• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, June 30, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

Rruga ballkanike, shpresë dhe tragjedi për emigrantët kinezë

by A R
28/11/2025 10:04
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Përpjekja për kalim të paligjshëm nëpër rrugët e Maqedonisë së Veriut, javën e kaluar, përfundoi tragjikisht për dy migrantë nga Kina.

Një grua kineze, 41 vjeçe, vdiq në vendngjarje kur një kamion me targa serbe doli nga rruga Valandovë–Doiran dhe u përmbys në orën katër të mëngjesit të 20 nëntorit.

Bashkudhëtari i saj në “rrugën e vdekjes” ishte 41-vjeçari me inicialet L.SH., i cili vdiq një ditë më vonë pasi u shtrua në Klinikën e Nefrologjisë me lëndime të rënda.

Edhe shtatë migrantë të tjerë – të cilët sipas policisë kishin hyrë në kamion pa dijeninë e shoferit të kamionit – u lënduan. Ata u shpëtuan dhe u nxorën nga kamioni i përmbysur nga ekipe zjarrfikësish të Gjevgjelisë dhe Strumicës.

Migrantët u dërguan në qendrën e pritjes Vinojug në Gjevgjeli, prej nga u dërguan në spitale sipas nevojës.

Nga Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM), thonë se organet kompetente janë duke e hetuar këtë rast.

“Aleancat e kontrabandistëve përgjatë rrugës lindore-mesdhetare e shfrytëzojnë cenueshmërinë e migrantëve, duke i ekspozuar ata ndaj udhëtimeve të rrezikshme dhe abuzimeve. Këto rrjete më së shpeshti bien në kontakt me migrantët përmes mjeteve digjitale, platformave online dhe ndërmjetësve”, deklaroi Aleksandar Sazdovski nga IOM-ja.

Ky nuk është rasti i vetëm.

Më herët, policia i gjeti tre migrantë kinezë në një veturë të tipit BMW me targa të Luksemburgut, e cila po drejtohej nga një 22-vjeçar nga Negotina.

Kontrollet shtesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) zbuluan se targat në fakt i përkisnin një automjeti tjetër, gjë që tregon për një operacion të kontrabandës me dokumente dhe mjete transporti të falsifikuara.

Kontrabandisti përfundoi në paraburgim, ndërsa migrantët në qendrën e pritjes në Gjevgjeli.

Në qendrën e pritjes Vinojug, e cila ndodhet pranë pikës kufitare në kufirin jugor me Greqinë, kur ekipi i Radios Evropa e Lirë e vizitoi dy ditë më parë, migrantët kinezë tashmë nuk ishin më.

Migrantë në qendrën Vinojug, Gjevgjeli, Maqedonia e Veriut.
Migrantë në qendrën Vinojug, Gjevgjeli, Maqedonia e Veriut.

Aty gjendeshin vetëm 10 migrantë nga Nepali, Sudani dhe Bregu i Fildishtë.

Për gjendjen e tyre shëndetësore kujdesej Sandra Tomovska dhe ekipi i Kryqit të Kuq. Gjatë 10 vjetëve të krizës së migracionit, e cila vazhdimisht është aktive në Maqedoninë e Veriut, ajo ka qenë dëshmitare e shumë fatkeqësive njerëzore, përfshirë edhe rastin e fundit me migrantët kinezë.

“Personat që ishin të lënduar më lehtë dhe që kishin marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Gjevgjeli dhe Qendrën e Urgjencës në Shkup, u sollën këtu. Ata migrantë që kishin nevojë për terapi më të lehtë u vendosën në ambulancën tonë brenda qendrës tranzitore, ndërsa gjithçka tjetër iu nënshtrua trajtimit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracion”, tha Tomovska.

Numri i personave të vendosur në qendrën Vinojug ndryshon nga dita në ditë. Kjo varet nga puna e policisë kufitare dhe e FRONTEX-it.

Megjithatë, Tomovska nuk zbulon motivet dhe arsyet e migrantëve nga Kina, të cilët deri tani nuk ishin të dukshëm si pjesë e rrugës tranzitore ballkanike.

“Njerëzit tregojnë lloj-lloj historish, por ajo që ne e mbajmë në konfidencialitet të plotë dhe përpiqemi ta ruajmë dinjitetin e tyre njerëzor – është se çfarëdo që ndahet mes nesh, mbetet mes nesh. Historitë e tyre janë të trishtueshme, tragjeditë njerëzore janë të vrazhda. Por, këtu është Kryqi i Kuq për të ulur cenueshmërinë e tyre”, na tha Popovska.

Bisedën me të e zhvilluam para selisë së Kryqit të Kuq në qendrën pritëse. Rreth e qark objektit dhe para hyrjes së tij mbizotëron pamja e një parkingu të parregullt. Në fakt, këto janë të gjitha mjetet e sekuestruara të transportit – vetura, furgonë dhe kamionë që janë përdorur për kontrabandimin e migrantëve të paligjshëm, dhe që tani janë stacionuar aty pasi janë pjesë e procedurave gjyqësore.

Nga IOM, e cila është e pranishme në Vinojug, thonë se nuk kanë informacione për arsyet e emigrimit të tyre.

“Migrantët që udhëtojnë përmes rrugës lindore-mesdhetare kryesisht largohen për arsye socio-ekonomike, luftëra ose konflikte në vendet e tyre”, tha Sazdovski.

Rruga ende mbetet transitore

Në rrugën ballkanike të migrantëve, që përfshin edhe Maqedoninë e Veriut, lëvizja e migrantëve vazhdon përmes kanaleve të kontrabandës dhe kalimeve të paligjshme kufitare.

Për migrantët kinezë, Maqedonia e Veriut është pengesa mes Serbisë (ku hyjnë ligjërisht përmes politikës pa viza) dhe Greqisë (ku kalojnë jashtëligjshëm për të hyrë në BE).

Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, numri i pengimeve të hyrjeve të jashtëligjshme të migrantëve nga Kina në vitin 2025 ka rënë.

Këtë numri i tyre është 54. Në krahasim me vitin 2024, kur numri ishte 98, ka pothuajse përgjysmim; ndërsa është thuajse i njëjtë me vitin 2023, kur u kapën 58 migrantë kinezë.

“Në shumicën e rasteve, migrantët nga Kina në Maqedoninë e Veriut, duke përdorur regjimin pa viza me Serbinë, hyjnë ligjërisht në territorin e Serbisë, nga ku kalojnë ilegalisht kufirin me Maqedoninë e Veriut me ndihmën e kontrabandistëve, kalojnë tranzit nëpër territor në pjesën jugore të vendit, pra në kufirin me Greqinë, ku përsëri kalojnë ilegalisht kufirin me Greqinë”, tha Ministria e Brendshme për Radion Evropa e Lirë.

Deri më 25 nëntor, Ministria njoftoi se nuk është regjistruar asnjë kërkesë për azil nga shtetas kinezë, gjë që tregon se Maqedonia e Veriut është vetëm një ndalesë në rrugën e tyre drejt BE-së.

A do të vazhdojë gjendja e krizës?

Qendra për Menaxhimin e Krizave njofton çdo javë Qeverinë për gjendjen në qendrat tranzitore, në jug në Vinojug dhe në veri drejt Serbisë, pra në Tabanoc.

Në mbledhjen e Qeverisë, më 18 nëntor 2025, u tha se ishim dorëzuar tri raportime me shkrim për gjendjen e krizës të lidhura me rrezik të lartë nga rritja e fluksit të hyrjes dhe kalimit të migrantëve.

Gjendja është e qetë tani për tani.

“Institucionet kompetente të përfshira në operacionalizimin e planit të veprimit për parandalimin dhe ndalimin e hyrjes dhe kalimit të migrantëve në territorin e shtetit kanë komunikim, koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Qendrën për Menaxhim të Krizave. Qendra rajonale në Gjevgjeli raporton se situata para dhe në brendësi të Vinojugut është e qetë, ndërsa qendra rajonale në Kumanovë njofton se janë ndërmarrë të gjitha masat koordinuese në Tabanoc”, tha Qeveria.

Për më pak se një muaj, më 31 dhjetor, skadon gjendja e shpallur e krizës në territorin e shtetit. Ende nuk dihet nëse pas gati 10 vjetësh Kuvendi do të votojë zgjatjen e saj edhe për gjashtë muaj të tjerë, siç ka qenë praktika deri tani.

Të dhënat e Agjencisë Evropiane për Rojën Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) tregojnë se në nëntë muajt e parë të vitit 2025 janë zbuluar 482 shtetas kinezë në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë gjatë kalimit të paligjshëm në rrugën ballkanike të migrantëve.

Trendi tregon rritje, pasi vetëm në muajt e fundit janë identifikuar katër grupe me mbi 50 persona secila, dhe pritet që numri të vazhdojë të rritet deri në fund të vitit.

Raportet e fundit të Komisionarit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) zbulojnë se nga viti 2012 deri në vitin 2024, mbi një milion shtetas kinezë kanë kërkuar azil jashtë vendit.

Arsyet për këtë rritje të migrimit, sipas raportit të UNHCR, janë të ndërlikuara: rritja e kontrollit dhe censurës në Kinë pas ardhjes së Xi Jinping në pushtet, si dhe faktorë ekonomikë: rritja e papunësisë tek të rinjtë dhe rritja e pamjaftueshme e pagave.

Në të njëjtën periudhë është vërejtur zgjerim i komuniteteve të diasporës kineze nëpër botë, veçanërisht në qytete si Amsterdami, Bangkoku, Dubai dhe Tokio.

Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e migrantëve të rinj i përkasin shtresës më të ulët të klasës së mesme, e cila përballet me mundësi të kufizuara për migrim të ligjshëm dhe për këtë arsye kërkon rrugë alternative për ta braktisur Kinën./REL

Next Post
VIDEO / Ceremonia zyrtare për Ditën e Pavarësisë, Vlora bën bashkë Ramën, Begajn dhe Osmanin

VIDEO / Ceremonia zyrtare për Ditën e Pavarësisë, Vlora bën bashkë Ramën, Begajn dhe Osmanin

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Një çantë e dyshimtë në Tiranë, njësia anti-eksploziv dhe policia në vendngjarje

Konflikt fizik në zonën e Shkallnurit në Durrës, slloveni plagoset me mjet prerës

June 29, 2026
Projekti i plotë/ Mazniku tregon rrugën që do ndiqet me reformën territoriale në 61 bashkitë e vendit

Mazniku: Rama dhe të gjithë ne kemi një kontratë me 860 mijë votues

June 29, 2026
Shkon në 1719 numri i viktimave nga tërmetet në Venezuelë, mbi 5 mijë të plagosur

Shkon në 1719 numri i viktimave nga tërmetet në Venezuelë, mbi 5 mijë të plagosur

June 29, 2026
Ndërhyrje të paligjshme në shtratin e Lumit të Valbonës, IKMT gjobit dhe pezullon subjektin

Ndërhyrje të paligjshme në shtratin e Lumit të Valbonës, IKMT gjobit dhe pezullon subjektin

June 29, 2026
VIDEO / Xhama të thyer dhe dyer të shkatërruara, pasojat pas sulmit të protestuesve te ‘Politekniku’

VIDEO / Xhama të thyer dhe dyer të shkatërruara, pasojat pas sulmit të protestuesve te ‘Politekniku’

June 29, 2026
Flirtime e tradhti/ Meri Shehu bën parashikimin e mujor të horoskopit në BBV!

“Kleçka” e korrikut! Meri Shehu: 4 planete do të trazojnë jetën e këtyre shenjave!

June 29, 2026
Spahiu tregon arsyet: Pse Berisha deklaroi hapur që 21 janari është krim shtetëror pa dashje

“Edhe Rusia me Ukrainën, apo SHBA me Iranin që janë në luftë bëjnë negociata! ‘Flamingot’ refuzojnë!”

June 29, 2026
“Nuk ecën, vendi kalon në kaos”/ Braçe dhe Berisha kundër platformës së protestës për asamble me short dhe qeveri tranzitore

Jesuralem Post: Si depërtoi retorika antisemite në protestat anti-Kushner në Shqipëri

June 29, 2026
Spaho, në Kuvend: Ne të Partisë Demokratike nuk jemi hajdutë!

“Rama të mos dorëhiqet”, Spaho sqaron deklaratën dhe “shpërthen” kundër PD

June 29, 2026
Flamingos, një revolucion proxy?

Flamingos, një revolucion proxy?

June 29, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In