Diplomati Bashkim Pitarka jeton prej vitesh larg Shqipërisë, në Florida të SHBA. Ai ka qenë ambasador i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në një periudhë kruciale, nga viti 1986 në vitin 1991 dhe, si i tillë ai mund të konsiderohet një thesar, jo vetëm për kujtimet që mbart si ish-ambasador, por edhe për problemet që ka dhe reflekton ky shërbim i jashtëzakonshëm për shtetin tonë.
Në faqen e tij në FB ai hedh me raste mbresa nga puna si ambasador. Unë i lexoj me vëmendje dhe kënaqem me realizmin dhe sinqeritetin e atyre tregimeve. Them tregime, sepse Bashkimi di edhe të tregojë bukur.
I shkruajta se mund të botojmë në DITA pjesë të këtyre kujtimeve, por, i sugjerova se ato janë një lëndë shumë e mirë për një libër që mund t’u shërbejë diplomatëve tanë.
E dini si m’u përgjigj? Më dërgoi këtë shënim që po e botoj të plotë:
“A DONI MË PËR BELULIN?”
(Mbi ciklin tim “Kujtime të një diplomati…”, botuar këto kohët e fundit nga unë në faqen time të të kurdo-gjindurit për çastet e vetmisë sime, të madhit Facebook.)
Ah, more miku ynë Pëllumb Kulla, humoristi ynë i madh, ç’na ke bërë me atë skeçin tënd të goditur e aktual, e i vlefshëm edhe për sot ,”A DONI MË PËR BELULIN?”!
Shumë shokë, miq e dashamirës të mij në facebook kur lexojnë kujtimet e mija, më kanë këshilluar e nxitur të shkruaj e botoj libër me kujtimet e mija si ish diplomat i vjetër. Unë u kam shpjeguar miqve “një mijë e një” arsye përse nuk shkruaj e botoj ndonjë libër. Ndër të tjera druhesha, se mos lexuesit dhe miqtë e mi do të ma merrnin si mburrje për gjoja “bëmat” e mija si ato të shkrimtarucit mburravec të skeçit të famshëm “A doni më për Belulin?” Ndonëse, tu them të vërtetën se në ato ngjarje që rrëfej unë isha vetë Belul, jo thjeshtë një dëshmitar por pjesëmarrës dhe aktor aktiv në to.
Mbase më duhet t’u kërkoj ndjese që mund ta kem tepruar që kam shkruajtur gjatë e me disa hollësira, që edhe nuk duheshin.
Unë kam shumë për të kujtuar e mund ende të vijoj së shkruari kujtimet e mija,sepse unë i vlerësoj ato,e ndokush që i merzis apo bezdis me to,fare mirë mund të ndërrojë faqe(si shumë nga ju që me një të shtypur të butonit ndërroni kanalin e TV tuaj e ndiqni diçka tjetër) e të lexojë nga të tjere apo edhe plot “FAKE NEËS” e të dëgjojë nga ato tallavarat “muzikore”ose politike,nga të cilat ju në TV e Tiranës e ne on line ndeshim çdo ditë me bollëk !
Me dashuri e respekt,
Juaji, Bashkim Pitarka
Florida, SHBA – 22 Gusht 2021
E pra, ja kështu m’u përgjigj Bashkimi. As po, as jo. Por më shumë anonte nga një po në favor të shkruarjes së një libri. Me këtë rast ai më dërgoi ca copëza kujtimesh që ne po i botojmë në DITA. Uroj që botimi i këtyre fragmenteve “ta detyrojnë” Bashkimin të ulet e ta marrë seriozisht këtë punë dhe ta harrojë Belulin. Unë jam optimist për këtë. Paç dorën e mbarë Bashkim!
Xhevahire të diplomacisë, vitet ’90
Maj 1992, qeveria e re pseudo-demokratike “i hyn me themel” reformës në sistemin e diplomacisë shqiptare. Me 2 Maj 1992 ministri i ri i punëve të përjashtme të qeverisë së Berishës, zotnia e tij Sereqi, thirri në mbledhje gjithë kolektivin diplomatik të Ministrisë së Jashtme të asaj kohe për një mbledhje shumë të rëndësishme.
I ra fare shkurt. Gjithë pompozitetin e tij e shkriu mbi audiencën duke deklaruar:
“Siç mund ta kini marrë vesht në diplomacinë shqiptare do të kryet një reformim i thellë. Të gjithë ata që do të dëgjojnë emrin e tyre nga data 14 maj largohen përfundimisht nga puna në këtë ministri”.
Vijoi së lexuari një listë shumë të gjatë emrash, kryesisht të drejtorëve e shefave të shërbimeve, ambasadorë e ish ambasadorëve të Shqipërisë. Në mes tyre lexoi edhe emrin tim, që sapo isha kthyer,me kërkesën time këmbëngulëse nga detyra e ambasadorit pranë OKB-së dhe në Kanada e isha emëruar me detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Organizatave Ndërkombëtare.
Njoftimi u prit me habi të madhe nga të pranishmit. Disa nga të pushuarit nga puna i kërkuan takim ministrit Serreqi për t’i kërkuar shpjegime të mëtejshme…
Ndër ta, edhe unë iu prezantova për herë të parë dhe pa kërkuar shpjegime i kërkova ku do të punoja unë se kisha një familje të tërë për të mbajtur.
Ai, gjithë qesendi, mu përgjigj: “Unë s’kam nevojë të shqetësohem për ty se me gjithë atë bagazh kulturor e atë eksperiencë e ato gjuhë të huaja që di ti, mund ta gjejsh punën ‘one, two, three’!”
– “Ashtu më njihkeni mua zoti ministër? Por me sa kam mësuar unë në këto punëra të gjitha ato atribute që më përmendët janë kërkesat, si pushka ushtarëve në beteja, që u kërkohet edhe diplomatëve të rinj që ju me siguri do t’i zgjidhni nga ithtarët e miqtë tuaj për të na zëvendësuar neve të vjetërve. Aq më shumë kjo e ashtuquajtura reformë e mënyrë të të vepruari, që në kushtet e demokracisë dhe hapjes së vendit tonë me botën e jashtme do të kërkonin profesionistë të zotë e të afirmuar në diplomaci!”
Kuptohet që diplomacisë mbas sodi do t’iu ngjiteshin pas pinjollët e ish fashistëve, ish zogistëve e nacionalistëve, bashkëpunëtore të ish pushtuesve italo-gjermanë e soj e soj e sorollop të të goditurve nga ish regjimi komunist,siç ndodhi në të vërtetë.
Sa e çuditshme më tingëllonte kjo masë për reformë bash pas gjithë asaj kohe që unë dhe kolegu im i nderuar, ambasadori Alkyz Cerga,një ndër kuadrot më të vjetra e të përgatitura të diplomacisë shqiptare,kishim punuar kokë më kokë,për përgatitjen e tezave për një reformim eventual të shërbimit diplomatik shqiptar në kushtet e reja pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Ne të dy, pa ndonjë detyrë të vënë nga ministria, iu vumë punës për të përgatitur teza dhe një projekt platformë të shërbimit në diplomacinë shqiptare. Ndër kohë kishim kontaktuar e shkëmbyer mendime me kryetarë apo sekretarë të përgjithshëm të partive politike parlamentare për problemet e një reforme në diplomacinë tonë.
Pikërisht ato ditë, fare rastësisht ra telefoni në zyrën time në drejtori. Aso kohe telefonat në ministri ishin të lidhura me sistemin tri shifrash me ish aparatet e KQ të PPSH dhe kryeministrisë.
Në telefon u dëgjua zëri i Sali Berishës, i sapo zgjedhur ato ditë si president i vendit, i cili kish menduar se po telefononte ministrin e ri të kulturës. I thashë kush isha dhe e urova për detyrën e lartë të presidentit. Kur mësoi se cili isha, më falënderoi që kisha qenë një ditë më parë për vizitë tek shtëpia e tij për tu sjellë një zarf nga një familje shqiptaro-amerikane, miq tanë të përbashkët në Boston. E urova për detyrën e re dhe ai më ftoi të shkoja përsëri tek ata si mik i familjes.
Unë shfrytëzova rastin dhe i fola për punën tonë me ambasadorin Alkyz Cerga, për përgatitjen e një projekt-platforme të zgjeruar për një reformim të mundshëm të gjithë sistemit të diplomacisë sonë,nevojë që kuadro si ne e kishim ndjerë me kohë si të domosdoshme. I përmenda që kishim marrë takim e ishim konsultuar edhe me kryetarët e partive politike parlamentare dhe se ne ishim takuar edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të PD së në mungesë të tij.
Sali Berisha m’u përgjigj menjëherë, në dukje i entuziazmuar:
– “Oh sa po gëzohem miku im Basho(kështu më thërriste mua në konfidencë kur takoheshim në spitalin e tij apo në ministrinë tonë, ku kish një mik të ngushtë të përbashkët me mua.) Kini bërë shumë mirë. Unë do ta prisja një kontribut të tillë të çmuar nga kuadro të shquara e patriotë si ti me një përvojë të gjatë e kontribute të rëndësishme në diplomaci, siç qe puna yte e shkëlqyer për të nxitur e përfunduar sa më parë rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në,aleaten më të madhe e të vendosur të kombit shqiptar. Ju pres me kënaqësi të dyve në presidencë.
Po i them sekretares të caktojë një ditë takimi sa më parë e tu njoftojë. Më sillni edhe një kopje të materialit tuaj që kini përgatitur. Unë jam shumë i interesuar për këtë temë aq të rëndësishme. Më kërkoi tu jepja të falat e tij mbesës sime, ish mjeke kardiologe, kolege, vartëse të tij në spital e familjes së saj.”
Ky ishte komunikimi im i fundit me Sali Berishën.
Pas tri ditësh unë dhe ambasador Cerga shkuam pranë presidencës dhe tek oficeri i shërbimit lajmëruan sekretaren e presidentit për mbërritjen tonë. Ndërsa prisnim tek hyrja e mbrapme e presidencës pamë të dilnin që atje dy kolegë tanët, që duket kishin shkuar në takim me presidentin për tu ankuar lidhur me pushimin e tyre nga puna në MPJ. Pas tyre pamë të dilte ish ministri Serreqi, i cila kur na pa mua dhe Alkyzin turfulloi e u kthye e hyri përsëri në presidencë.
Pas pak telefonoi tek oficeri i shërbimit sekretarja e presidentit, kërkoi të falur dhe na tha se takimi do të shtyhej për një ditë tjetër se presidentit i doli një punë urgjente.
Kështu vajti edhe meseleja e tezave tona për reformën në diplomaci. Ajo u krye me një të rënë të lapsit me një listë të gjatë kuadrosh të larta të diplomacisë shqiptare që i largonin pa asnjë motivacion nga puna e flakeshin të papunë në rrugë të madhe, si viktima të ashtuquajturës “reformë e thellë në diplomacinë shqiptare” që nuk u krye.
Me Antoni Athanasin
(Me pak foto por me shumë mall, respekt e nostalgji për mikun tim të pa harruar, të madhin, të mirënjohurin atdhetar të flaktë shqiptaro-amerikan, pasuesin e denjë të Fan Nolit legjendar, për mikun e madh të Shqipërisë, të ndjerin Antoni Athanas!)
Në mes të kujtimeve të shumta nga takimet e bisedat me Antoni Athanas,më ka rregjistruar kujtesa një prej tregimeve të tij,plot dashuri e pathos,për të jatin e tij:
“…Ishim ulur bashkë me të ndjerin, atin tim, e po ndiqnim në TV një ndeshje boksi.
Grushtoheshin sa mundeshin me njeri-jatrin një boksier afro-amerikan me një të bardhë.Kur i bardhi po e mposhte të ziun babai hidhej përpjetë e gëzohej e mburrte shumë boksierin bjond.Kur i ziu ishte në sulm dhe e hodhi në “knock doën” të bardhin,unë e ngacmoja dhe i thosha ‘Pa hë tani, pse nuk hidhesh përpjetë mor baba?’
Ç’do të thuash ti me këtë?,më kthehej gjithë inat. Pse mo,nuk ka të zinj edhe në Shqipëri?!”
Me këtë, më thoshte Antoni, desha të të them se babai, ndjesë pastë, të nxirrte sytë t’i shaje Shqipërinë… Kështu bënte edhe vetë Antoni, tëpkë si i jati! Nuk thotë kot populli ynë “Dardha po ndën dardhë bie!” Dhe vërtetë Anton Athanas i tillë ishte, një tribun e pasues i denjë i Fan Nolit, atdhetar e patriot si Ai!
Të flasësh e të shkruash për të ndjerin mik, Antoni Athanasin,të duhen netë të gjata të dimrit e një ton me letër për të shkruar kujtime e tregime mbi të dhe për jetën e veprimtarinë e tij të pasur. Lum Ai për veprën e emrin që la pas!
“Biri im Bashkim”, më thërriste me dashuri e respekt, si të isha vërtetë biri i tij. Pas kësaj dashurie e këtij respekti unë lexoja drejtë dashurinë e respektin e madh që ai kishte për Shqipërinë e tij mëmë që aq shumë e deshte, siç deshte nënën e tij!
Bashkim Pitarka, Florida, 22 Gusht 2021.
Mbi vizitën tonë të parë tek shqiptarët në Boston
Atë ditë të vizitës sonë të parë në Boston, pas drekës po zbrisnim nga zyra e xha Antonit kur veshët më kapën fjalët “…tu ketë lënë shëndetin juve!” Ndërsa vura re Antoni Athanasin që ishte përqafuar me mikun tonë të vjetër, veprimtarin e shquar të komunitetit shqiptar të Bostonit, të ndjerin Thanas Laska mbeta shumë i habitur dhe i pyeta çfarë kish ndodhur. Antoni më tha se mikun tonë atë ditë që pa gdhirë e kish lënë nëna e tij plakë.
Ky njoftim më çoi të mendoja e të kuptoja shkakun e asaj vonese të Thanasit dhe pritjen tonë të gjatë në vendin ku duhet të takoheshim për tu nisur së bashku .Iu ktheva Thanasit dhe pasi e përqafova dhe ngushëllova e pyeta pse nuk na tregoi për këtë kur u takuam në mëngjes në Stratford. “Nuk desha kurrsesi t’ia prishja lezetin kësaj vizite të parë tuajën në Boston”.
Ne ishim habitur e shqetësuar nga ajo vonesë.
Thanasi e la veturën e tij në parkingun tek sheshi para diskotekës së tij të madhe se,siç na tha,nuk mund të voziste se kish qenë pa gjumë atë natë.
Arritëm në Boston e pasi i kryem të gjitha aktivitetet u nisëm drejt Stradfordit ku do të linim Thanas Laskën. Rrugës mendoja me keqardhje për atë ngjarje të hidhur.Ai ishte treguar vërtetë burrë zakoni me karakter të fortë. Kjo ngjarje më kujtoi atë dramën e Fadil Krajës vënë në skenë nga teatri Migjeni i Shkodrës me temë historinë e një malësori plak, i cili pasi priti me nderime të mëdha miqtë e asaj nate,një grua deputete të Kuvendit Popullor nga Tirana dhe dy kuadro të lartë të qeverisjes lokale urdhëroi gratë e shtëpisë të shtronin bukën .
Atë ditë asaj familje malësorësh i kish ndodhur një tragiedi . I biri i djalit të tij të madh ishte mbytur në lumin Kir dhe kur ia behën mysafirët në prag të portës së kullës u uroi atyre mirëseardhjen buzagaz dhe u çoi fjalë grave të mos qanin apo ulurinin.
I urdhëroi gratë e shtëpisë të ndalonin zinë e të ndalnin të qarët e kujet.
Pas darke mysafirja pa varur në murë një çifteli dhe pyeti cili mashkull i shtepise dinte t’i binte çiftelisë.Plaku i shtëpisë iu kthye të birit me një vështrim të rreptë dhe me ton urdhërues iu drejtua të birit: “Merre bir e mos ia prish qejfin sonte mysafires tonë të nderuar!” I biri mbeti për një moment i shtangur me dorën tek çiftelia e vështrimin pyetes nga i ati e pa më të voglën dëshirë nisi t’i binte instrumentit. Nga dhomat ngjitur shpertheu kuja… Plaku u hodh te pragu i dhomës dhe i urdhëroi grate që të ndalnin ofshamat.
Deputetes e mysafirëve të tjerë iu ngriu buzëqeshja në buzë pa kuptuar ç’po ndodhte, i pyetën të habitur ç’kish ndodhur e kur e mesuan ngjarjen tragjike u shtangën e kërkuan falje. Ajo ndodhi e hidhur fliste shumë. Ata kërkuan të falur dhe me kokën ulur lëvizën drejt njerëzve të shtëpisë për t’i ngushëlluar…
Në dhomën e miqve ata e pinë në heshtje kafenë e pas pak kërkuan leje e u nisën.
Ne i kërkuam Thanasit që të na ndalte për një ngushëllim tek shtepia e tij në pereferinë e qytetit.Rrugës na tregoi si kish ndodhur.Nëna plakë kish vuajtur rëndë…Atë natë në spital kish dhënë shpirt në krahët e të birit në të gdhirë të asaj dite.
E kishte lënë në morgun e spitalit. Me lotë në fytyrë voziti me të shpejtë makinën për të ardhur të na takonte.
Tek shtëpia e tij ne qëndruam pak kohë dhe pasi pimë kafenë e ngushëllimit e lamë Thanasin dhe të shoqen e tij në oborrin e shtëpisë së tyre. Kur u ndamë më tha: “Ja edhe zoti e deshti dhe e solli punën në mënyrat e tij që të realizohej premtimi që më kishit dhënë zoti Ambasador Bashkimi që e para vizitë në zonën tonë të ishte në shtëpinë e mikut tuaj të vjetër!”
Nga Xhevdet Shehu, botuar në DITA
/b.h