Nga Alfred Peza/
Ato i dalloje menjëherë në 48 orët e fundit, edhe mes një milionë të tjerëve. Ia shquaje trishtimin dhe pikëllimin në daljet publike dhe ato televizive, që larg, gjatë këtyre orëve të dhënies së rekomandimit për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.
Fiksojini mirë ato imazhe, ato foto, dhe portrete që patë këto dy ditë, sepse ndoshta nuk i dihet se kur do mund të keni një mundësi të dytë për ti riparë sërisht ashtu. Ndokush mund të jetë ngacmuar aq shumë kjo ky vrer, sa me siguri e ka vrarë mendjen për tu kujtuar se kujt i ngjanin më shumë. Në lëkurën e kujt prej personazhi i kishin hyrë vallë aq fiks nën lëkurë dhe e luanin si të ishin origjinali vetë. Dhe si për dreq, vetëvetiu të vjen ndërmend Don Kishiti i Mançes, ose “Kalorësi i Fytyrës së Vrerosur”.
Në ndryshim nga kryevepra e Servantesit, çudia ishte se nuk kishim të bënim vetëm me një person të vetëm. As edhe me një Sanço Panço të mirë që i shkon nga pas. Çuditërisht kishim të bënim me më shumë se dy. Me më shumë se tre. Madje ndoshta edhe me më shumë sesa mund të kemi vënë re ne me shikim të lirë. Ndaj, ndoshta kanë qenë më shumë, shumë më shumë sesa ti numëroje me gishtat e njerës, apo të dyja duarve bashkë.
Një skenë që të krijon idenë se mund të kishe të bëje me bashkësinë e “Kalorësve të fytyrave të vrerosura”. Sepse nuk ishin vetëm Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Çuditërisht gjeje po aq, në mos më të vrerorsur se ata vetë, edhe nëpër selitë e partive të tyre në Tiranë. Në Grupet e tyre Parlamentare. Në selitë e partive të qarqeve, nëpër bashki, njësitë administrative e deri në qelizat bazë të organizimit të partive në terren.
Nuk është se ishin shumë si sasi. Ndoshta shquanin, sepse ishin shumë si “cilësi”. Mjaftueshëm për të krijuar një piramidë virtuale, ku në secilën prej hallkave kyçe të saj, do të gjeje ndonjë “kalorës”, “kalorëse”, apo “instruktor kalërimi”, që e ka të lidhur përjetimin dhe emocionet e veta politike dhe jetësore, me “kryekalorësin” apo “kryekalorësen”. Duke I përjetuar qoftë edhe nga distanca, si të ishin të të njëjtit fat, vëllezër e motra siamezë.
Ndaj kur njëri prej tyre tështin, tjetri do të kollitet. Kur njëri mërzitet, tjetri qan. Kur njëri shfaqet plot pezm e helm dhe ia lexon që nga ekrani vrerin, atëherë tjetri bën gati kalin dhe nis shfaqjen prej kalorësi të fytyrës së vrerosur për të tjerët rreth e rrotull.
Të gjitha mund ti kuptosh nga ajo pamje. Edhe hallin. Edhe shqetësimin. Edhe mërzitjen. Edhe mungesën e shpresës. Edhe shqetësimin për të ardhmen. Të afërt apo e largët qoftë. Në këtë vend mungon kultura e të gëzuarit për suksesin e tjetrit, si për tëndin. Edhe ajo që ka të bëjë me njohjen dhe pranimin e meritës së gjithkujt, në përpjestim të drejtë me kontributin. Por ajo që nuk kuptohet në këtë ras, lidhet me pyetjen, se përse nuk arrin që ti gëzohesh, as edhe pjesës që të takon me meritë edhe ty vetë në këtë sukes?!
E vërteta duhet thënë ashtu siç është në realitet: Hedhja e hapit të madh të Shqipërisë në rrugëtimin cfilitës për anëtarësimin në BE,- përveçse e qytetarëve shqiptarë që janë të parët,- është një meritë e barabartë mes opozitës dhe mazhorancës. Mes të majtës dhe të djathës. Mes PS, PD, LSI dhe të gjitha partive të tjera parlamentare që kanë kontribuar përgjatë gjithë këtyre viteve të këtij rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm. Një vendim i tillë, edhe pse ai që është në pushtet duket sikur e mban kurorën e lavdisë momentale mbi kokë, nuk të jep vota.
Arritja tek ky moment historik, është sa për meritë të Sali Berishës, aq edhe të Fatos Nanos. Sa për meritë të Edi Ramës, aq edhe të Ilir Metës. Sa për meritë të Lulzim Bashës, aq edhe të Monika Kryemadhit. Një meritë kjo edhe e shumë liderëve të tjerë të politikës shqiptare të këtyre 25 viteve, që kanë qenë pjesë e përpjekjes sonë shtetërore e kombëtare për integrim.
Ndaj le ti lemë për pak çaste gjyqet kolektive apo individuale për gabimet dhe fajet e zvarritjeve dhe vonesave tona të pafalshme. Dhe le ti gëzohemi momentit, për të marë më shumë energji dhe përgjegjësi për sfidat edhe më të mëdha që duket se janë përpara.
Edhe nëse nuk e ndjenit, edhe nëse nuk u gëzuat, edhe nëse nuk u ngazëllyet, nuk u lumturuat, nuk u emocionuat, njeriu bën si bën dhe në një moment të caktuar të jetës, edhe sforcohet pak. Edhe nëse nuk arrin që të ekspozojë publikisht një pamje si ajo e shumicës së shqiptarëve, mundohet të shfaqet krejt normal të paktën. Qoftë edhe me sforcimin e aktrimit.
Politika dhe lidershipi janë art dhe si të tilla, përveç të tjerash udhëheqësit kryesorë duhet të “aktrojnë” nga pak gjatë shfaqjeve të tyre publike. Për ti përcjellë qytetarëve, përkrahësve, simpatizantëve, mbështetësve dhe votuesve të tyre, doza optimizmi, shprese dhe besimi se e ardhmja do të jetë më e mirë. Por kur ata shohin se përballë tyre kanë “Kalorësin e fytyrës së vrerosur”, atëherë edhe “Sanço Panço” i këtyre kohëve të reja që jetojmë në realitet, vjen një moment që mërzitet dhe nuk të ndjek më qorrazi nga pas./Alpenews.al