PS mban pezull mandatin e Arben Ndokës, nuk e dorëzon në Kuvend
Pas “manovrës” që Partia Socialiste bëri me mandatin e Mimi Kodhelit si deputete e Qarkut të Lezhës për ta zëvendësuar nga i treti në listën shumemërore, Arben Ndoka, duke shmangur dy kandidatet femra, Merjeme Delishin dhe Mirela Nelin, duket se e majta është duke gjetur një zgjidhje që do të sjellë në Kuvend një emër të pranueshëm për të.
Pas dorëheqjes nga mandati të deputetit Arben Ndoka, PS është gjendur në vështirësi për të kryer në mënyrë të menjëhershme zëvendësimin e tij me emrat që kanë mbetur në listën shumemërore për këtë qark, për shkak se në këtë listë janë Ndrec Deda, i cili aktualisht është duke ushtruar mandatin e të zgjedhurit si kryebashkiak i Mirditës si dhe Eduard Ndocaj e Kastriot Piroli, njëri i padëshiruar në parti, tjetri ka kryer dy muaj burg. Për këtë shkak, e majta po vijon të mbajë pezull kërkesën e dorëheqjes së deputetit Ndoka, duke mos e dorëzuar atë në sekretariatin e Kuvendit, nga ku do të protokollohet e më pas do t’i kalojë për shqyrtim Këshillit për Mandatet e më pas vijojnë procedurat e zëvendësimit nga KQZ.
Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla, konfirmon se “deri më tani nuk më ka ardhur në zyrë asnjë kërkesë nga PS për të kërkuar zëvendësimin e mandatit të deputetit Arben Ndoka”. Ndërkohë që të kontaktuar nga PS nuk japin një përgjigje zyrtare në lidhje me këtë vonesë për të zëvendësuar mandatin e deputetit. Nga ana tjetër, mësohet se partia më e madhe e koalicionit të majtë, përballë këtij rasti të paprecedentë, është duke shqyrtuar të gjithë mundësitë që në Parlament të hyjë një kandidaturë e pranueshme. Sipas burimeve pranë së majtës, dy janë mundësitë që po diskutohen në tryezën e PS. E para, është ajo që mandatin e ish-deputetit Ndoka t’ia kalojnë Ndrec Dedës, i cili më parë duhet që të lërë atë të drejtuesit të pushtetit vendor për Bashkinë e Mirditës.
Mundësia e dytë është ajo e rishikimit të qëndrimit të kandidates për deputete Mirela Nelit, e cila nuk e ka bërë betimin në Parlament si deputete, por ka refuzuar që të marrë mandatin e lënë nga Merjeme Delishi. Edhe pse Deda ka sqaruar pak ditë më parë se nuk i është kërkuar që të lërë mandatin e drejtuesit vendor, kandidati tjetër në listë, Ndocaj nuk ka ngurruar që ta quajë veten deputet të Qarkut të Lezhës, duke i dërguar madje edhe një letër kryeparlamentarit Meta, ku i kërkon që të përshpejtojë procedurat e zëvendësimit të mandatit të Ndokës, duke mos ditur faktin që ngërçi qëndron te PS, partia që e ka bërë pjesë të listës për deputet dhe jo te Meta.









