Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka dhënë sot (7 tetor) detaje mbi ecurinë e disa prej projekteve të rëndësishme infrastrukturore, mes tyre bypass-i i Elbasanit dhe hekurudha Tiranë-Durrës.
Duke folur për bypass-in e Elbasanit, Karakaçi bëri me dije se kontratat për dy fazat e para të projektit janë tashmë të lidhura dhe punimet kanë avancuar në pjesën ku përfundon autostrada Elbasan-Librazhd.
Ministri u shpreh optimist për vijimin e projektit, duke theksuar se fazat e tjera do të vijojnë të financohen edhe përmes buxhetit të vitit 2027.
“Ne kemi lidhur kontratën për dy fazat e para, atje ku përfundon autostrada Elbasan-Librazhd. Kontratat janë lidhur dhe punimet kanë avancuar. Presim që të vijojmë me lajme të mira. Edhe në buxhetin e vitit 2027 do të vazhdojmë me fazat pasuese për bypass-in e Elbasanit”, deklaroi Karakaçi.
Sa i përket projektit të hekurudhës Tiranë-Durrës, me lidhje me aeroportin, ministri njoftoi se kontratat për projektin janë përfunduar dhe tashmë pritet të nisë faza e elektrifikimit të linjës.
Sipas tij, pas përfundimit të kësaj faze do të vijojë finalizimi i të gjithë projektit.
“Sa i takon hekurudhës Tiranë-Durrës, me stacion kryesor aeroportin, të gjitha kontratat janë lidhur. Tani do të vazhdojmë me fazën e elektrifikimit të linjës. Më pas do të kemi edhe finalizimin e këtij procesi”, tha ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë.











