Petro Koçi ka deklaruar se nuk do ta votonte Reformën e re Territoriale në seancën e 8 tetorit. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, ish-deputeti socialist risolli në vëmendje se ka votuar kundër ndryshimeve kushtetuese në 2008.
“Me shpirt s’do ta votoja Reformën Territoriale. Unë kam votuar kundër ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008, që hyn në një nga ato raste kur statuti i partisë të përjashton”, u shpreh Petro Koçi.
Ish-deputeti po ashtu vuri në dukje se deputetët po e ndiejnë presionin nga poshtë, pasi njerëzit nuk janë dakord me reformën.
“Mund të gjeja një mënyrë abstenimi. S’do ta votoja sepse unë mendoj që bie fjala Patosi s’e meriton të ndahet dhe të rrijë e bashkuar me Fierin, kur ndërkohë kemi Roskovecin që mbetet bashki më vete, dhe Patosi që është një identitet i veçantë. Ka rëndësi nga pikëpamja e ekonomisë, demografisë, etj. etj. Unë besoj se deputetët e ndiejnë presionin nga poshtë, njerëzit s’është se janë dakord, s’është se janë automatikisht dakord”, tha ai.











