Nga Ilir Yzeiri
Vështruar nga perspektiva e sotme, miti i krijimit të shtetit shqiptar, ka nevojë të ridimensionohet. Pasi dështuan betejat me armë për pavarësinë, Ismail Qemali dhe një grup patriotësh shpallën mëvetësinë në Vlorë. Por u desh Konferenca e Ambasadorëve të Londrës që të përcaktonte kufijtë, më saktë, të copëtonte territorin e shqiptarëve duke shpërblyer fqinjët e Veriut e të Jugut me territore nga i yni.
Kosova sot është një shtet më vete dhe sapo festoi 18-vjetorin e Pavarësisë. Pas rënies së diktaturës dhe pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në Ballkan është rritur pesha e shqiptarëve. Shqiptarët në Mal të Zi apo ata në Maqedoninë e Veriut sot kanë më shumë të drejta se më parë. Megjithatë dy shtetet me shqiptarë, Shqipëria e Kosova vijojnë të mbyten më së shumti nga grindjet e brendshme dhe nuk po arrijnë të krijojnë një model europian të qeverisjes që do t’u jepte atyre dinjitetin e duhur. Katër drejtues të njohur të UÇK-së mbahen prej 6 vjetësh në burg dhe Prokurori Special kërkoi për secilin prej tyre 45 vjet burgim.
Në Shqipëri, numri i të burogosrve pa gjyq në raport me popullsinë është gati i përafërt me atë të Rusisë. Por si të mos mjaftonte kjo, narrativa politike në të dyja shtetet me shqiptarë zien nga urrjetja ndaj-njëri tjetrit. Në Shqipëri, tranzicioni i gjatë dhe i lodhshëm është mbërthyer e ka ngecur në vend nga autori i vetëm i destruksionit politik, social e kulturor që është Sali Berisha. Pasi rrëmbeu me dhunë kreun e PD-së dhe pasi u shpall non grata nga amerikanët, britanikët dhe tani në fund, i izoluar edhe nga europianët, ai dhe ndjekësit e tij të paktë kanë shpallur si devizë molotovin mbi forcat e rendit dhe mbi kryeministrinë.
Në Kosovë ndarja politike nuk është aq e thellë dhe e vrazhdë sa në Shqipëri, por urrejtja dhe mospranimi i tjetrit janë njësoj. Në këto kushte, të gjithë harrojnë se Pavarësia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, janë në tërësinë e tyre vullnet politik i SHBA-ve dhe Europës. Sot, kur rendi i ri botëror është vënë në pikëpyetje, shqiptarët nuk mund të kenë luksin që të qeverisen sikur janë qendra e Ballkanit.
Konflikti që ka dalë hapur mes europianëve dhe amerikanëve risjell në vëmendje edhe njëherë përsëritjen e historisë. Nëse në shekullin e XX vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, por edhe të tjerat që pasuan projektuan dhe njohën Shqipërinë që kemi sot, ne nuk duhet të harrojmë se gjithçka që ndodhi më pas vendosej përsëri në tryezat e diplomacisë europiane dhe asaj amerikane në vitin 1920. Orientimi ynë i brendshëm politik gjithnjë ka qenë shkaku i konflikitit. Ahmet Zogu pati meritën e madhe të konsolidimit të shtetit deri në përplasjen me Nolin.
Për fat të keq, ne, në disa raste, e kemi ndarë fatin e brendshëm me fqinjët grabitqarë. Zogu erdhi nga Beogradi dhe u mbështet edhe nga europianët atëherë kur Noli nuk pranoi të bënte zgjedhje parlamentare pas asaj që njihet sie Revolucioni i Qershorit. Noli, njeriu dhe shqiptari më i famshëm, ai që luajti një rol vendimtar në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, nuk pranoi që të dëgjonte europianët dhe kështu i hapi rrugën rikthimit të Zogut. Vitet e mbretërisë shqiptare mund të gjykohen në shumë rrafshe, por ato gjithsesi e konsoliduan shtetin shqiptar. Ajo që ndodhi me ardhjen e komunistëve dihet. Por ajo që harrohet shpesh është vetëdija që u krijua dhe u mbajt ndezur ndër shqiptarë se Kosova nuk është Serbi gjatë gjithë asaj periudhe që quhet si Lufta e Ftohtë. Dhe që nga viti 1998 ne kemi një realitet tjetër.
Ky realitet u shfaq edhe në takimin e fundit të Bordit të Paqes në Uashington, aty ku presidenti amerikan mbajti një fjalim sipas sitilit të tij, por pikërisht aty, Edi Rama u shfaq si një diplomat karriere dhe i dha një dimension tjetër çështjes shqiptare. Në anën tjetër presidentja Osmani u shfaq si një garanci më shumë për mbështetjen amerikane. Mirëpo e gjitha kjo vetëm sa e rriti personalitetin e Edi Ramës dhe e shfaqi atë si një lider nacional-romantik që në arenën ndërkombëtare ka si prioritet çështjen shqiptare.
Ndërkaq, ai e di se kur të vijë në Shqipëri do të gjejë të njëjtin vend që vuan nga dhuna e opozitës, që tani në fund po shfaq simptomat e shtetit që është kapur nga Republika e Prokurorëve dhe se të gjitha reformat që ndërmerren nuk frymëzojnë shqiptarët, për shkak se në perceptimin e tyre ky vend është në kaos e në luftë të përhershme politike. Në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm zgjedhjet, por qeverisja e saj është përballë sfidash të vjetra.
Është e paimagjinueshme se si dy vende që aspiruan të rrëzojnë diktaturën, Shqipëria, dhe të fitojë lirinë e pavarësinë nga Serbia- Kosova- këto dy vende nuk po arrijnë të ndërtojnë një shtet që do të zhvillohej nga vetë shqiptarët. Për fat të keq, kjo nuk po ndodh sepse edhe nga Shqipëria edhe nga Kosova të rinjtë largohen e përsëri largohen…











