Demokrati Gazment Bardhi kërkoi ndërprerjen e seancës, për shkak të mungesës në sallën e Kuvendit, të ministres Belinda Balluku. Sipas tij, nuk mund të diskutohet “për performancën energjetike të ndërtesave”.
Nuk hezitoi ta quante ministren “Zegjine Balluku”, pas përplasjeve të fushatës me deputeten socialiste të qarkut Fier, Zegjine Çaushi.
“Zegjine Balluku ka tre seanca që nuk vjen. S’mund të na përgjigjet ministri që nuk është kompetent për sektorin e energjisë, për projektligjin që është në rend dite. Nëse nuk është nismëtari, s’mund të vijohet me shqyrtimin e ligjit”, tha Bardhi.
Përgjigjen lidhur me këtë, ia dha ministri Taulant Balla, i cili do të prezantojë këtë nismë ligjore në emër të Këshillit të Ministrave
“Nenin 73 nuk e kemi ndryshuar asnjëherë! Neni flet për të drejtën e deputetëve për të bërë pyetje dhe neni thotë, nismëtarëve ose anëtarëve të Këshillit të Ministrave që kanë lidhje me projektligjin. Zotrote ke qenë ca kohë në qeveri, në qeverinë e drejtuar nga Edi Rama në fakt. Presim diskutimet, është e kotë që të shpenzoni energji, se morët gjithë ato minuta se pse u shty seanca. Por sa i përket shqyrtimit, nëse doni të bëni pyetje, bujrum. Nëse jo, realisht nuk kemi kohë për të humbur!”

