Evropa nuk duhet të ngrejë “murin e turpit” për refugjatët e shumtë nga Siria të cilët po trokasin në derën e saj. Apeli është lëshuar nga Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për gazetën italiane “Corriere della Sera”.
Duke folur për krizën e refugjatëve me të cilën po përballet Evropa, Kryeministri Rama u shpreh se Shqipëria nuk do të mbyllë kufinjtë për refugjatët, nëse do t’i duhet të përballet ndonjëherë me një sfidë të tillë. Për shefin e qeverisë shqiptare, është për të qeshur fakti që Evropa ndodhet në mëdyshje për emigrantët, duke u kujtuar se në vitin 1999 një vend i vogël si Shqipëria priti rreth gjysmë milioni qytetarë të Kosovës.
“Mungesa e një politike të qartë në Siri dhe në vendet arabe na ka çuar në një gjendje shumë të rëndë. Shqipëria është një vend shumë i vogël, edhe pse në rritje, kështu që është e vështirë të japim këshilla. Deri tani nuk jemi përballur me këtë sfidë, pasi tendenca është largimi drejt veriut, drejt Gjermanisë. Kur dëgjojmë që ngrihen “muret e turpit” për refugjatët, ne qeshim, pasi në vitin 1999 mirëpritëm gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës. I krijuam mundësinë vendeve të NATO të lironin Kosovën. Nëse ne e mbajtëm atë dyndje, Evropa mund t’ia dalë pa dyshim”, tha Rama.
Sa i përket gazsjellësit TAP, Rama tha se të ndalosh realizimin e këtij projekti është të ndalosh një burim shumë të rëndësishëm për të ardhmen, pasi është një “projekt shumë i rëndësishëm strategjik dhe shumë i favorshëm gjeopolitikisht”.









