Ministri teknik i Partisë Demokratike në krye të Ministrisë së Drejtësisë, Gazment Bardhi, ka votuar kundër propozimit të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, e dënuar me katër vite burg për korrupsion, dënim ky i konvertuar në tre vite shërbim prove.
Në mbledhjen e datës 17 korrik të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pikërisht disa ditë pas dënimit të gjyqtares, ministri i Drejtësisë Gazment Bardhi, i cili është edhe anëtar i KLD, është pozicionuar kundër shkarkimit të gjyqtares, me pretendimin se një vendim i tillë nuk është në kompetencë të KLD. Sipas procesverbalit të votimit, i zbardhur nga Shqiptarja.com, përpos Gazment Bardhit, kundër propozimit për shkarkimin e Majlinda Andreas kanë votuar edhe anëtarët:
Gjin Gjoni, Artan Broci, Ridvan Hado, Gerd Hoxha, Brunilda Kadi dhe Eneida Civici. Ndërkaq, pro shkarkimit të gjyqtares së dënuar për korrupsion, kanë votuar ish-kryetari i KLD, Bujar Nishani dhe anëtari i KLD Neritan Cena. Të dy palët, të pozicionuar në pole të kundërta, kanë paraqitur argumente dhe kundërargumente për të mbrojtur pozicionin e tyre.
Por, me shumicë votash, KLD ka refuzuar shkarkimin e gjyqtares së dënuar, duke shënuar një tjetër akt të paprecedentë në drejtësinë shqiptare. KLD, i konsideruar si pjesë më e kompromentuar dhe e kalbur e drejtësisë së vjetër, ka vendosur edhe një herë të mbrojë korrupsionin në drejtësi, duke e lënë fatin e gjyqtares së dënuar në duart e Këshillit të Lartë Gjyqësor, organit të ri që do të zëvendësojë KLD. Sipas arsyetimit të shumicë së KLD, deri në ngritjen e KLGJ, gjyqtarët mund të bëjnë ç’të duan.
Qëndrimi i Gazmend Bardhit për shkarkimin e Majlinda Andrea
Gjatë diskutimeve për çështjen e Majlinda Andreas, ministri teknik i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi është shprehur se shkarkimi i gjyqtares së dënuar Majlinda Andrea nuk është kompetencë e KLD, por KLGJ,. “Kjo është një kompetencë e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
KLD-ja nuk merr kompetencat e shtuara, në vlerësimin tim, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, por ushtron Këshilli ato kompetenca që ka pasur Këshilli i Lartë i Drejtësisë para ndryshimeve kushtetuese”, është shprehur Bardhi, duket argumentuar votën kundër shkarkimit. Në një linjë me ministrin ishte edhe Gjin Gjoni.
“Ka një moment tjetër i cili duhet të diskutohet i cili po t’i referohesh dispozitave kalimtare flitet vetëm për masat disiplinore, në rast se ne do të marrim atributet e Këshillit të Lartë Gjyqësor i bie që duhet të futemi dhe në kompetenca të tjera kjo është pikëpyetja e cila shtrohet para meje. Unë them që deri në momentin aktual ky Këshill i Lartë i Drejtësisë nuk ka kompetencë shkarkimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë kjo është pikëpamja ime dhe unë i qëndroj kësaj pikëpamje”, pretendon gjyqtari Gjoni.
Zaganjori dhe Cena mendim të kundër
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe anëtari i KLD Neritan Cena ishin të mendimit se KLD mund ta shkarkonte gjyqtaren, me argumentin se, sipas legjislacionit të ri dhe dispozitave kalimtare, KLD ushtron kompetencat e KLGJ, deri në ngritjen e këtij të fundit. “Siç dihet kuadri i ri ligjor e vendos Gjykatën e Lartë si të thuash nën autoritetin e Këshillit të Lartë Gjyqësor por deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, kompetencat e tij normalisht i ushtron Këshilli i lartë i Drejtësisë në mënyrë që të vazhdojë proceduara e shkarkimit të saj”, është shprehur Zaganjori.
Pro shkarkimit
Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori dhe anëtari i KLD Neritan Cena ishin të mendimit se KLD mund ta shkarkonte gjyqtaren,. Pro shkarkimit të gjyqtares ka votuar edhe Bujar Nishani.
Gazment Bardhi: Kundër shkarkimit
Gjin Gjoni: Kundër shkarkimit
Artan Broci: Abstenim më pas kundër shkarkimit
Ridvan Hado: Kundër shkarkimit
Gerd Hoxha: Kundër shkarkimit
Brunilda Kadi: Kundër shkarkimit
Eneida Civici: Kundër shkarkimit
Bujar Nishani: Pro shkarkimit
Neritan Cena: Pro shkarkimit
Diskutimet në KLD për shkarkimin nga detyra të gjyqtares Majlinda Andrea
Xhezair Zaganjori: Faleminderit Z. President, në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues unë kam bërë kërkesë domethënë kam paraqitur para Këshillit të Lartë të Drejtësisë kërkesën për marrjen e masës për shkarkim nga detyra për shkak të një vendimi penal të formës së prerë të gjyqtares Majlinda Andrea.
Siç dihet kuadri i ri ligjor e vendos Gjykatën e Lartë si të thuash nën autoritetin e Këshillit të Lartë Gjyqësor por deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, kompetencat e tij normalisht i ushtron Këshilli i lartë i Drejtësisë në mënyrë që të vazhdojë proceduara e shkarkimit të saj, mendoj që duhet të bëjmë në mbledhjen e sotme të radhës shkarkimin e saj pastaj i mbetet kolegjeve të bashkuara që të mblidhen dhe mbi këtë bazë të deklarojnë mbarimin e mandatit.
Gjin Gjoni: Të them të drejtën unë jam njohur me kërkesën e paraqitur nga Kryetari i Gjykatës së Lartë jam në një pikëpyetje në lidhje me vendimmarrjen e saj duke qenë se po t’i referohesh dispozitave kalimtare ka të përcaktuar në mënyrë taksative mënyrën e vazhdimit të çështjeve për të cilat pritet të diskutohet nga ky Këshill i Lartë i Drejtësisë deri ne fillimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ka një moment tjetër i cili duhet të diskutohet i cili po ti referohesh dispozitave kalimtare flitet vetëm për masat disiplinore, në rast se ne do të marrim atributet e Këshillit të Lartë Gjyqësor i bie që duhet të futemi dhe në kompetenca të tjera kjo është pikëpyetja e cila shtrohet para meje.
Neritan Cena: Atëherë në pamje të parë duket sikur kolegu Gjoni ka të drejtë, them në pamje të parë, sepse po ti referohemi dispozitave kalimtare, neni 173 të Ligjit “Për Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ka përcaktuar dhe se cilat dispozita të ligjit për organizmin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbeten në fuqi. Dhe po ti referohemi konkretisht ligjit nr. 8811 “Për organizmin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij ligji me përjashtim të neneve si më poshtë dhe ka cituar neni 2, shkronja “b” “c” “ç” “d” “dh”. Po ti referohemi ligjit që ka cituar nenin 173 përcaktonte neni 2 thotë vendos që, që ka ngelur pra b-ja që ka ngelur, vendos për shkarkimin e gjyqtarëve të Shkallës së parë dhe të gjyqtarëve të apelit.
Gazment Bardhi: Unë e kam shqyrtuar kërkesën e kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe nuk kam propozim për marrjen e masës disiplinore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe do ta arsyetoj pse kam ndjekur këtë rrugë por thjesht ja kam kaluar për kompetencë Këshillit të Lartë të Drejtësisë duke qenë se kërkesa na drejtohej Ministrisë dhe Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sigurisht, që rasti është për shkarkim nga detyra është një nga rrethanat kur gjyqtarët shkarkohen nga detyra por unë kam vlerësuar që Ministri i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk kanë për këtë periudhë tranzitore kompetencë për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Pasi kjo është një kompetencë e Këshillit të Lartë Gjyqësor. KLD-ja nuk merr kompetencat e shtuara, në vlerësimin tim, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, por ushtron Këshilli ato kompetenca që ka pasur Këshilli i Lartë i Drejtësisë para ndryshimeve kushtetuese.
Neritan Cena: Atëherë proceduralisht nëse Z. Ministër nuk e konsideron kërkesë për shkarkim ajo nuk mund të jetë pjesë shqyrtimi sa kohë që mund të vendosë masa disiplinore me propozim të Ministrit të Drejtësisë.
Gazment Bardhi: Ajo që unë thashë është që ministri i Drejtësisë nuk ka në kompetencë të propozojë shkarkimin, kështu e gjykoj unë. Nuk e kemi pasur Ministria e Drejtësisë dhe ministri i Drejtësie nuk e ka pasur përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese këtë kompetencë dhe nuk mund ta ketë sot.
Gjin Gjoni: Por, që duhet gjetur mekanizmi ligjor dhe a është Këshilli i Lartë i Drejtësisë për të gjetur këtë mekanizëm ligjor, në pikëpamjen time për sa kohë që kemi dispozita tranzitore dhe kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese i cili ka interpretuar mënyrën e funksionimit të këtij këshilli, unë them që deri në momentin aktual ky Këshill i Lartë i Drejtësisë nuk ka kompetencë shkarkimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë kjo është pikëpamja ime dhe unë i qëndroj kësaj pikëpamje.
Eneida Civici: Në fakt unë nuk isha njohur me këtë shkresë nuk e di pse, të Ministrit të Drejtësisë ndoshta nuk e kam hapur e-mailin për ta parë për shkak të mungesës time. Ashtu si Neritani mendoj që ne nuk kemi vend për ta shqyrtuar kërkesën sepse duke mos pasur kërkesë bazuar në nenin 160, nga ministri i Drejtësisë për të shqyrtuar shkarkimin e gjyqtares Majlinda Andrea nuk kemi se çfarë vendimi të marrim, domethënë në themel ne nuk kemi një kërkesë. Kërkesa vërtetë është përcjellë nga kryetari Gjykatës së Lartë por nuk është ai organi kompetent me krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor që përcjell një kërkesë të tillë. Në këto kushte unë mendoj që duhet mos ta kalojmë as në votim, pasi mospasja e kërkesës na vendos në pamundësi për të shqyrtuar diçka që nuk e kemi.
Brunilda Kadi: Kur të krijohet Këshilli Lartë Gjyqësor që shpresoj se do bëhet para pesë vjetësh sesa zonja të plotësojë dënimin plotësues, ta sqarojë këtë situatë që është bërë kaotike sepse ne kemi probleme të tjera më të rëndësishme për të diskutuar për shkak të kaosit që është krijuar nga ligjet, nga gjykata Kushtetuese, nga periudha tranzitore. Kështu që mendoj që ta kalojmë këtë pikë.
Gerd Hoxha: Duke iu referuar këtyre dispozitave, unë mendoj që Këshilli Lartë i Drejtësisë ka kompetencë për t’u shprehur por me një kusht, duhet të kemi kërkesë nga ministri. Ai është subjekti që na vë në lëvizje. Në qoftë se ne jemi gjykatë dhe duhet të vendosim për diçka duhet të kemi kërkesën për gjykim, që është kërkesa e prokurorit. Derisa ne nuk e kemi këtë kërkesë procedurialisht unë mendoj se ne nuk mund të diskutojmë sot. Por gjithashtu dua të theksoj edhe atë çka tha, ne jemi të gjithë të shqetësuar për atë që padrejtësisht flitet për ne, ajo gjyqtare nga sot nuk është më gjyqtare, kështu që nuk e cenon imazhin.
Gazment Bardhi: Në gjithë diskutimin që bëra unë e përsëris se po theksohet shumë që duhet të ketë propozim nga ministri, duhet të ketë propozim nga ministri. Unë e sqarova pse nuk e kam bërë propozimin dhe ka një praktikë tashmë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në shkarkimin e dy gjyqtarëve të Beratit, Zotin. Shyqyri Çobo dhe të Ibrahim Hoxhës të gjykatës të rrethit gjyqësor Tiranë ku Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka marrë vendim për shkarkimin e tyre bazuar në një vendim gjyqësor sipas pikës një, shkronja “b”, të nenit 64 pa propozim të ministrit të Drejtësisë, pra nuk ka pasur propozim të ministrit të Drejtësisë në shkarkimin në të dyja këto raste.
Gjin Gjoni: Në rast se vendimmarrja e KLD-së është që ta kalojmë por këtu nuk i sjell asnjë lloj pasoje publikut dhe kjo nuk është më gjyqtare që për publikun duhet sqaruar që nuk është problemi në vullnetin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të marrë një vendim. Për mua është në vullnetin e këtij Këshilli të Lartë të Drejtësisë por ky mekanizëm ligjor duhet të ishte i qartë dhe i respektueshëm nga të gjithë që nesër pasnesër në rast se kjo gjyqtarja ose Majlinda Andrea do bënte një ankesë kundër vendimmarrjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë mos ta ktheni në boomerang dhe të na thoni që ju ishit jashtë kompetencave të këtij këshilli dhe zgjatet procedura edhe për një periudhë kohore ndoshta edhe për një vit e gjysmë dy vjet tjera. Kjo është e gjithë situata, nuk është se kjo po vazhdon punën dhe kjo është gjyqtare e gjykatës sepse vendimi numër 25, datë 14.06.2017 është vendim i formës së prerë, ka hyrë në fuqi ditën që është shpall nuk mund të ushtrojë, ajo nuk mund të futet në gjykatë jo më të ushtrojë funksionin e gjyqtares./shqiptarja.com
a.ç