Dy ditë para se shqiptarët t’i drejtoheshin kutive të votimit më 25 Prill, u konsumua vërtetimi i një teoreme elektorale, nëpërmjet një skeme makiaveliste që duket se ka poshtëruar opozitën dhe mediat pranë saj.
Edi Rama u shfaq në emisionin “Opinion” dhe ndërsa kritikat për fushatën e tij “tallava” vlonin në pjesën dërrmuese të medias, Rama ashtu me tonin e zërit si gjynahqar, si rob modest, i thotë prezantuesit të emisionit:
“Të lutem o Fevzi, të kam sjellë një material, është i vetmi material që të kam sjellë, po munde vendose pak”.
Në ekran u shfaq një nga grackat më të pabesueshme që mund të ndodhin në një fushatë elektorale, u shfaq lideri i opozitës Sali Berisha që në të njëjtën studio një javë para Ramës mbante në duar posterin e një kitaristi amerikan, pa e ditur se kishte rënë në një grackë fatale. Pa e ditur se ai në foto jo vetëm që nuk ishte Erion Veliajn në Iran, por në fakt ai në foto ishte grepi i një historie dhe intrige të nisur para se të fillonte fushata elektorale.
Në fakt pistën e Veliajt të lidhur me inceneratorët dhe Iranin e hodhi televizioni opozitar SyriTV (Piranjat) në javën e parë të fushatës.
Disa indicio sugjerojnë se ky televizion mund të jetë nxitur në mënyrë të tërthortë nga “spin-doctor” të Rilindjes për t’i mëshuar pistës iraniane pa e kuptuar se në fakt ajo që atyre u dukej si “scoop” ishte gropa ku do të binin gafil bashkë me Berishën.
Pas emisionit të Piranjave, Berisha vijoi akuzat me Iranin duke i mëshuar thuajse përditë lidhjeve të supozuara të Veliajt me inceneratorët dhe Iranin, deri në stadin final të operacionit kur Berisha gëlltiti pa verifikuar një informacion karem që ju dërgua me fotot e kitaristit.
Kjo ishte dhe etapa e fundit e grackës, që i vuri vulën poshtërimit të Berishës në radhë të parë por dhe mediave opozitare që i mëshonin historive me Iranin.
Gjithë fabula e ndërtuar për tre javë nga opozita, u shkërrmoq me turp kur shqiptarët mësuan në “prime-time” nga kryeministri i vendit, se personi që akuzohej si Veliajn në Iran, në fakt ishte kitaristi amerikan Joe Walsh.
E gjithë kjo trajektore ngjarjesh flet jo vetëm për dërrmimin me turp të propagandës opozitare por edhe për një skemë mediatike “profesorati” të përdorur nga nëpërmjet nocionit të vërtetimit të teoremës.
Rilindja jo vetëm zgjodhi tallavanë si kolonë zanore të fushatës, por me skemë kurthi dhe vërtetim teoreme, provoi katërcipërisht se përballë kishte sharlatanë dhe mashtrues ordinerë të cilët nuk ja vlente të merreshin seriozisht.
Kur Rama e denoncoi në Opinion atë që kishte ndodhur, për herë të parë oponentët e zakonshëm të rrjeteve sociale nuk e kritikuan në daljen e tij, befasia i kishte kapur të gjithë, drejtuesi I opozitës Berisha ishte zbuluar gafil me posterin e kitaristit në dorë.
Ndërtimi i këtij kurthi dhe skenari goditi njëherësh dhe kauzën e inceneratorëve sepse akuzat rezultuan të turpshme dhe behote.
Nga ana tjetër gjithë analistët mediatikë që kritikonin tallavanë apo makinerinë e regjimit në fushatë, morën një përgjigje asgjesuese:
Me se doni ta bëjmë fushatën me tingujt e Joe Walsh?
Për çfarë regjimi e keni fjalën, faji i regjimit është që kundërshtarët tanë janë kaq idiotë?
Denoncimi i Ramës me fabulën e kitaristit ishte vërtetimi absolut i teoremës që Rilindja kishte thurur me tallava, duke i nxjerrë kundërshtarët totalisht leshko.
Dukej sikur të gjithë kuptuan se në fushëbetejë kishte zbritur Reali i Madridit dhe përballë kishte ekipin e Roskovecit.
E gjithë kjo fabul ishte një demonstrim dhe leksion i pamëshirshëm se si opozita dhe media opozitare që i ndërton kauzat mbi mashtrimin, entuziazmin dhe vrullin tribal, mund të përfundojë jo vetëm e mundur dhe e diskretituar, por dhe e patentuar si “garnizon idiotësh”, me vërtetim teoreme./ Hashtag.al