• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, July 23, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Rosa Parks dhe fuqia e protestës

“Njerëzit shpesh thonë se nuk u ngrita sepse isha e lodhur, por kjo nuk është e vërtetë. Nuk isha e lodhur fizikisht... E vetmja gjë nga e cila isha e lodhur ishte të dorëzohesha.”

by Thoma Gëllçi
23/07/2026 08:36
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Thoma Gëllçi

Në Detroit, ku unë jetoj, kaloj shpesh nëpër një rrugë që quhet Rosa Parks Boulevard. Edhe kur më rastis të marr ndonjë autobus për të shkuar diku nga stacioni qendror i autobusëve në Detroit, ai quhet Rosa Parks Transit Center.

Rosa Parks është një emër që mbahet mend lehtë dhe fiksohet në mendje. Gjatë udhëtimeve të mia në Amerikë, rrallë më ka ndodhur të vizitoj një qytet ku të mos gjej një rrugë, një shesh, një autostradë, një shkollë apo një ndërtesë që mban emrin e saj.

Interesant më është dukur fakti se emri i Rosa Parks nuk nderohet vetëm në Shtetet e Bashkuara. Edhe në Francë, një nga stacionet e rëndësishme të trenave dhe të linjave ekspress në veri të Parisit mban emrin e saj.

Kurioziteti më shtyu të mësoja më shumë për këtë grua. Çfarë kishte bërë ajo që emri i saj të vendosej në kaq shumë rrugë, sheshe dhe stacione, jo vetëm në Amerikë, por edhe jashtë saj?

Përgjigjja fillon më 1 dhjetor 1955, në qytetin Montgomery të Alabamës.

Në atë kohë, autobusët publikë ishin të ndarë sipas racës. Pjesa e përparme ishte për të bardhët, ndërsa afro-amerikanët duhej të uleshin në pjesën e pasme. Edhe kur uleshin në zonën që u ishte caktuar, ata mund të detyroheshin të ngriheshin nëse vendet e të bardhëve mbusheshin.

Rosa Parks ishte 42 vjeçe dhe punonte si rrobaqepëse. Atë pasdite po kthehej nga puna. Ishte ulur në rreshtin e parë të zonës së lejuar për njerëzit me ngjyrë. Kur autobusi u mbush, shoferi u kërkoi katër pasagjerëve afro-amerikanë të ngriheshin, që vendin ta zinte një burrë i bardhë.

Tre prej tyre u ngritën. Rosa Parks nuk u ngrit.

Në atë moment, ajo ishte vetëm një person përballë një sistemi të tërë. Përballë saj ishte shoferi, policia, ligji, administrata, zakoni dhe një rend shoqëror që diskriminimin e kishte shpallur normalitet.

Ajo nuk kishte pushtet, nuk kishte para, nuk drejtonte ndonjë institucion dhe nuk komandonte ndonjë turmë. Nuk kishte pas vetes kamera televizive, studio analistësh apo rrjete sociale ku të numëroheshin pëlqimet. Kishte vetëm bindjen se nuk duhej të ngrihej.

Shoferi thirri policinë dhe Rosa Parks u arrestua.

Patjetër që pati edhe nga ata që e quajtën veprimin e saj të pakuptimtë. Disa mund të kenë menduar se ishte marrëzi të përfundonte në burg për një vend në autobus. Të tjerë mund ta kenë përqeshur, duke thënë se një grua e vetme nuk mund të ndryshonte një sistem të mbështetur nga ligjet dhe nga shteti.

Ndoshta edhe atëherë kishte njerëz që i kërkonin protestës program të plotë qeverisës, strukturë drejtuese, afate, zëdhënës të përsosur dhe garanci se gjithçka do të përfundonte me sukses. Sepse, siç ndodh zakonisht, ka njerëz që nuk marrin pjesë në asgjë, por janë shumë të zotë për t’u shpjeguar të tjerëve se si duhet të protestojnë.

Rosa Parks nuk u ngrit nga vendi. Ky ishte i gjithë “programi” i saj në atë çast.

Më vonë, ajo do të shpjegonte se nuk kishte refuzuar sepse ishte e lodhur fizikisht. Ishte lodhur duke u dorëzuar. Ky ishte thelbi i veprimit të saj. Ajo nuk po kundërshtonte një pasagjer. Po kundërshtonte një sistem që e trajtonte si qytetare të dorës së dytë.

Arrestimi i saj shkaktoi zemërim në komunitetin afro-amerikan të Montgomery-t. Por zemërimi nuk mbeti vetëm një reagim emocional. Ai u kthye në organizim dhe veprim të përbashkët.

Liderët vendas, mes tyre edhe një pastor i ri, ende pak i njohur në atë kohë, me emrin Martin Luther King Jr., organizuan bojkotin e autobusëve publikë.

Afro-amerikanët vendosën të mos i përdornin më autobusët e qytetit. Shkonin në punë në këmbë, ndanin makinat, organizonin transport të përbashkët dhe ndihmonin njëri-tjetrin. Bojkoti zgjati 381 ditë.

Në fillim ishte vetëm Rosa Parks. Pastaj u bënë mijëra.

Por rëndësia e protestës nuk qëndron vetëm te numri i njerëzve që iu bashkuan. Rëndësia qëndron te drejtësia e kauzës dhe te vendosmëria për ta çuar atë deri në fund.

Numrat janë shpesh argumenti i parë që përdoret kundër një proteste. Thuhet se janë pak, se të tjerët nuk kanë dalë, se shumica hesht, se sheshi nuk është mbushur ose se një fotografi nga një kënd i caktuar tregon më pak njerëz.

Sipas kësaj logjike, Rosa Parks nuk duhej të kishte refuzuar të ngrihej, sepse në atë çast ishte vetëm. Duhej të priste që të mblidheshin disa mijëra veta në autobus, të bëhej një sondazh dhe pastaj të vendosej nëse diskriminimi ishte vërtet i padrejtë.

Por e drejta nuk bëhet e drejtë vetëm kur e mbështet shumica. Edhe padrejtësia nuk bëhet e pranueshme vetëm sepse shumica hesht.

Çdo protestë e madhe ka nisur nga një numër i vogël njerëzish. Shpesh ka nisur nga një person i vetëm që ka thënë “jo”, ndërsa të tjerët janë përshtatur, kanë heshtur ose janë tallur.

Numrat mund ta bëjnë protestën më të fortë, por nuk e bëjnë kauzën më të drejtë. Kauza është e drejtë ose e padrejtë, pavarësisht se sa njerëz ndodhen në shesh ditën e parë.

Historia e Rosa Parks e tregon qartë këtë. Ajo nuk e ndryshoi sistemin vetëm sepse qëndroi ulur. Refuzimi i saj u bë i fuqishëm sepse të tjerët e kuptuan se çështja nuk ishte vetëm e saj. Ishte çështja e të gjithë atyre që poshtëroheshin çdo ditë.

Në nëntor 1956, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara la në fuqi vendimin që e shpallte segregacionin racial në autobusët publikë antikushtetues. Pas 381 ditësh, bojkoti fitoi.

Sistemi që dukej i pathyeshëm u detyrua të ndryshonte. Jo sepse papritur u bë më i mirë, por sepse qytetarët refuzuan të vazhdonin ta ushqenin me bindjen, heshtjen dhe paratë e tyre.

Sot emri i Rosa Parks gjendet në rrugë, sheshe, shkolla dhe stacione transporti. Njerëzit që mund ta kenë quajtur të marrë, kokëfortë apo të papërgjegjshme janë harruar. Shoferi që thirri policinë për të mbrojtur një ligj të padrejtë është një emër që pothuajse askush nuk e kujton. Gjykatësi që e dënoi është harruar edhe ai gjithashtu. Mijëra që i dërgonin letra kërcënimesh, ata që e hoqën nga puna, ata që e detyruan të braktiste vendlindjen dhe të vendosej në Detroit janë harruar gjithashtu.
Kujtohet vetëm gruaja që ishte lodhur nga padrejtësitë dhe nuk mund të duronte dot më. Bile edhe autobusi në të cilin ajo u ul tani është ekspozuar në Muzeun Henry Ford, në Dearborn, Michigan, si për të kujtuar se një ngjarje e tillë ka ndodhur vërtet dhe për t’i thënë botës se çfarë bën edhe një njeri i vetëm kur ai ngrihet të protestojë.

Next Post
Sot, seancë maratonë në Kuvend. Shtatë institucione ‘japin llogari’ para deputetëve

Sot, seancë maratonë në Kuvend. Shtatë institucione ‘japin llogari’ para deputetëve

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Amnistia penale merr dritën jeshile në Kuvend, Lamallari: Mundësi e dytë për integrim në shoqëri

Protestuesit plagosin 6 policë / Lamallari: Partia e skuthave po paguan mercenarë!

July 23, 2026
U dërgua në burg bashkë me foshnjën, Gjykata e Tiranës urdhëron lirimin e menjëhershëm të 34-vjeçares

U dërgua në burg bashkë me foshnjën, Gjykata e Tiranës urdhëron lirimin e menjëhershëm të 34-vjeçares

July 23, 2026
Me cilën protestë do të negociojë Rama? Me atë të ditës apo me atë të natës?

Protesta e flamingove hyri në çadrën e Lulzim Bashës

July 23, 2026
PD kërkon zgjatjen e afateve për “Territorialen”, PS: Treni ka ikur!

PD kërkon zgjatjen e afateve për “Territorialen”, PS: Treni ka ikur!

July 23, 2026
Houthit sulmojnë cisternat saudite në Detin e Kuq, çmimi i naftës ‘kërcen’ me 5% më tepër

Houthit sulmojnë cisternat saudite në Detin e Kuq, çmimi i naftës ‘kërcen’ me 5% më tepër

July 23, 2026
Bardhi në Kuvend: Policia të ndalë dhunën ndaj të rinjve dhe të moshuarve!

Bardhi në Kuvend: Policia të ndalë dhunën ndaj të rinjve dhe të moshuarve!

July 23, 2026
Nga Luan Shabani në Leonidas Sabanis, postimi i Pirro Dhimës që riktheu plagën e vjetër të sportit shqiptar

Nga Luan Shabani në Leonidas Sabanis, postimi i Pirro Dhimës që riktheu plagën e vjetër të sportit shqiptar

July 23, 2026
LIVE! “Vuani nga Sindroma e Stokholmit”, Berisha sulmon Ballën: Je përfaqësues i karteleve të drogës

LIVE! “Vuani nga Sindroma e Stokholmit”, Berisha sulmon Ballën: Je përfaqësues i karteleve të drogës

July 23, 2026
“E kam shlyer dënimin”, Agron Shehaj përplaset me Gardën, nuk lejohet të futet në Parlament

“E kam shlyer dënimin”, Agron Shehaj përplaset me Gardën, nuk lejohet të futet në Parlament

July 23, 2026
Berisha pas votimit për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar: Lista dinjitoze, përfaqësojnë elitën

“Të shkrihet Kuvendi”, Berisha: Ky është i vetmi vendim i drejtë që Parlamenti mund të marrë sot

July 23, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In