Nga Rexhep Qosja
PESËDHJETËVJETORI I
KONGRESIT TË DREJTSHKRIMIT TË GJUHËS SHQIPE
Përvjetor madhështor
Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe, i mbajtur në vitin 1972, është ngjarja më e madhe në historinë e kulturës shqiptare.
Me rëndësinë e tij, me ndikimet e tij shumaspektore në jetën shoqërore, arsimore, kulturore, shpirtërore në përgjithësi të popullit shqiptar ai hyn në radhën e ngjarjeve politike, shoqërore, kombëtare, historike që qe 50 vjet e lëvizin, që e çojnë përpara në pikëpamje kulturore, që e shumëkuptimësojnë dhe e lartësojnë jetën e këtij populli.
Me njësimin e gjuhës letrare shqipe rregullat drejtshkrimore të së cilës janë paraqitur në Kongresin në fjalë, është përplotësuar, është pasuruar, është njësuar gjithëkombëtarisht identiteti i përtashëm dhe historik i shqiptarëve.
Emri i kongresit
Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe ka mundur të quhet edhe ndryshe, ndoshta më saktësisht, më përkatshëm për përmbajtjen dhe për qëllimin e tij: ka mundur të quhet Kongresi i Gjuhës së Njësuar Letrare Shqipe.
Po t’i shohim historitë e miratimit të gjuhëve të njësuara letrare të popujve të Ballkanit dhe të numrit më të madh të popujve të Evropës do të mësojmë se shumica e tyre i kanë quajtur gjuhë letrare, ose gjuhë të letërsisë, ose gjuhë të përbashkëta letrare, kurse ndonjëri prej këtyre popujve e ka quajtur edhe gjuha e njësuar shtetërore.
Pse organizuesit e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe e kanë quajtur kështu e nuk e kanë quajtur si shumica e popujve ballkanikë dhe evropianë: Kongres i Gjuhës Letrare?
Mund të supozohet, megjithëse një varg gjuhëtarësh dhe intelektualësh të tjerë ndoshta nuk do të pajtohen me këtë supozim, pse e kanë quajtur Kongres i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe e jo Kongres i Gjuhës Letrare të Njësuar sepse kanë shpresuar se kështu do të shmangnin mospajtimet eventuale me Kongresin e Gjuhës Letrare Kombëtare ose me Kongresin e Gjuhës Letrare të Njësuar ose me Kongresin e Gjuhës së Përbashkët Letrare, që mund të ishin shumë më të mëdha edhe gjatë mbajtjes së Kongresit e jo vetëm mbas përfundimit të tij.
Megjithëse Drejtshkrimi është mbështetja shkencore mbi të cilën ndërtohet, krijohet gjuha letrare e njësuar, në mendjen e të mospajtuarve me frytet e Kongresit ai i lejon mospajtimet, ndryshimet, plotësimet, që nuk do t’i lejonte Kongresi i Gjuhës Letrare të Njësuar.
Viti i mbajtjes së Kongresit
Viti 1972 është një vit si të ishte i paracaktuar për Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Ai është vit në të cilin sikur ishin përmbledhur dhe dukeshin më qartësisht disa të arritura të përgjithshme në trevat shqiptare e sidomos të arriturat në fushë të arsimit, të kulturës e të shkencës.
Të filluara në vitin 1967 ishin pasuruar dhe përforcuar marrëdhëniet arsimore, shkencore e kulturore mes Shqipërisë e Kosovës. Ndikimi i tyre në komunikimet mendore, shpirtërore mbarëkombëtare ishte i shumanshëm dhe shumë i rëndësishëm.
Shqipëria disa vite më parë ishte liruar prej marrëdhënieve frymëmarrëse me Bashkimin Sovjetik, madje edhe me vendet e tjera komuniste evropiane, kurse prej vitit 1972 po jepte shenja se do të lirohet edhe prej marrëdhënieve diplomatike e shtetërore me Kinën.
Në Shqipëri ishin krijuar një varg institucionesh shkencore e kulturore, kurse me 10 tetor të vitit 1972, ishte krijuar Akademia e Shkencave e Shqipërisë, që i shtonte gjasat e gëzimet për mbajtjen e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Kosova, pas të ashtuquajturit Plenumit të Brioneve në të cilin ishin dënuar terrori e dhuna e Sigurimit të Brendshëm Shtetëror (UDB-së) ndaj shqiptarëve, ishte bërë autonomi me disa të drejta që s’i kishte pasur deri atëherë. Rrita e statusit të saj, megjithëse, siç do të bindemi shpejt, ishte vetëm e përkohshme, dëshmohej sidomos përmes institucionesh të larta arsimore, shkencore e kulturore që u krijuan. E u krijuan, pos Institutit Albanologjik dhe Institutit të Historisë, që ishin krijuar ndonjë vit më herët, Universiteti i Prishtinës dhe Shoqata e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës më 1975, në të vërtetë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
Në qoftë se në vitin 1968, në Konsultën Shkencore të Prishtinës, pajtimet me reformën revolucionare gjuhësore që do të ndodhte në Tiranë në vitin 1972, mund të ishin kryesisht ndjenjore dhe retorike, tani, në vitin 1972, mund të ishin pajtime, gjykime, vlerësime mendimore. Intelektualët e Kosovës: albanologë, historianë, gjuhëtarë, etnografë, folkloristë, pedagogë në Universitet, në shkollat e mesme, në arsimin në përgjithësi, ishin të gatshëm të kuptojnë e të vlerësojnë drejt të sotmen e të ardhmen e fryteve gjithëkombëtare, rëndësinë historike të atij kongresi, që do të quhej Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe.
Me drejtshkrimin e ri, të miratuar në atë Kongres, idealit për të cilin një numër i tyre kishin vuajtur shumë vite burgje serbe e jugosllave i shtohej një përbërës madhor për bashkimin e ardhshëm të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare me Shqipërinë, me Nënën Shqipëri.
Përkrahja me mendje e me zemër që në vitin 1972, pesë ditë para ditës madhështore, 28 nëntorit kur u krijua Shqipëria, ishte përkrahje që i jepej Kongresit prej gjithë shqiptarëve që jetonin në ish Jugosllavi: në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe në një varg qytetesh të republikave të tjera, si në Kroaci, Slloveni e Bosnjë e Hercegovinë.
Organizuesit e Kongresit
Organizues të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe janë albanologët më të shquar, më të çmuar shqiptarë, para së gjithash gjuhëtarët, historianët, shkrimtarët, intelektualët. E të tjerë. Prej të gjithë albanologëve, që merreshin me dije të ndryshme, që e përbëjnë albanologjinë, si më të merituarit përmendeshin gjuhëtarët: Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Jorgji Gjinari, Anastas Dodi, Lirak Dodbiba, Emil Lafe, Engjëll Angoni, Ferdinand Leka, Osman Myderrizi. E të tjerë. Babai i Kongresit, në të vërtetë ishte Androkli Kostallari.
Ata, gjuhëtarët, do ta bëjnë të mundshëm organizimin e atij Kongresi të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe para së gjithash me punën e tyre, me të arriturat në krijimtarinë e tyre në fushat e ndryshme të gjuhësisë, në sajë të të cilave do të bëhet drejtshkrimi i gjuhës letrare të njësuar që do të paraqitet në Kongres, që do të shqyrtohet e do të diskutohet në Kongres e që, më në fund, do të sjellë Projektrezolutën e pastaj Rezolutën e nënshkruar prej 87 delegatëve të Kongresit.
Për të gjitha këto arsye atyre prej opinionit kulturor, politik e kombëtar shqiptar u janë dhuruar të gjitha meritat për krijimin e gjuhës letrare të njësuar.
Me gjithë meritat e tyre të jashtëzakonshme për krijimin e gjuhës së njësuar letrare, gjuhëtarët, albanologët e mëdhenj që e bënë të mundshëm dhe e organizuan atë Kongres nuk janë ideologët e tij të parë. Siç theksohet edhe prej atyre në Projektrezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, themelet e gjuhës së njësuar letrare kombëtare janë hedhur që në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Domethënë: nismëtarët e themelimit të gjuhës letrare të njësuar janë Rilindësit.
Ata, rilindësit do të bëjnë çmos, do të bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme, për krijimin e kushteve politike, kulturore, shoqërore për krijimin e gjuhës letrare të njësuar.
Paraardhësit e Kongresit të Drejtshkrimit
Rilindësit pra do të krijojnë të parët idenë e madhe të gjuhës së njësuar letrare shqipe.
Ata, rilindësit, do të bëjnë përpjekje të pandërprera për ndërtimin e ndërgjegjes kombëtare të bashkatdhetarëve që do t’i bëjë ata përkrahës, kërkues, madje adhurues të gjuhës së njësuar letrare kombëtare.
Ata do të bëjnë përpjekje që t’i lirojnë bashkatdhetarët nga varësia shpirtërore, dhe politike prej dy qendrave ballkanike dhe një qendra evropiane që kishin ndikim shumë të madh e shumë të gjatë në mendjen e në zemrën e tyre: ndikim për interesat e veta e jo të shqiptarëve.
Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për t’i bindur bashkatdhetarët e tyre që në vend të gjuhëve të huaja, në vend të latinishtes, italishtes, greqishtes, turqishtes, arabishtes, persishtes, që ishin gjuhët që e ashtuquajtura elitë shoqërore, ekonomike e politike i përdorte në shkrime e në komunikim, të shkruanin e të flisnin në gjuhën kombëtare – në gjuhën shqipe.
Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që ta mbledhin, ta botojnë e ta popullarizojnë sasiorisht dhe cilësorisht letërsinë popullore dhe në përgjithësi thesarin folklorik. Dhe, këtë do ta arrijnë.
Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që ta zbulojnë, ta bëjnë të njohur e ta studiojnë traditën historike me figurat e saj të lavdishme duke filluar në radhë të parë prej Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Dhe këtë qëllim do ta arrijnë suksesshëm.
Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që të krijojnë letërsinë kombëtare, letërsinë shqipe, dhe këtë qëllim po ashtu do ta arrijnë me veprat e shkruara e të botuara në radhë të parë në kolonitë e tyre në Rumani, Egjipt, Bullgari, Turqi, Itali, Belgjikë, Amerikë e në Atdhe.
Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme që ta arsimojnë popullin dhe që të krijojnë alfabetin e përbashkët kombëtar, pas një numri të dukshëm alfabetesh vetjake, që kishin krijuar disa nga rilindësit. Dhe këtë qëllim shumë të rëndësishëm do ta sendërtojnë me organizimin e Kongresit të Manastirit në vitin 1908.
Ata do të bëjnë përpjekje për krijimin e institucionit të parë politik, shoqëror, shtetëror dhe këtë qëllim do ta realizojnë me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e mandej edhe të Lidhjes Shqiptare të Pejës.
Ata do të bëjnë përpjekje të vazhdueshme të krijojnë shtetin kombëtar shqiptar. Dhe këtë ideal madhështor do ta realizojnë me 28 nëntor 1912 në Vlorë.
Dhe, kështu, rilindësit i krijuan kushtet politike, shoqërore, kulturore, arsimore, ekonomike, kombëtare për predikimin dhe krijimin e gjuhës së njësuar letrare, që do të bëhet më 1972.
Jeronim de Rada krijoi një gjuhë letrare vetjake.
Dhimitër Kamarda propozoi krijimin e një gjuhe të përbashkët shkencore, pa lidhje me gjuhën popullore!
Konstantin Kristoforidhi disa shkrime të tij i botoi në toskërishte dhe në gegërishte, në elbasanishte.
Jani Vreto shkroi, siç e thotë ai, përzjeshëm”, por më shumë gegërisht, kurse fjalët e reja i shkroi në toskërishte e në gegërishte.
Naim Frashëri e Sami Frashëri, megjithëse kanë shkruar toskërisht, krijuan shumë fjalë të reja duke i bazuar në trajtën leksikore e fonetike të gegërishtes.
Në letrën që Jeronim De Radës ia çoi Sami Frashëri shkruan se “të shkruarit duhet t’i shërbejë të gjallurit të gjuhës shqipe dhe të bashkuarit të dialekteve” sepse, thotë, “shumë gjuhë e dialekte sjellin ndarje e mërgim”.
Luigj Gurakuqi shkroi: “e zgjidhëm çështjen e abesë kurse tani do të mundohemi me u marrë vesh edhe për çështje të ortografisë e cila ka rëndësi të madhe për themelimin e një gjuhe letrare shqipe”.
Faik Konica shkroi: “Vetëm shqiptarët s’e kanë një gjuhë të tillë prandaj kanë mbetur të ndarë njëri nga tjetri andaj kanë rrjedhur aq të këqija për neve të mjerët. Është nevoja të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte”.
Asdreni shkroi: “Kam uzdajë se pas të vendosurit e një abetari të përgjithshëm, mbetet edhe ndjehet nevojë t’i jepet një drejtim edhe gjuhës, duke i bashkuar që të dy dialektet Toskë e Gegë”.
Hilë Mosi shkroi: “Kështu po shkojmë edhe ne dalëngadalë, por me kohë, që gjuha jonë me mbërri me pasë një të folme të përmbarshme, të dlirë e të begatë, por edhe me pasë një letërsi kaq të bukur, që me kenë nji ndër më të mirat ndër gjuhët që po fliten në Ballkan”.
E të tjera e të tjera.
Mendimet e sotme për Kongresin e Drejtshkrimit
Është thënë që moti se jeta e çdo ngjarjeje të madhe dhe jeta e çdo ideje të madhe është njëkohësisht edhe dramë e tyre.
Këtë e dëshmon edhe jeta e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Krahas përkrahjes së mirëditur që i jepet prej numrit më të madh të shqiptarëve – të intelektualëve, të studiuesve shkencorë të të gjitha fushave, Kongresi i Drejtshkrimit edhe sot, pesëdhjetë vjet pas mbajtjes së tij, kontestohet prej një numri individësh. Mospajtimet me frytet e këtij Kongresi janë mospajtime dialektore dhe mospajtime politike.
Disa nga mospajtuesit e parë thonë se ai do të duhej të bazohej në gegërishten sepse gegërishtja i ka disa përparësi historike, kurse disa të tjerë thonë se gegërishtja duhet të përfaqësohej më tepër se ç’është e përfaqësuar në Drejtshkrimin e miratuar në atë Kongres.
Mospajtuesit e dytë thonë se Kongresi i Drejtshkrimit ishte prodhim i politikës komuniste, domethënë i diktaturës komuniste, prandaj edhe nuk mund të pranohet.
Mospajtuesit e tretë thonë së Kosova është bërë shtet, se Kongresi i Drejtshkrimit i ka bërë ata qytetarë të rendit të dytë, se kosovarët do të bëhen komb, prandaj shteti i Kosovës dhe Kombi i Kosovës duhet të kenë gjuhën e vet letrare, gjuhën e vet standarde, gjuhën e vet shtetërore.
Le të thuhet se të gjitha këto mospajtime sot, 50 vjet mbasi është mbajtur Kongresi, jehojnë si mospajtime veçuese, separatiste, me të cilat cenohet roli i tij bashkues mbarëkombëtar.
E quaj fat për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve pse Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe është mbajtur në kohën në të cilën është mbajtur. Mos të ishte mbajtur atëherë natyrisht me pajtimin dhe madje përkrahjen e të parëve të institucioneve shtetërore kombëtare kundërshtarët e tij ndoshta nuk do të lejonin të mbahej kurrë!
Me të, me drejtshkrimin e tij, është krijuar gjuha standarde shqipe, gjuhë e njësuar, e përbashkët letrare shqipe.
Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë me këtë Gjuhë të Njësuar Letrare të gjithë krijuesve shqiptarë – shkrimtarë, studiues shkencorë, publicistë e të tjerë u dhurohet mundësia që shkrimet e tyre të lexohen e të kuptohen prej të gjithë bashkëkombësve, të gjithë bashkatdhetarëve pa pengesat më të vogla a më të mëdha që mund të kishin kur shkruanin në njërin prej dialekteve.
Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë me këtë Gjuhë Letrare të Njësuar të gjithë shqiptarëve, të gjithë bashkëkombësve, të gjithë nënshtetasve, pavarësisht të cilit dialekt i përkasin, u krijohet mundësia që të merren vesh më lehtë, pa kufizimet kur më të dukshme e kur më të padukshme që i kishin kur komunikonin në dialekte a në të folme vendore.
Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë më këtë Gjuhë Letrare të Njësuar kultura dhe qytetërimi shqiptar barazohen në të gjitha pikëpamjet me kulturat dhe qytetërimet e popujve të cilët që sa e sa kohë mburren me frytet mendore, artistike, shkencore e filozofike që ia kanë dhuruar njerëzimit në gjuhën letrare kombëtare, që ishte gjuhë e tyre shtetërore e diplomatike.
Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë me këtë Gjuhë Letrare të Njësuar në jetën shoqërore e kulturore kombëtare e ndërkombëtare të shqiptarëve sendërtohet shumë domethënshëm një vlerë madhore e të drejtave të njeriut: sendërtohet barazia e dinjiteteve.
Me të, me këtë Drejtshkrim, në të vërtetë me këtë gjuhë letrare të njësuar, varroset përgjithmonë përpjekja e Serbisë për t’i ndarë shqiptarët në dy kombe: në kombin e, si e thotë ajo, albancave që përbëjnë Shqipërinë dhe në kombin e shqiptarëve, në të vërtetë shiftarëve, si na quante përbuzshëm, që përbëjnë kombin kosovar, Kosovën!
Mjerisht përpjekjet për krijimin e kombit kosovar, domethënë për ndarjen, ndarjen e shqiptarëve në dy kombe sot po i vazhdojnë disa nga bashkëkombësit, bashkatdhetarët tonë në Kosovë e në Shqipëri. Por është shumë e sigurt se ato përpjekje do të dështojnë plotësisht. Shqiptarët, kudo janë, ishin, janë e do të jenë përgjithmonë, përgjithmonë Një Komb, kurse Shqipëria e Kosova një Shtet.
E me të, me këtë Drejtshkrim, me këtë Gjuhë të njësuar letrare, që po ia kremtojmë 50-vjetorin, të përtashmes dhe të ardhmes së Kombit shqiptar i është dhuruar përbërësi më i rëndësishëm që e pasuron, e zgjeron, e përforcon, e lartëson, e bën të përjetshëm kohezionin shpirtëror, kulturor, politik, dhe etik të Kombit shqiptar.
Jetojmë në kohë të ngritjes historike të popullit shqiptar.
Ky privilegj që i është dhuruar brezit tonë na obligon të jemi të vetëdijshëm për të dhe të bëjmë krejt çka është e nevojshme dhe krejt çka mundemi me mendjen tonë, me dijen tonë, me fuqinë tonë, me përbashkësinë tonë, për ta sendërtuar në të gjitha pikëpamjet atë ngritje historike që do të dëshmohej posaçërisht me rritjen e me pasurimin e kulturës e të qytetërimit tonë.
Të mos harrojmë se të gjitha epokat e mëdha janë të mëdha në sajë të kulturës e të qytetërimit dhe të gjuhës së tyre të gjithëdomethënshme e të gjithënjëshme, siç është gjuha jonë letrare e njësuar vjetorin madhështor të së cilës po e shënojmë edhe me këtë konferencë shkencore.