. Tashmë ai është i bindur se ata njerëz të cilëve u shërbeu kanë vepruar antikombëtarisht. Por, në vrullin e ndryshimeve që po ndodhnin dhe të pranisë së tij aktive në to, madje shpesh edhe si protagonist i tyre, i dominuar nga mentaliteti malësorit naiv, harroi se në krahinën e tij përveç malësorëve që mishërojnë njeriun e besës, trimërisë dhe karakterit, njihen edhe cubat që janë e kundërta e të parëve.
Ky libër që permbledh intervistat e Izet Haxhise ka një vlerë jo vetëm politiko-historike, por edhe juridike, të cilës do t’i jepja vlerë të veçantë. Po të flisja si profesor i Izetit, do t’i jepja notën maksimale. Sepse këto intervista tregojnë thelbin e çudisë (sekretin) e tranzicionit shqiptar, pjesën e pistë dhe kriminale të tij.
Gjithë rrëfimi i Izetit ngjan si një përsëritje e momenteve fatkeqe të historisë tonë, të daljes në krye të tradhtarëve, spiunëve, antishqiptarëve që kanë sabotuar apo dështuar përparimin e Shqipërisë. Një nga momentet padyshim më prekëse që dëshmohet në këtë libër, është ai i lindjes së Partisë Demokratike.
“Fëmija paska lindur i vdekur”, do të thoshte Kasëm Trebeshina.
Daut Gumeni, ish i burgosur politik, e pikasi ndër të parët këtë të vërtetë. Ai përcaktoi diagnozën e falsitetit të të ashtuquajturës opozitë demokratike dhe të ndryshimeve politike qysh në fjalët e para të Berishës, duke u bërë një nga kundështarët e rreptë të regjimit të ri politik, apo të farsës demokratike që nisi të luhej.
***
Shpesh thuhet se politikani më përcaktues në këto 25 vjet është Sali Berisha, madje vetë Berisha arriti në delir të thotë “Epoka Berisha”.
Por nga se karakterizohet kjo “epokë”?
Së pari nga dështimi i elementit bazë, themeltar të demokracisë, votës së lirë, zgjedhjeve përherë të pa rregullta e të karakterizuara nga parregullsëitë dhe manipulimi etj. Zgjedhjet e shantazhuara, jo të lira dhe korrekte, në historinë e pluralizmit në Shqipëri, kanë patur moment inaugurues vetëzgjedhjen e Berishës Kryetar të PD-së. “Unë dhe Azemi shkuam me pistoleta në mbledhje. Nqs nuk do të zgjidhej Berisha, do të shkatërronim PD-në me armë, do të futeshim në PD, do të vrisnim kundërshtarët”, shkruan Izet Haxhia për zgjedhjet e 19 Janarit 1991.
Kjo ka ndodhur pasi ishin anuluar zgjedhjet paraprake, të cilat u fituan nga Aleksandër Meksi. Në klimën e krijuar nga kërcënimet dhe manipulimet, të cilat, sikurse tregohet fare qartë në këtë dëshmi të Izet Haxhisë, karakterizojnë PD-në e këtyre më shumë se 20 viteve, e cila gradualisht u largua nga kontigjenti më idealist dhe i ndershëm i lëvizjes së Dhjetorit dhe themeluesve të PD.
“Pas ca ditësh askush nuk guxonte të fliste kundër Berishës” shkruan më poshtë Izeti. Kështu u shua demokracia në PD qysh në lindjen e saj.
Kjo është pikënisja e zgjedhjeve të parregullta në Shqipëri. Ky njeri që u zgjodh për vete në partinë e tij me shantazh e kobure, si mund të bënte më pas zgjedhje të rregullta kur flitej për pushtet, para dhe pasuri?
Çdo proces zgjedhjesh që nuk do të fitohej nga Berisha nuk do të pranohej asnjëherë prej tij.
Dhe kjo filloi qysh në zgjedhjet e para pluraliste që u mbajteën më 31 mars 1991, të cilat pa asnjë dyshim ishin më të rregulltat se zgjedhjet e mëpasshme, dhe që berisha nuk i njohu dhe shkaktoi tragjedinë e 2 Prillit.
Izeti shkruan me sinqeritet për një nga ngjarjet më tragjike të fillimeve të tranzicionit shqiptar dhe askush i bë pikat mbi “i”. Azemi shkoi në Shkodër më 1 Prill dhe mori me vehte një grup që i la atje.
Nuk është e vështirë të kuptosh kush e bëri masakrën e 2 Prillit dhe sa të drejtë ka oficeri trim dhe i ndershëm Gjek Çelaj, i cili dëshmon si askush me vërtetësi për 2 Prillin e’91-shit. Vetë Azemi ka kërcënuar në një moment që nuk kontrollonte veten (ishte i dehur) “ do t’jua bëj si në Shkodër” u tha të vetëve në PD, dëshmon Izeti.
Izeti jep një detaj të “vogël” mjaft domethënës kur u pyetën dy gazetarë amerikanë, pasi u mor rezultati i votimit të 31 marsit, ku njeri, Dejvid Bajnderi, po pyeste i dehur se ç’farë të bëjmë. Të nesërmen erdhi Elez Biberaj e tha “mos njihni zgjedhjet”, për të imponuar zgjedhje të parakohshme!
Me gjakosjen e 2 Prillit sikur u plotësua edhe një pikë e doktrinës Truman dhe të Alen Dallesit, të luftës me intesitet të ulët, për përmbysjen e pushteteve komuniste. Pas lojës me intelektualët, grevat e sindikatave, sabotimet etj., dhe kur populli nuk vepronte, hyri në zbatim një skenar tjetër i zi: atëhere mund të bëhen edhe vrasje.
Kjo ngjarje ku njerëzit e Berishes vranë demonstrues dhe akuzuan policinë, i shërbeu atij edhe si precedent për grushtin e shtetit në vitin 1998, duke akuzuar Nanon për vrasjen e Azemit, në mënyrë që të justifikonte marrjen e pushtetit me dhunë. Veçse, ka një ndryshim thelbësor: nëse më 1991 amerikanët miratonin, këshillonin ose mbyllnin sytë para veprimeve kriminale të Berishës, në 1998 ata e nxorrën “për leckash” nga zyrat e shtetit që kishte dhunuar e pushtuar. Për të ilustruar këtë në mënyrë logjike, jepen fakte interesante nga Izeti në intervistat e tij që përfshihen në këtë libër.
***
Historia e demokracisë shqiptare është nga më të çuditshmet jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por edhe në Europë dhe në planet. Dhe kjo ka ndodhur për disa fakte të pakontestueshme që tashmë i njohim të gjithë.
Dhuna dhe manipulimi i votimeve vazhdoi me referendumin për Kushtetutën në 1994, masakrën e zgjdhjeve të përgjithshme të 26 majit 1996, dhe me bandat që kryen krimet më 1997… E, pikërisht kur nuk kishte asnjë rrugëdalje, pra në zgjedhjet e 29 qershorit 1997, në kohën kur Berishes iu mbyllën shtigjet e manipulimit të zgjedhjeve dhe dhunimit të zgjedhësve, ai përdori të vetëquajturin “mbret” për të sulmuar KQZ-në për ndryshuar rezultatin ose për t’i bërë zgjedhjet të pa vlefshme. Ky është padyshim një nga momentet më groteske që përshkruhet në rrëfimin e Izet Haxhisë. Leka Zogu u përdor paturpësisht nga Sali Berisha në atë kohë. Por kjo vërteton më së miri faktin se nuk ka patur zgjedhje në të cilat të mos ketë ndërhyrë, manipuluar dhe dhunuar banda e Berishës.
Unë kam qenë dhe mbetem një socialist i palëkundur në bindjet e mija dhe mund të them se sa kishte ndikuar kjo psikozë në PS. Unë mund të dëshmoj se aq shumë ishte rrënjosur kjo psikozë në PS, edhe kur ajo ishte në pushtet dhe organizonte zgjedhjet, sa që t trembeshin se ç’farë do bënte Berisha për t’i deformuar ato.
Duke përshkruar disa nga protagonistët kryesorë të lëvizjes studentore të dhjetorit ‘90 dhe të themelimit të partisë së parë opozitare në Shqipëri pas përmbysjes së regjimit komunist, momente në të cilat spikat dukshem niveli i formimit ose karakteri i atyre që do të bëheshin protagonistë të të ashtuquajturave ndryshime demokratike në vend, Izeti na tregon një sërë detajesh të panjohura. Nuk është e vështirë që prej ketyre hollësive të kapura me zgjuarësi prej tij të kuptosh se cila ishte klasa politike që do të merrte në dorë zhvillimet politiko-shoqërore në Shqipëri.
E pra, nga këto zhvillime të vrullshme dhe dramatike që ndodhën në atë kohë në Shqipëri, lindi një klasë politike e paaftë, e korruptuar, e privuar nga çdo princip moral dhe politik, përgjegjëse e shkatërruese për gjithçka që ndërtoi me sakrificë një popull i varfër për shumë e shumë vite me radhë. Të korruptuar, komprometuar apo kërcënuar, disa nga e kaluara e tyre, nga babëzia për t’u pasuruar, me ndërgjegje, apo të diktuar, në fundin e shekullit XX, ata e kthyen Shqipërinë në një koloni. Ata bënë Shqipërinë një tezgë për të shitur mallrat e të tjerëve, madje dhe të atyre që punojnë kundër interesave kombëtare.
Mjafton të kujtojmë situatat destabilizuese që krijoi Berisha gjatë kësaj kohe. Gjatë asaj periudhe dy herë Shqipëria humbi sovranitetin, pas