Nga Preç Zogaj*
Mbledhja e KPD-së, e datës 3 dhjetor, që vazhdoi të nesërmen dhe të pasnesërmen, do të mbahet mend gjatë si një shou pa precedent në historinë e partive shqiptare. Imagjinoni: dy grupe rivale që kanë ardhur vërdallë tre muaj me radhë rreth e rrotull Shqipërisë e rreth e rrotull globit duke marrë nëpër gojë njëritjetrin e duke i numëruar të nëntëdhjetenëntat e njëri-tjetrit, mblidhen nën një çati në aktin final të larjes së hesapeve. Salla e Pallatit të Kongreseve duket shumë e vogël për dufin që kanë akumuluar palët.
Aktorët kryesorë sforcohen të duken si të përgjumur, kanë ulur kokat dhe qepallat dhe rrinë si buratino në karriget e veshura me damask jeshil. Vetullat e ngritura kas tradhtojnë sytë e tyre të drobitur nga pagjumësia dhe mendimet hakmarrëse. Tarikati i fraksionit të madh e ka kërkuar me ngulm këtë mbledhje. Ky fraksion ndihet i fortë dhe i pathyeshëm në salla të mbyllura, ndërkohë që vuan shumë në natyrë, me popull nëpër këmbë, me militantë që pyesin një herë për një gjë, dy herë për përgjigjen e pyetjes së parë, tri herë për përgjigjen e pyetjes së dytë e kështu pa mbarim. Vetëm Nano ua njeh midenë këtyre militantëve.
I ngop me gënjeshtra sipas parimit të vjetër “gënjeshtra, sa më e madhe të jetë, aq më lehtë gëlltitet”; u hedh për gjykim, domethënë për shqyerje, rivalët e tij “mëkatarë”, u zgjon dhe u përkëdhel instinktin e prokurorit, gjykatësit dhe pushkatarit të togës së pushkatimit që është instinkti numër një i fukarasë, i kandis me ëndrrën se do të gdhihen të pasur, i kënaq me këto çelësa kashte, i bën për vete, i dirigjon tek brohorasin emrin e tij, u dikton porositë speciale që duhet t’i japin udhëheqjes së partisë, në emër të bazës dhe ja ku na del lideri karizmatik i turmës, tribuni i popullit që u fut dridhmat pallateve dhe tiranëve brenda tyre.
* * *
Thëllimi sikur ia ka trashur edhe më shumë lëkurën, terreni sikur e ka pajisur me luspa mbrojtëse, fushata plebishitare i ka dhënë sigurinë e një lideri të pakonkurrueshëm nga zyrtarët dhe zyrtarucët. Duket qartë nga e ecura krenare dhe nga qëndrimi mospërfillës që mban. Me këtë armaturë dhe me cinizmin e tij karakteristik, Fatos Nano beson se do t’i verë sus taborret e Ilir Metës edhe në shtëpinë e tyre, në KPD. E ka marrë me mend para se të vinte në këtë mbledhje, se zemërimi i tyre naiv ka kapur majat. Atmosfera e fillimit të mbledhjes konfirmon këtë parandjenjë.
Në sallë vibron një tension i tillë sikur dikush do të piqet në hell patjetër. Plenumet e PP-së kanë qenë gjithnjë prapa derës, apo fshehur diku në gardërobë, me mantelin e përgjakur të Centaurit në duar, gati për t’ia hedhur përsipër, duke i përçuar KPD-së zakonet e vjetra. E kaluara, gjithsesi, nuk mund të përsëritet. Por diçka e rëndë pritet të ndodhë, madje duhet të ndodhë.
Ndryshe nuk qetësohet kazani që po zien. Gramozi dhe Iliri i kanë thirrur njerëzit për të ndarë shapin nga sheqeri, anëtarët e KPD-së janë përgatitur të bëhet njëra. Ata nuk e dinë si lëvizin politikat e mëdha. Për t’u dalë përpara të panjohurave të shfrimit të lirë, udhëheqja ka menduar një zgjidhje demokratike: mbledhja do të jetë e hapur për mediat dhe do të transmetohet drejtpërsëdrejti nga shtatë-tetë televizione njëherësh.
Ky vendim favorizon Nanon, ai ndihet i fortë në dëshminë e publikut. Por ky vendim i shkon për shtat edhe Metës, i cili ka nevojë të justifikojë përmbajtjen para të vetëve. Shtypi? Të rrijë, pse jo? S’kemi të fshehta. Ne jemi partia më e hapur në Shqipëri! Nën projektorët e mediave ndrydhet një pjesë e mllefit që tubuesit kanë sjellë me vete. Oratorët e dinë se gjithë Shqipëria po i sheh dhe prandaj sforcohen për t’u shfaqur të matur, të arsyeshëm. Por është mjaft e vështirë të përballohet kjo torturë dhe, madje, nuk ia vlen të thyesh dhëmbët nga shtrëngimi për shkak të disa gambetave që quhen media. Metistët mezi kanë pritur ta fusin Nanon në ring.
Ky ua ka hedhur duke i futur në film. Në kontrastin midis zemërimit të njërës palë dhe dinakërisë së palës tjetër mbledhja fillon të pikojë farmakun që ka brenda. Nano dhe Gramoz Ruçi konsumojnë një debat rreth legjitimitetit të rendit të ditës dhe vetë mbledhjes. Të dy mbajnë në dorë një kopje të statutit të partisë, të cilin e lexojnë aty ku duan dhe ua tregojnë edhe kamerave për të provuar publikisht se janë në të drejtën e zotit në atë që thonë e mbrojnë. Por s’bien që s’bien dakord. Kushdo që e merr seriozisht shkërbimin e tyre, mendon se statuti i PS-së nuk është në rregull, ose dy miqtë e vjetër, që tani janë armiqësuar, po kruajnë brirët para përleshjes.
Rezistenca e Ruçit, megjithëse diskrete me ca shpërthime domethënëse, është gjithsesi një stimul për kryqtarët e sallës, që janë përgatitur me gojë dhe me shkrim kundër heretikut Fatos Nano që “po kërkon t’i imponojë krizën e tij vetjake dhe familjare Partisë Socialiste, Qeverisë së saj”. Kjo është sentenca kapitale që përshkon si fill i kuq fjalimet e tyre. Ata duan t’u provojnë shqiptarëve se nuk ekziston një krizë me emrin PS, por vetëm një virus, për të mos thënë një kancerogjen me emrin “Nano”, ku janë sintetizuar veset më të këqija të njeriut dhe politikanit.
Ky është objektivi i tyre i parë. Mbi këtë bazë, krejt natyrshëm, do të kërkojnë pastrimin e Kryesisë së Partisë nga përkrahësit që i kanë mbetur Fatos Nanos dhe, së fundi, thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm. Ky është objektivi i dytë. Për këtë kanë firmosur thirrjen e mbledhjes së KPD-së, për këtë kanë ardhur në mbledhje. Në majë të këtyre objektivave është çlirimi, fitorja, kalimi në histori i mbledhjes me shenjën e shigjetarit, që shpëtoi partinë nga tradhtia e brendshme, nga kolaboracionizmi, nga arrivizmi pa skrupuj i një fraksioni të vogël në udhëheqje.
Ata nuk kanë dashur dhe nuk duan të mungojnë në këtë ngjarje të madhe ku do të lëshojë rrënjë të shëndetshme një histori e re. Sekush do të japë maksimumin, sekush do të përpiqet të jetë më aktiv dhe më efikas se shoku, sekush do të meritojë nderimet dhe nderet e triumfit. Shumë pak e dinë se Kryeministri ka ardhur në mbledhje me një plan rezervë në xhep. Meta e ka parë me vend të mos rrezikojë pa fund në një betejë të tipit “muri kundër murit”.
Në qoftë se Nano do t’u rezistojë sulmeve, balanca e humbjes do të fillojë të anojë nga pala që ka thirrur mbledhjen. Po të ngulmohet si mushka me të njëjtin plan, i akuzuari do të kthehet sërish në akuzues si Gjergj Dimitrovi, duke bërë edhe të martirizuarin po t’i teket. Me rrethin e tij të ngushtë, duke reflektuar edhe mbi perspektivën e daljes nga kriza, Meta ka gjetur asin rezervë, të cilin do ta nxjerrë në çastin e duhur për të evituar një situatë të disfavorshme për të.
Me gajretin se nuk do të jetë nevoja ta përdorin, katërpesë besnikë për kokë e mbajnë nën mëngë, si një bombë kamikazësh, asin në fjalë. Të tjerët nuk janë informuar dhe këtu nuk shtrohet fare çështja se mos u është bërë ndonjë pabesi. Komandanti e ka për detyrë të mendojë për më të keqen. Ndryshe nuk do ta meritonte emrin komandant. Nga ana tjetër, ndjekësit, mbështetësit nuk duhet të zhbalancohen e demotivohen me idenë e ekzistencës së një plani rezervë.
Së fundi, përse duhet dekonspiruar një gjë që do të ketë fatin të varroset përgjithmonë sapo të mos jetë e nevojshme të përdoret? “Bombardimi” kundër Nanos fillon në orar sipas axhendës, por nuk vazhdon dot me ritmin dhe përpikërinë e parashikuar. Kryetari i vjetër i PS-së s’ka pritur mbledhjen për të kuptuar strategjinë e Ilir Metës. Nga lartësia e podiumit ku ka zënë vend, thjesht po e verifikon, pa ndonjë emocion të shfaqur. Vendos t’i kundërvihet, dhe madje të argëtohet me të, meqenëse po sheh edhe publiku. Duke qenë në shënjestër të sulmeve, Nano ka të drejtën e replikimit. Në këtë pikë ua kalon të gjithëve.
Batuta e shpejtë, replika e hidhur, shpeshherë didaskalike janë talenti i tij i lindur. Sensi i humorit, kultura, informacioni, urtësia dhe lakonizmi, nuk është se mjaftojnë gjithmonë për t’i bërë ballë këtij akrobati politik. Duhet edhe cinizmi dhe paturpësia e tij. Këtu Nano bën diferencë me rivalë të denjë, pale me partiakët faqekuqë dhe pedantë të partisë së tij, që e humbin toruan më keq se kadetet e gardës në shikim rreshtor. Për secilin prej folësve, Nano ka hazër një epitet, një nofkë, një epigram, një fabul, një kundërakuzë apo një sekret nga ato që për momentin të çarmatosin, të mbyllin gojën, të bëjnë me turp.
Në këto lloj duelesh, ata që janë apo i thonë vetes idealistë të papërlyer, paradoksalisht ndodhen në pozitën më të keqe. Kundërshtari i njollos me pako gjë. Përkorja dhe pastërtia që duhej të ishin panciri i tyre i sigurt, papritur bëhen dobësia e tyre. Një pikë balte mbi ta bie në sy dhe tërheq vëmendjen më shumë se tërë lëtyra e mëhallës mbi një fytyrë të palarë. Fatos Nano di dhe nuk heziton të përdorë si mjete të luftës politike kontrastin, fokusimin në një detaj për t’i ikur tërësisë.
“Uaaa! Namiku paska dhëndrin shofer në Ambasadën spanjolle”! Ai që habitet kështu është një miku im gazetar. Po ndjekim së bashku në TV punimet e KPD-së. Kryetari i Kuvendit, Namik Dokle, një politikan nga më të ndershmit që kam njohur, ka përfunduar fjalën e tij. Ka qenë i hidhur me Nanon. Ky ka afruar pranë vetes mikrofonin për të replikuar. “…Dhe rastësisht… mora vesh se shoferi i ambasadës në fjalë ishte dhëndri juaj, shoku Namik”! Nënteksti: edhe ti ke marrë pjesën tënde të vogël nga shoku Meta dhe shoqja Arta, por sekush shitet me çmimin që do!
-Uaaa! Namiku paska dhëndrin shofer në Ambasadën spanjolle!
-E çfarë pastaj?- ia kthej unë.
–Ç’do të thotë kjo, ka dhëndrin në Ambasadë! Ku duhet ta ketë, në PD? Miku im gazetar më shikon me habi.
-Epo pse nuk është dhëndri yt apo i ndonjë tjetri, por pikërisht dhëndri i tij? Më vjen të bërtas, por sa para bën. Kushedi sa njerëz në gjithë Shqipërinë po thonë ose po mendojnë të njëjtën gjë. “Pse nuk është dhëndri im, por pikërisht dhëndri i tij?” … Politikë… Sigurisht që ishte politikë. Nano kërkonte të hapte rrugën dhe unë doja që ai të hapte rrugën. I pëlqeja dhe qeshja me batutat e tij të zgjuara që godisnin, por nuk vrisnin.
Ndërkaq me shtinin krupë dhe frikë metodat e fokusimit mbi detaje të vogla, duke errësuar abuzimet e rënda, ngërçet e mëdha… Gjithsesi, me cinizmin e tij, të drejtë shpeshherë, Fatos Nano arriti të ndalte dhe madje të kthente mbrapsht ingranazhin partiak që kërkonte rënien e tij. Ua vuri festen sipas kokës shumë prej kundërshtarëve të tij, qe protagonisti i padiskutueshëm i shndërrimit të një mbledhjeje partie në një eveniment të rrallë politik, mediatik dhe, pse jo, edhe argëtues. Asnjë lloj spektakli nuk ishte ndjekur kaq masivisht nga qytetarët shqiptarë.
As kampionati botëror i futbollit. Shqiptarët kishin parë seanca parlamentare të ndezura, ku palëve kundërshtare ua donte puna të përplaseshin, ishin mësuar njëfarësoj me kapriçot dhe shpërthimet e politikanëve, por ishte hera e parë që ndiqnin live një ndeshje politike brenda llojit, një paradë të rrallë të prurjeve dhe ndjesive politike, që zakonisht rrjedhin në prapaskenë, larg syve të botës dhe larg kamerave.
Striptiza socialiste i kishte brenda të gjitha: lakuriqësinë dhe cinizmin, ligësinë dhe vuajtjen, egërsinë dhe nënshtrimin, pabesinë dhe frikën, thellësinë dhe cektësinë, joshjen dhe përçmimin. Rezultantja e këtij vargu antonimish ishte një tërheqje e fshehtë që e mbante njeriun peng të kureshtjes se mos pas pak do të ndodhte apo do të thuhej diçka që s’duhej humbur. Ishte pak a shumë e njëjta tërheqje dhe rendje që ndjen i rrituri kur sheh për herë të parë një film erotik.
Të nesërmen, më 4 dhjetor, kafenetë e Tiranës dhe me siguri edhe ato të qyteteve dhe fshatrave të thella zienin duke përsëritur replikat dhe batutat e Fatos Nanos për Gramoz Ruçin, Anastas Angjelin, Mustafa Muçin, Bashkim Finon, Arta Daden, Namik Doklen, Servet Pëllumbin, Musa Ulqinin… Tërë këta zotërinj kishin thënë të tyret, kishin sulmuar dhe ishin mbrojtur me logjikë, me argumente, por çuditërisht kujtoheshin vetëm me nofkën apo damkën që u kishte vënë kryetari i tyre. Shqipëria shejtane dhe dembele dukej se i donte të tillë, shejtanë dhe dembelë, edhe drejtuesit e lartë.
Ata e zgjonin. Në ta mishërohej. Dita e tretë e mbledhjes së KPD-së po fillonte ndryshe. Pragmatist nga natyra, Ilir Meta e kishte kuptuar se Nano vetëm po rritej duke prapësuar sulme. Publiku kishte marrë anën e Nanos edhe për një arsye tjetër të natyrës altruiste. E shihnin “të vetëm trim në luftë” përballë lukunisë. Në vlerësimin e Metës, ky imazh duhej ndryshuar. Ishte një kusht për të vazhduar betejën. Pra, duhej vënë në veprim plani rezervë, ai i dorëheqjeve.
Tre, katër ministra do të hidhnin çelësat publikisht para hundës së Fatos Nanos, meqenëse ashtu donte, meqenëse nuk dilte dot pa pre nga historia që kishte ngrehur, meqenëse kishte dëshirë ta merrte vesh gjithë Shqipëria dhe gjithë bota se ishte edhe ai këtu, meqenëse i vriste sytë harmonia e Qeverisë, meqenëse i helmonin shpirtin sukseset e saj pa të, meqenëse i ishte mbushur mendja se të gjithë ata që ishin brenda vidhnin dhe po ia kalonin grupit të tij në të pasuruar, meqenëse ishte gati të sakrifikonte pushtetin për tekat e tij, meqenëse kishte bllokuar qeverisjen dhe po mbante gjallë krizën me populizmin e tij…
Urdhëro! Ja ku i ke kurbanët! Me emra të shkurtuar “Naçi, Muçi, Baçi”, tamam në masë të gojës tënde. Merri dhe ngopu! Merri dhe kënaqu! A jemi në rregull tani? Të dashur bashkatdhetarë dhe bashkatdhetare! Ne nuk mund të harxhojmë kohën këtu me estradën që kërkon të na imponojë një njeri që ka marrë peng postin e kryetarit të Partisë! Ne kemi punë, ne duam të punojmë, por nuk na lë Nano të shkojmë në punë! O do të paguajmë tribunë, o s’dalim që këtej. Disa ministra të Qeverisë që unë drejtoj, janë detyruar të japin sot dorëheqjen.
Në prononcimet e tyre ata dhanë argumente të mjaftueshme se nuk ishin ulur në karrigen e tyre si miq të Ilir Metës, por… Meta e ka gati fjalimin që do të mbajë. Gjatë ditës dhanë dorëheqjen ministrat Anastas Angjeli, Mustafa Muçi dhe Bashkim Fino. Që të tre ruajtën krenarinë, u larguan si viktima, duke sulmuar Nanon. Ministri i Financave, Angjeli, u ngjit në tribunë me një barrë shkresash, të cilat i lexoi një nga një për të provuar pastërtinë dhe zotësinë e tij.
Për ata që e dëgjonin për herë të parë, dorëheqja e tij kryengritëse tingëlloi si padrejtësi e madhe e Fatos Nanos. Vetëm një smirëzi mund t’u qepej kështu më të mirëve dhe t’i detyronte të linin karrigen! Por Angjeli edhe u relaksua nga dorëheqja, sepse filloi të bënte ca grimasa e ca shakara që nuk i kishte bërë prej vitesh.
-Tooosiiiii!-thirri një çast para mikrofonave dhe të gjithë ia plasën gazit. Në replikën finale, Nano përgëzoi ministrat që kishin dhënë dorëheqjen, por, si për të treguar se tashmë ishte ai që komandonte, shtoi se dorëheqjet ishin vetëm fillimi i zgjidhjes. Mbledhja u tendos si tel nga e para, dhjetëra fytyra u prishën me llahtar, por askush nuk kishte fuqi të vazhdonte. Ra perdja.
As kongres u kërkua, as Kryesia u votua, as dorëheqjet nuk sollën paqe. Palët mbeten në pozicionet e mëparshme, KPD u zhduk nga ekranet në imazhin e një frote që ka kaluar në ferra e driza.
-Mirupafshim në Vlorë!- kjo ishte fjalia e fundit e Fatos Nanos. Nuk ishte kënaqur me lëmoshat e Ilir Metës. Kërkonte largimin e tij.
*Marrë nga libri “Nga fillimi në fund”