Nga Orest Shurdha
Protesta nisi si revoltë qytetare kundër qeverisjes, por molotovët, dhuna dhe privatizimi politik e lanë pa protagonistin kryesor: popullin.
Kur nisi protesta e ashtuquajtur e flamingove, kishte popull. Madje goxha popull. Familjarë, të rinj e të reja, njerëz që ndoshta nuk e dinin çfarë ishin flamingot, por e dinin mirë pse kishin dalë në shesh: ishin të pakënaqur me qeverisjen dhe kërkonin largimin e Ramës. Sepse, siç ka thënë Xhefersoni, administrata ka parazitë me shumicë, që jetojnë në kurriz të popullit dhe nuk i shërbejnë atij.
Ishte një revoltë që kishte përkrahje përtej militantëve të opozitës. Një pakënaqësi reale, që nuk mund të shpërfillej. Rama i dëgjoi dhe bëri disa përpjekje për të korrigjuar diçka. Por pastaj protesta mori një drejtim tjetër.
Në skenë hyri molotovi, mitralozi me fishekzjarrë, shkulja e semaforëve, shkatërrimi i pllakave të bulevardit, djegia e koshave dhe thyerja e bizneseve private e institucioneve publike.
Dhe bashkë me qetësinë, u largua edhe populli.
Jo se ishte bërë papritur i kënaqur me qeverinë. As se i kishte kaluar revolta. Por çfarë pune kishte populli me molotovët, që në fund të fundit dëmtonin qytetin dhe pronën e tij, jo Ramën? Çfarë lidhjeje kishte pakënaqësia ndaj qeverisë me gurët mbi policinë dhe shkatërrimin e bulevardit? Se koshat e plehrave i përdor populli, jo Rama; se në dyqanët e biznesët, që digjën, psonis populli dhe jo Rama; se në bulevardin e shkalafitur llviz populli, jo Rama; semaforët e shkulura nuk dëmtojnë Ramën, po vetë popullin. plus që do rregullohen nesër me taksat e popullit.
Populli nuk kishte dalë për të bërë luftë me policinë, as për të djegur qytetin. U tërhoq, ndërsa një pjesë e njerëzve që mbetën në shesh morën mikrofonat dhe filluan të flisnin në emër të tij, me një gjuhë rrugaçërore. Një popull që nuk i ndiqte më në shesh, por nga kafenetë dhe shtëpitë.
Dhe ja paradoksi: ata që pretendonin se përfaqësonin popullin, po e largonin atë nga protesta.
Qershia mbi tortë ishte privatizimi i saj nga demokratët e Berishës. Deputetët e PD-së u futën në një protestë që kishte nisur pa ta, por që donin ta përfundonin sipas skenarit të tyre.
Këtu nisi edhe përplasja me protestuesit, mes të cilëve kishte studentë, që thërrisnin: «Rama në burg, Berisha në burg».
Një slogan që prishte gjithë harmoninë e opozitës. Sepse një pjesë e saj kërkonte burgun e Ramës, por nuk pranonte që e njëjta kërkesë të drejtohej edhe ndaj Berishës.
Urdhri nga lart ishte i thjeshtë: «Shkrihuni me protestuesit!». Dhe deputetët u bindën. Vetëm se nuk mund të shkrihesh me një turmë që kërkon edhe burgosjen e liderit tënd, pa u vënë në një pozitë paksa qesharake.
Kështu, protesta që nisi si revoltë popullore, përfundoi mes molotovëve, mikrofonave të politikanëve dhe sloganeve që nuk i kontrollonte dot askush.
Në fillim kishte popull, por mungonte organizimi politik. Në fund kishte organizim politik, por mungonte populli.
Një protestë popullore, pra, që përfundoi pa popull fare.











