Nga Mira Kazhani
Brunilda Zllami është një nga gratë e mençura të këtij vendi. Nuk ka bërë asnjë gabim (në atë ç’ka bie në sy në jetën publike). Shkroi libra që adoleshente dhe vazhdon të jetë sot e kësaj dite shkrimtarja më e shitur në Shqipëri, por nuk u deh pas suksesit dhe iu fut mjekësisë, duke u bërë një mjeke neurologe e zonja. Tani është shefe e urgjencës në një nga spitalet privatë dhe pothuaj nuk ndjek mediat, televizionet, politikën. Ose… shumë pak! Nuk ka interes të dalë nëpër panele. Sheh punën e vet!
“E dua vendin tim në hije”, – thotë ajo -, siç janë shkrimtarët duke shkruar libra dhe ndikuar përmes tyre. Duke i dashur dhe duke u shërbyer pacientëve si një nga ato mjeke që kurrën e kurrës, nuk do pranonte një dhuratë. Para? As në ëndërr! E do vendin me shembullin e vet dhe po, qëndron!
Por në të njëjtën kohë ajo thotë se qëndrimi në prapaskenë është e metë e shoqërisë sonë. Po kur nuk del ajo, imagjino të tjerët?!
Pse heshtin? Pse nuk duan të përzihen? Sepse: Kush e do baltën?! Kush do të shoh veten të bërë tjetër njeri në Facebook a Google?! Kush do t’ia falë jetën atdheut më?!
Ishte një bisedë e mirë me Bruna Zllamin dhe kushedi, mbase dalëngadalë kjo kategoria që refuzohet nga elitat politike, me kast, për t’i fjetur sa më shumë qelizat e mira të shoqërisë, do bëhet më e gjallë.
Ky vend i vogël ka njerëz plot që janë futur hijeve dhe ke ëndje t’i dëgjosh e t’u marrësh një mendje
Një nga ato e takova këtë javë!
Mira Kazhani: Librin e parë të saj e kam lexuar kur isha 14 vjeç, në ballkon, gjatë një vere. Ajo ishte 15 vjeç për vete kur e shkroi. Që pas librit të parë e deri tek libri i radhës, “Fluturimi i fundit” ajo mban pozicionin e shkrimtares më të shitur në Shqipëri. 25 vjet që nuk e lëshon stafetën si Best Seller. Ndërsa punon çdo ditë si mjeke neurologe. Unë herë pas here në këto vite kam menduar ta intervistoj dhe ja ku jemi sot me Brunilda Zllamin.
Bruna, çfarë ka ndodhur që s`jemi takuar gjithë këto vite unë dhe ti?
Brunilda Zllami: Siç duket ishte e destinuar të takoheshim sot. Ne jemi takuar. Derisa ke lexuar librat e mi, padyshim që jemi takuar.
Mira Kazhani: Në jetën reale e kisha fjalën, se në letërsi dhe virtualisht jemi takuar që kur unë isha 14 vjeç.
Brunilda Zllami: Ke takuar pjesën time më të mirë.
Mira Kazhani: Pjesa jote më e mirë është në libra, nuk është në mjekësi?
Brunilda Zllami: Pjesa ime më e mirë është aty ku jam thellësisht e lirë, që është në Letërsi. Pjesa ime më profesionale që ka marrë dedikimin më të madh, impenjimin, ambicien, çdo gjë tjetër ka mbetur në mjekësi. Kështu që unë kam një pjesë të butë dhe me ëndrra dhe kam një pjesë të fortë dhe kokëfortë për të cilat më duket sikur luftoj çdo ditë për to dhe mes tyre.
Mira Kazhani: Pse ke zgjedhur të jesh kaq shumë në prapaskenë? Në kuptimin që ke dhënë shumë pak intervista. I ke të rralla ato. Ka shumë njerëz që me dy libra japin 20 intervista. Ti je vice-versa. Ke 20 libra dhe i ke s`i 2-3 intervista gjatë gjithë kësaj kohe.
Brunilda Zllami: Personalisht unë nuk e konsideroj veten si një personazh publik. Jeta ime private është jeta ime private. Më pëlqen që çdo gjë që kam, ta kem personale. Plus dikush që punon nuk ka edhe kohë, por edhe dëshirë që të jetë gjatë gjithë kohës në televizion. Dhe e treta, nuk më pëlqen shumë të mburrem gjatë gjithë kohës. Nëqoftëse ti bën një produkt që është libri, të cilin e bën me shumë dashuri, jep shumë nga vetja jote, kaq mjafton kam përshtypjen.
Mira Kazhani: Jo nuk mjafton Bruna, sepse ne jemi një vend i vogël, por jemi një shoqëri në zhvillim dhe këtu ka shumë nevojë për njerëz me mend që të flasin. Nuk është e thënë që të flasësh për jetën private, por edhe të flasësh për kauza, për çështje të shoqërisë. Se ekranet janë plot, me panelistë.
Brunilda Zllami: Kjo është e vërtetë. Besoj që në vendin tonë ka nevojë për mendje, por nuk kanë nevojë për mendje, sepse nëqoftëse do kishin nevojë për mendje, do gjenin si ta kërkonin. Është e drejtë që kauza përqafohet dhe një individ mund të iniciojë ndryshimin. Megjithatë në mendjen time është bërë shumë e vështirë që dikush të iniciojë ndryshimet për çdolloj gjëje të caktuar këtu në Shqipëri.
Mira Kazhani: Çfarë mendon ti për njerëzit e jetës publike në Shqipëri?
Mira Kazhani: Nuk mendon për politikën, për median, kur shikon në televizor emisionet?
Brunilda Zllami: Politika më ka pëlqyer gjithmonë, media gjithashtu, por ka kohë që nuk më pëlqen më.
Mira Kazhani: Këtë ma thanë, edhe kur të telefonova, të telefonova me ndrojtjen që mund të më thoje Jo. Po nuk më the Jo pastaj.
Brunilda Zllami: Nuk them Jo, aty ku duhet të them Po. (qesh). Media dhe liria ecin bashkë dhe kuptohet, kjo liri iu është dhënë të gjithëve tani, në shumë mënyra. Jo vetëm në median televizive, por edhe atë virtuale. Kjo është një gjë e mirë, sepse ka nxjerrë produkte të cilët nuk do kishin arritur të lexoheshin ndryshe. Është një gjë e keqe, sepse ka krijuar shumë amulli. Pra gjithkush e ka një zë. Realisht ndonjëherë zëri është i dëmshëm se mund të jetë një britmë. Mund të jetë një ulërimë. Mund të jetë një kakofoni. Kështu që edhe zëri duhet përdorur aty ku duhet.
Mira Kazhani: Kur folëm bashkë më the që ke një dashuri shumë të madhe për mjekësinë. Ti i do shumë pacientët. Kur të pyeta që do vendosësh ndonjëherë të shkruash vetëm për libra dhe ta lësh punën e përditshme, të lodhshme shumë në spital, më the që – “do ta bëj këtë Mira, vetëm kur të mos i dua më pacientët dhe t`i shoh ata si numra”. Po raporti i pacientëve me mjekët në Shqipëri si është?
Brunilda Zllami: I vështirë. Shumë i vështirë. Unë jam vajzë mjeku dhe e kam parë raportin e pacientit me mjekun në kohën kur kam qenë vajza e doktorit. Kam qenë fëmijë. Ka qenë një raport i adhurueshëm. Jo për faktin që mjeku kishte një status, po themi më të ngritur. Ishte një lloj respekti i natyrshëm. Doktori ishte burim i mirëqenies së shëndetit të tyre dhe arrinin ta shikonin këtë. Arrinin ta preknin atë. Nuk e di çfarë ndodhi në mjekësi në gjithë këto vite, por raporti i mjekut me pacientin është kthyer shumë i vështirë. Ka gjithmonë një paragjykim për mjekët. Ka gjithmonë një vështrim sikur ata nuk janë ofruesit e shëndetit.
Mira Kazhani: Në disa raste nuk janë vërtet.
Brunilda Zllami: Nuk dua të shprehem për këtë.
Mira Kazhani: Jo të gjithë, por në disa raste. Është sistemi i shëndetësisë që ka një problem në Shqipëri. Çfarë ndodhi, sipas shkrimtares tashmë?
Brunilda Zllami: Sipas shkrimtares, gjithmonë kur gjërat nuk shkojnë duhet dikush që të marrë barrën e të qenit fajtori. Fatkeqësisht, kushdo që erdhi në drejtim edhe në organizimin e pjesës së strukturave shëndetësore, mjekun e vuri përballë gjithçkaje dhe përballë gjithkujt. Padyshim që edhe mjeku ndoshta nuk arriti të adaptohej, qoftë për t`u bërë një forcë unison për ndryshimin, por edhe në konceptin e asaj që ka edhe mjekë që…
Mira Kazhani: A e prishi paraja si koncept shëndetësinë, politikën, gazetarinë, arsimin?
Brunilda Zllami: Absolutisht. Dhe ishte krejt e padenjë. Këta sektorë që janë shumë të rëndësishëm duhet të mos paguheshin në një mënyrë të pandershme dhe të siguronin ardhmërinë e tyre me projekte dhe me dinjitet. Paraja është një formë pushteti. Jo gjithkush është i aftë të qëndrojë përballë tundimit. Jo gjithkush mund të gjykohet. Megjithatë ka pasur shumë mënyra, në shumë kohë që kjo të ndryshonte.
Mira Kazhani: Ti je martuar me shokun tënd të kursit, Stavrin, minoritar nga Saranda, të cilin e ke takuar në Fakultet. Është interesante, ti nga Tropoja, ai nga Saranda, dy ekstreme që janë takuar bashkë. Keni mbi 20 vite që jeni bashkë. Ai punon në QSUT, ju punoni në një spital privat. Prapë dy ekstreme. Kush lodhet më shumë nga ju të dy?
Brunilda Zllami: Kur kthehemi në shtëpi që ankohemi, ne të dy lodhemi tmerrësisht shumë. Kemi profile të ndryshme. Padyshim ai ka një profil më të rëndësishëm fizik, të lodhjes se është mjek anestezist. Kurse pjesa jonë, e patotogjisë, lodhemi më tepër në mënyrën e të punuarit që kemi. Puna në një spital privat është një punë me orar pak më të zgjatur, me një impenjim pak më të madh ndaj pacientëve. Është ndryshe mjeku patolog, është ndryshe mjeku anestezist, edhe në këtë ndërveprim që kemi me pacientët, me ndjekjen, me përgjigjen e telefonatave. Ne pjesës së Patologëve na shtohet edhe ky ndërveprim që nuk mbaron me vizitën. Mund të vazhdojë edhe pas vizitës me një ndjekje të gjatë, edhe kjo është e lodhshme. Por që fatmirësisht njeriun që kam njohur para shumë vitesh, me të njëjtin pasion dhe dashurinë që ndamë për mjekësinë, e shoh që e kemi edhe sot. Të dy e duam shumë profesionin që kemi.
Mira Kazhani: Po grek pse i thua? Kur më the për lodhjen…
Brunilda Zllami: (qesh) Sepse im shoq është shumë pragmatist. Tejskajshmërisht i zgjuar. Çdoherë në një debat unë jam shumë e drejtpërdrejt, ai gjen gjithmonë një mënyrë zbutëse, elegante dhe sa herë që e kuptoj këtë hile të vogël, unë i them grek, por jo në konotacion negativ, por thjesht për të empatizuar inteligjencën e tij, qoftë emocionale, po qoftë edhe natyrale që ka.
Mira Kazhani: Çfarë natyre janë jugorët dhe çfarë natyre janë veriorët, në leximin tënd? Si e ke analizuar ti si shkrimtare?
Brunilda Zllami: Nuk mund të bësh ndarje kaq të prera. Megjithatë pjesa e veriut janë më të drejtpërdrejt, më pak të negocioueshëm, shumë guximtarë dhe tepër ëndërrimtarë. Pjesa e jugut janë më të butë, tejet pragmatist, qoftë edhe në projekte, plane. Zgjedhin gjëra të arritshme, gjëra të cilat kapen lehtësisht në një rrugëtim jetësor. Ne pjesa e veriut kemi ëndrra të mëdha, padyshim, por që kur jeton në një familje e kupton një gjë: që si jugu, si veriu, janë dy familje shqiptare me të njëjtat rregulla, me të njëjtën dashuri për njëri-tjetrin, për fëmijët, pra jemi thellësisht njësoj në strukturimin tonë familjar. Me shumë tradita. Megjithatë këto gjëra të vogla e bëjnë më të bukur një lidhje.
Mira Kazhani: Disa elementë të pattern-it tonë si shoqëri?
Brunilda Zllami: Impulsivë, të lumtur dhe të mërzitur njëkohësisht, të rrëmujshëm, të dashuruar pas politikës. Na pëlqen dukja. Po të filloj, është një listë e gjatë. (Qesh)
Mira Kazhani: Jo vazhdoje, se e di sa kuriozitet ka?
Brunilda Zllami: Ne jemi popull me ngjyra. Me ngjyra domethënë që në aspektin fizik, në atë emocional, në veshje, në sjellje, në çdo gjë. Pra ashtu siç i kemi zonat e bukura natyrale, kemi edhe zonat e bukura njerëzore që ndryshojnë në çdo hap nga njëri-tjetri. E vetmja gjë që do doja të ishte ndryshe këtu, do doja që vërtet një ditë populli ynë dhe ne që qëndrojmë në hije – se ishte e vërtetë ajo që the ‘Themi duhet dikush, po kur është ai kush, kur asnjëri nga ne nuk do… – do doja që populli ynë të impenjohej më shumë për të bërë një jetë më të mirë në çdo aspekt, për vete, për fëmijët. Të kishte interes. Vjen një këngëtar i famshëm, i ke të gjithë në shesh. Ke për të protestuar për një x gjë çfarëdo qoftë kjo, askush nuk proteston. Dhe nuk është tek protesta apo empatia ndaj gëzimit. Se njeriu mund t`i ketë. Po është tek kultura që njeriu nuk mund të pranojnë të papranueshmet.
Mira Kazhani: Po me sa duket është po kaq pattern kjo nevoja për të qëndruar në prapaskenë Bruna. Njerëzit nuk duan të dalin në mejdan. Nuk duan të dalin në jetën publike. Kanë frikë për shumë arsye. Sikur është një mungesë besimi.
Brunilda Zllami: Kushdo që del, e para e punës dhunohet emocionalisht në lloj lloj formash, të dukshme, të padukshme. Askush nuk do të donte të shkatërronte gjithçka që ka ndërtuar për të nisur diçka ku mund të jetë fare i vetmuar. Asnjëri nga ne s`ka për ta ditur ndonjëherë nëqoftëse s`do ta provojë. Megjithatë unë e shoh që kolegët e mi, njerëz që njoh, shumë të ditur dhe me filozofi të rëndësishme për jetën, për politikën, për të ardhmen, të gjithë qëndrojnë realisht në hije.
Mira Kazhani: Një shkrimtare që është best seller në Shqipëri mbledh të ardhura të mira nga librat e saj? Ju konkretisht?
Brunilda Zllami: Realisht letërsia nuk është diçka që paguhet shumë, të jemi të sinqertë. Jam e bindur që asnjë nga ne, as do ulej të shkruante nëse do ishte për të ardhurat e gjeneruara nga librat. Letërsia është diçka për të cilën dikush shkruan me pasion. Madje ka shkrimtarë që janë të gatshëm të paguajnë që librat e tyre të botohen dhe në Shqipëri kjo ka funksionuar rëndësishëm ndër vite. Kështu që unë nuk besoj që letërsia nga ana monetare në Shqipëri do ia vlente. Por që kur do të shkruash je i gatshëm të japësh edhe shpirtin që libri yt të shkojë pranë lexuesve.
Mira Kazhani: Lexueset e tua janë gra kryesisht. Apo gaboj?
Brunilda Zllami: Gratë dhe djemtë dhe të vegjël dhe të rritur, nga shkrimet i shoh të gjithë, por po femrat janë më së shumti.
Mira Kazhani: Ti je konsideruar në Shqipëri si një Danielle Steel amerikane, por edhe si një Isabell Alende e Amerikës Latine. Me kë e gjen veten?
Brunilda Zllami: Në fakt unë jam thjesht Bruna dhe nuk më pëlqejnë krahasimet. (qesh)
Mira Kazhani: Po krahasime simpatike ishin gjithsesi.
Brunilda Zllami: Nuk e kam tek të qenit simpatik të çështjes, por nuk më pëlqejnë krahasimet.
Mira Kazhani: Si je si natyrë? Çfarë raporti ke me paratë?
Brunilda Zllami: Shumë të keqe. Tmerrësisht të keqe.
Mira Kazhani: I prish shumë, i do shumë apo s`i do fare? S`të interesojnë?
Brunilda Zllami: S`i dua fare… I vlerësoj, sepse nuk mund të jem kaq e pazgjuar në këtë pjesë, por marrëdhëniet e mia me paranë kanë qenë gjithmonë të tmerrshme.
Mira Kazhani: Diçka do kesh mësuar nga greku në gjithë këto vite. (qesh)
Brunilda Zllami: Asnjëherë nuk e di sa lekë kam në çantë. Gjithmonë im shoq e mbush portofolin. Sikur mos ta bënte edhe do harroja. Asnjëherë nuk interesohem të marr atë për të cilën duhet të paguhem. Kjo nuk është gjë e mirë. Nuk jua këshilloj. Kjo është marrëdhënia ime me paratë. Në rast se paratë do ishin në dorën time do jetonim në çadër padyshim (qesh), sepse nuk do dija t`i menaxhoja.
Mira Kazhani: E mirë, duke parë yjet kushedi sa libra do shkruaje nën çadër.
Brunilda Zllami: Po shumë shumë, po nuk e di a do ta kisha edhe burrin aty për të parë yjet. (qesh)
Mira Kazhani: Jo ai, me ato tipare që i ke dhënë nuk ka shanse të jetojë në çadër. (qesh)
Brunilda Zllami: Mund të më respektonte sa të shikoja unë yjet.
Mira Kazhani: “Due cuore, una capanna”, “Dy zemra, një kasolle”…
Nuk e di, të ka ndodhur ndonjëherë për shembull që një pacient të të ofrojë para?
(Mira Kazhani lëviz kokën si për ta pyetur a i ka pranuar ato?)
Mira Kazhani: Ti je në një spital privat. Tendencat që aty të vijnë të varfër janë më të vogla. Kështu që besoj se është vend i njerëzve që kanë mundësi. Që jetojnë mirë. Si sillen të pasurit? Si i sheh ata?
Brunilda Zllami: Varet çfarë do të thuash me të pasur. Sepse brenda klasës së të pasurve ka njerëz të shkolluar, të lexuar, të kultururar. Ka edhe njerëz të sapopasuruar. Njerëz që mendojnë se me para mund të blejnë gjithçka. Unë nuk do ta zgjas më tutje këtë, sepse nuk mund të flas për pacientët.
Mira Kazhani: Dole nga situata me shumë zgjuarsi. Këtu e bëre si shkrimtare.
Brunilda Zllami: A thua? (qesh)
Mira Kazhani: Çfarë raporti ke me vendlindjen tënde Tropojën dhe si je ndjerë ti në ato vitet e para. Ti ke ardhur 18 vjeçe këtu studente. Pas ’97-ës, studente nga Tropoja në Tiranë.
Brunilda Zllami: Tropoja nuk është vendlindja ime thjesht. Kam përshtypjen që printi i saj është tek unë gjenetikisht, po tamam në çdo element. E dua pafundësisht, sepse nuk mund të isha as kjo që jam, as do ta doja veten, në rast se nuk do ta kisha atë kujtimin, formësimin, qenien time atje. Më bie të shkoj shumë rrallë tani, por sa herë që shkoj sikur e ndjej kur kaloj. Se ne udhëtojmë kryesisht nga Gjakova për të shkuar në Tropojë, po e ndjej sapo futemi dhe nuk është thjesht kufiri. Është thjesht që e ndjej.
Brunilda Zllami: Është ajri. Janë kujtimet. Është fëmijëria. Në çdo vend, pavarësisht se kanë ndryshuar gjërat dhe stërmundohesh për të parë pikërisht atë copëzën e vogël që ke ruajtur në mendjen tënde, e gjen padyshim veten të lumtur natyralisht. Dhe thua si ka mundësi? Çfarë është kjo lumturi ndryshe nga këto që njoh. Se lumturia është bërë shumë e çmuar për ta gjetur tani. Është pikërisht ai gëzimi naiv i fëmijërisë, i kujtimeve, i momenteve që janë të pakthyeshme në jetë. Kështu që lidhja ime me vendin ku kam lindur është thjesht një lidhje e pandryshuar.
Mira Kazhani: Stavri çfarë mendon për Tropojën? Besoj për herë të parë në jetën e vetë ka shkuar me ty atje?
Brunilda Zllami: Po. (qesh) I pëlqen si vend. I duket shumë i thepisur, sepse ideja e Stavrit për malet ishte në madhësinë e një kodre. (qesh)
Mira Kazhani: Ka ndryshuar dashuria e dashur shkrimtare?
Brunilda Zllami: Dashuria ndryshon dhe evoluon. Ndryshojmë dhe ne, ndryshon dhe koha. Gjëja që më pëlqen në dashurinë tonë është se ne jemi shumë miq. Nuk është “të dua, kam nevojë për ty”, por asgjë që bëjmë, po nuk ia thamë njëri-tjetrit ndihemi totalisht të paplotë. Mendimi që ka më shumë rëndësi në jetën time dhe anasjelltas janë pikërisht mendimi im dhe i atij. Është bërë më e butë. Është bërë më e natyrshme. Sërish është shumë e bukur.
Mira Kazhani: Yuval Harari është ai profesori i historisë që flet shumë për algoritmet dhe për ndryshimet që do t`i vijnë botës nga teknologjjia. Në një nga ato thotë se do kemi probleme me dashurinë. Do ketë depresion dhe mungesë dashurie.
Brunilda Zllami: Unë besoj që dashuria do ngelet gjithmonë dashuri. Është ajo që na bën njerëz dhe pavarësisht në do jetë me shpatë si dikur, apo do jetë me letra të zjarrta…
Mira Kazhani: Me princin dhe me kal ka kohë që nuk është se nuk e kemi parë asnjë kalin… Ka ngodhur kali.
Brunilda Zllami: Siç duket është tek kali. (qesh) Po dashuria do ekzistojë.
Mira Kazhani: Ok, ky është lajm i mirë.
Brunilda Zllami: Mund të besosh kë të duash.
Mira Kazhani: Çfarë mund të jetë njerëzimi pa dashurinë?
Mira Kazhani: Pa libra romantikë?
Brunilda Zllami: Nuk e di. Pa libra fare. Sepse në çdo copëz, kushdo që të shkruajë diçka, dashuria do jetë një element pa dyshim.
Mira Kazhani: Bruna Zllami të falenderoj! Ishte një rrëfim shumë i mirë! Përgjithësisht shkrimtarët thonë që nuk e kanë aq të lehtë në intervista sa e kanë kur shkruajnë, po kishe sens humori.
Brunilda Zllami: Ashtu është.
Mira Kazhani: Mua më erdhi shumë e vërtetë. Pashë çunat – se ndërkohë që unë bëj intervista, e kam mendjen edhe sesi po reagojnë ata – dhe kur ata qeshin dhe e shijojnë, e kuptoj që gjërat kanë shkuar mirë.
Brunilda Zllami: Mira, faleminderit për ftesën! Ju uroj shumë suksese!
Tiranapost.al