Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se Shqipëria po ecën mirë me zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së, duke përmbushur 80% të reformave të parashikuara.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, ajo bëri të ditur se vendi ka përfituar deri tani 213 milionë euro dhe se pagesa të tjera priten në javët në vijim.
“Ju ndërmerrni reforma që kompanitë tuaja të jenë konkurruese në tregjet tona të përbashkëta dhe ekonomia juaj integrohet gradualisht. Shqipëria po ecën mirë sa i përket Planit të Rritjes. Keni përmbushur 80% të reformave, keni marrë 213 milionë euro fonde dhe në javët në vijim priten pagesa të tjera. Ne kemi arritur rezultate të mira. Ju jeni bërë pjesë e SEPA-s. Po punojmë për uljen e tarifave roaming. Është një mundësi e mirë që njerëzit të afrohen me njëri-tjetrin”, tha Von der Leyen.
“Dhe sa i përket bizneseve, dhe bashkëpunimin mes bizneseve të BE dhe atyre shqiptare, po ecin shumë mirë. Mesazhi ynë i fundit është ky, zgjerimi është proces me dy kahe, edhe Bashkimi Evropian duhet të jetë gati që të presë anëtarët e rinj. Javën tjetër do kemi rishqyrtim për zgjerimin. Ne do të përcaktojmë edhe udhërrëfyesët, që vlerat demokratike dhe sundimi i ligjit të vazhdojnë. Nesër do vizitojmë shkollën “Emin Duraku”. Kur tërmeti goditi vendin në 2019, unë u thashë që do qëndrojmë krah jush. U rikonstruktuan 63 shkolla përmes programit tonë”, theksoi ajo.











