Nga Bjorn Runa
Teksa ka hyrë tashmë në javën e saj të dytë, protesta për ‘Zvërnecin,’ e cila ka marrë trajtën e qartë të një lëvizjeje anti establishment, po prodhon dita-ditës edhe një paradoks mjaft domethënës. Ajo po rezulton shumë më e mëdhe se sa partitë e reja, që vitet e fundit e kanë patur pjesë qendrore të retorikës së tyre luftën ndaj establishmentit politik.
Gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 majit 2025, tri partitë që kanë hyrë për herë të parë në parlament, e ndërtuan identitetin e tyre mbi fabulën se regjimi ishte i lodhur në çdo aspekt dhe se nuk kishte më çfarë të jepte. Në fakt, ato u vendosën haptas përballë dyshes mbytëse Rama-Berisha, duke i akuzuar ata se praktikisht e kanë zaptuar politikën shqiptare dhe kishin të drejtë.
Teorikisht, ky do duhej të ishte momenti i tyre, por pikërisht tani që zemërimi i njerëzve ka shpërthyer në rrugë, ato duket se janë ‘tretur’ brenda turmës. Për disa prej tyre, kjo ishte e parashikueshme. Për shembull, “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt ishte e pashpresë qysh në fillim sepse nuk ofron tjetër veç një patriotizmi folklorik bosh, që mund ta mbajë gjallë përkohësisht mllefin me flamuj dhe teatralitet, por nga ana tjetër e ka të pamundur të vendosë seriozisht gishtin në plagët e shoqërisë për t’i diagnostikuar ato politikisht. “Mundësia” e Agron Shehajt, nga ana tjetër, nuk ka qenë kurrë e vendosur se cilit kah politik i përket. Në përpjekjen e saj për të kapur algoritmin e rrjeteve sociale, shafqet si e majtë radikale, por e humbet toruan sapo kjo i vihet në dukje. Mjafton të kujtojmë nervozizmin e kreut të saj pak ditë më parë në parlament, teksa i kërkonte me ngulm Kryetarit të Kuvendit të sqaronte se kush ishte “Adam Smithi” e kush “Marksi” i parlamentit. Me sa duket, mungesën e qartësisë ideologjike nuk kanë frikë ta mbushin me MUNDËSINË e të shfaqurit qesharakë në sytë e njerëzve. E vetmja forcë e re që mund të kishte bërë diçka më serioze është Lëvizja Bashkë. Në fakt, është e vetmja parti aktivistët e të cilës kanë qenë aty qysh në nisje të problemit dhe e gjithë çështja përputhet në mënyrë thuajse të përsosur me terrënin politik që Lëvizja pretendon se përfaqëson. Nëse vendi ka patur ndonjëherë një protestë ku zërat e të majtës progresiste do duhej jo vetëm të merrnin pjesë por të përcaktonin termat e debatit, kjo që po ndodh prej dy javësh është ajo sepse është në thelb një protestë e majtë, edhe nëse një pjesë e mirë e protestuesve nuk janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë. Sado patriotik të tingëllojë slogani “Shqipëria nuk është në shitje,” kuptimi real i tij dhe më i thjeshtë i tij mbetet antikapitalist. Por, kompleksimi nga etiketimet si neomarksistë dhe komunistë duket se i ka stepur nga marrja e një roli më qëndror. Për më tepër “fushata” e tyre përgjatë dy viteve të fundit ka qenë përqëndruar tek pensionistët dhe minator, një grup realisht në vështirësi ekonomike, por që nuk kanë qenë ata dhe problemet e tyre në bulevard këto ditë. Madje, shumica as që e imagjinojnë dot se mund të ketë një force të majtë veç Partisë Socialiste, të cilën e identifikojnë ende me PPSH-në e dikurshme.
Për më tepër, protesta bën bashkë një sërë çështjesh nga privatizimi i pasurisë publike, tek shqetësimi për mjedisin, pabarazia dhe kapja e shtetit ndër të tjera. Madje kjo ka qenë edhe një nga gjërat kryesore për të cilën është sulmuar si një protestë jo e sinqertë dhe e vetmja gjuhë që mund t’i bashkojë të gjitha këto çështje pa i dhënë protestës notat e një zemërate të zakonshme anti korrupsion apo anti Rama, është gjuha e së majtës. Por, edhe Lëvizja Bashkë nuk ia doli dot të bëhej pika që ngjyros gotën. Përkundrazi duket se edhe ajo po ‘tretet’ brenda masës së njerëzve në bulevard.
Kjo nuk duhet lexuar si kritikë ndaj tyre dhe mbështetje ndaj mazhorancës. Përkundrazi, fakti se kjo e fundit po ‘godet’ në çdo drejtim në mënyrë të pakontrolluar është tregues se protesta e ka lëkundur në mënyrë të konsiderueshme qetësinë e pushtetit, por njëkohësisht ka arritur të krijojë edhe një gjuhë emocionale të përbashkët në luftën kundër establishmentit, çka partitë e reja dukshëm nuk po ia dalin ta bëjnë. Ndërsa slogani “Shqipëria nuk është në shitje” mund të tingëllojë abstrakt dhe shumë i gjerë për disa, ai është në fakt më i fuqishëm se sa shumë programe elektorale sepse ka prekur nervin e konfliktit, pasi po iu thotë njerëzve se ka disa gjëra që nuk mund t’i nënshtrohen logjikës së tregut dhe të fitimit. Por në vend që ta kthenin këtë frazë në boshtin e tyre politik, partitë establishment mbetën në skajet e protestës.
Leksioni i protestës për ta është se të qenit anti establishment nuk mjafton. Në fakt teksa protesta rritet, gjithnjë e më shumë njerëz dhe grupe po e pretendojnë diçka të tillë. Madje, edhe njerëz që kanë lindur nga sistemi, tashmë kanë mësuar si ta mallkojnë atë. Misioni sfidues sot është të përcaktohet qartësisht se kush është establishmenti. Nëse atë e përfaqëson vetëm Rama, atëherë çdo forcë opozitare mund ta marrë flamurin e luftës kundër establishmentit. Nëse është vetëm korrupsioni, atëherë do na duhet të mjaftohemi me përmbushjen e procedurave më të pastra dhe më transparente. Por nëse establishment është aleanca mes shtetit, kapitalit privat dhe përjashtimeve ligjore, atëhere protesta duhet ta thellojë shumë më tepër retorikën e saj dhe kjo retorikë, e pranojmë ose jo, është më pranë të majtës.











