Situata e krijuar nga moti i keq dhe reshjet e dendura të ditëve të fundit ka vënë në gatishmëri të plotë të gjitha strukturat e emergjencave civile në Qarkun e Durrësit. Pas mbledhjes së Shtabit të Emergjencave Civile, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, doli në një komunikim për mediat, ku bëri të ditur se situata është agravuar gjatë 24 orëve të fundit dhe se në disa zona ka nisur evakuimi i banorëve.
“Sapo kemi përfunduar mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile këtu në Prefekturën e Durrësit, ku marrin pjesë të gjithë titullarët e institucioneve që janë pjesë e mekanizmit të Emergjencave Civile”, deklaroi Koçiu, duke theksuar se të gjitha institucionet janë të angazhuara në terren dhe po koordinojnë veprimet për menaxhimin e situatës.
Sipas saj, reshjet e dendura kanë krijuar problematika të konsiderueshme në disa njësi administrative, ku më të prekurat janë Vadardha, Sukthi dhe Katundi i Ri. “Dy nga zonat më problematike janë në njësitë administrative Vadardhë, Sukth dhe në Katundin e Ri. Janë zona ku është instaluar plani i evakuimit dhe po zbatohet nga Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe të gjitha strukturat që janë në gatishmëri”, u shpreh Koçiu.
Ministrja u bëri thirrje banorëve të këtyre zonave që të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës. “Kam një thirrje për të gjithë qytetarët e këtyre zonave të ndjekin udhëzimet e institucioneve, që të mos kemi rrezik për jetën e njerëzve, por edhe për gjënë e gjallë në banesat e tyre”, tha ajo.
Duke folur për prioritetet e momentit, Koçiu theksoi se fokusi kryesor është mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve. “Në këtë moment, ajo që është më e rëndësishmja është jeta e njerëzve. Duhet të shpëtojmë e të mos kemi asnjë incident, e më pas do të shkohet me një plan vlerësimi dhe një plan zhdëmtimi”, deklaroi ministrja, duke shtuar se Bashkia e Durrësit ka nisur paralelisht evidentimin dhe vlerësimin paraprak të dëmeve.
Përmbytjet masive në Durrës, evakuohen 90 banorë nga Katundi i Ri dhe Sukthi
Rreth 90 banorë janë janë evakuar nga Katundi i Ri dhe Sukthi. Burime për mediat bëjnë të ditur se personat e evakuar janë strehuar në struktura hoteliere. Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë përmbytje të shumta në qarkun e Durrësit, ku si pasojë humbi jetën edhe një person.
Nga përmbytjet është prekur jo vetëm Durrësi, por edhe disa qarqe të tjera në Shqipëri si Lezha, Gjiroksatra, Korça, Vlora e Fieri.
Së fundmi situata më alarmante paraqitet në fshatrat përreth lumit Vjosa në Vlorë e Fier, pas daljes së tij nga shtrati.











