Një hetim nëntë mujor i më shumë se 400 gazetarëve nga e gjithë bota, mbi një “mal” prej 11 milion emailesh të shtrira në periudhën 1977-2015 – ky është në shifra skandali Panama Papers, siç quhet tashmë, i cili po trondit botën e politikanëve të lartë, krerëve të shteteve, miliarderëve, sportistëve të njohur e shefave të firmave gjigande.
Fjala është për rrjedhjen më të madhe të dokumentave që ka rënë deri me sot në duart e shtypit. Bëhet fjalë për fakte mbi fshehjen e parave që njerëzit më të fuqishem të globit bënin në ato që quhen parajsa fiskale. Kompani fantazma, fonde investimesh false etj. Panam Papers sapo ka shpërthyer dhe para saj, Wikileaks duket një ngjarje e vogël. Pasojat duken tronditëse.
Afera pothuajse sapo ka shpërthyer, por përsëri konsiderohet si një nga zbulimet më të mëdha të historisë së gazetarisë. Plot 11 milione emaile të zbuluara nga arkivat e kabinetit panamez Mossack Fonseca, tregojnë se si i fshehin paratë përmes shoqërive offshore, politikanët, njerzit e krimit, sportistët dhe milariderët që duan ti fshihen taksave. Sipas gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung që ka nisur këtë investigim në rrjetën e këtyre dokumentave sekrete të zbuluara kanë rënë deri më tani presidenti Rus Vladimir Putin, kryeministri islandez Sigmundur David Gunnlaugsson, babai i kryeministrit britanik David Cameron, mbreti Saudit, mbreti i Marokut Hasani i dytë, Presidenti i Agjentinës, presidenti i Azerbaixhanit Alijev, presidenti Ukrainas Poroshenko, ish shefi u UEFA-s Michel Platini apo futbollisti Lionel Mesi. Qindra janë emrat e njerëzve të shquar nga vendet kryesore të botës. Me shumë gjase lista do të vijë duke e zgjatur shume shpejt.
Çështjen që tani njohet si « Panama Papers » përveç gazetës gjermane po e studion edhe prestigjozia franceze Le Monde së bashku me Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve investigues (ICIJ). Ata kanë zgjedhur këtë mënyrë bashkëpunimi si në rastin e Wikiliksit, për të përpunuar morinë e madhe të dokumentave. Pikërisht për këtë në projekt janë përfshirë 106 media në mbarë botën dhe së bashku me to plot 370 gazetarë në Francë Gjermani, Indi Rusi, Japoni, ShBA, Brazil Svicër.
“Ky nuk është vetëm zbulimi më i madh gazetaresk i shekullit, por edhe rrjedhja me e madhe e dokumentave në botën e financës” komentonte sot gazeta Le Monde.
Ky skandal planetar filloi të zbulohej nga një burim ende anonim që filloi ti çojë dokumentat sekrete gazetës Süddeutsche Zeitung. Vetëm pasi panë masën e madhe të kësaj miniere ari, gazetarët gjermanë vendosën ta ndajnë atë me partnerët e tyre të përhershëm te cilet nuk kane më asnjë dyshim për autenticitetin e dokumentave që përmban kjo dosje 1500 herë më e madhe sesa Wikiliksi.
Sipas tyre deri tani në të figurojnë emrat e 128 personaliteteve politike të planit të parë në mbarë botën dhe 29 prej 500 njerzve më të pasur në botë sipas klasifikimit të Forbes./Tema/