Nga Irena Luto Salinger
Fotografia e mësipërme e fotoreporterit të AFP-së, është deri tani, ilustrimi më prekës i krizës greke. Jorgos Katsifotiadhis kishte mbajtur rradhë në tre banka të Selanikut me shpresë për të tërhequr pensionin e gruas.
Kur në të katërtën iu tha se nuk mund të tërhiqte 120 eurot, për të cilat kishtë pritur tërë ditën, ai nuk arriti ta mbante veten dhe qau.
Pensionisti 77-vjecar i tha AFPsë se nuk duronte dot ta shikonte vendin e tij në hall. Nuk e di se çfarë pune ka bërë Jorgo dhe sa vite të jetës është rropatur para se të dalë në pension.
Të dy prindërit e mi, profesionistë në fushën e medias nuk e përjetuan mirë daljen e detyruar në pension kur mbushën moshën. Do të kishin preferuar të punonin edhe më gjatë. Jo vetëm sepse e ndjenin veten të aftë e energjikë për të vazhduar karrierat, por edhe se ato pak më shumë se 120 eurot në muaj, që do të merrnin si pension, nuk ishte një pagë që premtonte komoditet në kovalishencën e pjesës së mbetur të jetës.
Jorgo nuk qau për 120 eurot, por ndoshta për një standart jete që po tjetërsohet gjithnjë e më shumë për moshën e tretë,
Reforma në pensione është një prej çështjeve kryesore që është përmendur në paketën e shpëtimit për Greqinë. Kjo reformë diskutohet në kohën kur rreth 45 për qind e 2.65 milion pensionistëve grekë, e kanë kaluar kufirin e varfërisë, shkruan gazeta Guardian.
Sipas një studimi të kryer nga shoqata e pensionistëve grekë, pensionet janë burimi kryesor i të ardhurave për gati 49 për qind të familjeve greke, krahasur me 36 për qind të familjeve që mbështeten tek rrogat. Shumë pensionistëve grekë u duhet të ndihmojnë me të ardhurat e tyre, fëmijët e rritur.
Greqia ka pensionet më të kushtueshme në Bashkimin Europian, ato përbëjnë 17.5 për qind të GDP-së dhe vijnë nga 13 skema të ndryshmë që fshihnin abuzime të mëdha.
Në 2012 një Census i kryer për pensionet, si pjesë e kushteve të paketave të ndihmës, zbuloi më shumë se 90 mijë pensione fiktive për persona që kishin kohë që nuk jetonin dhe mbi 350 mijë kërkesa me parregullsi.
Greqia ka të rregjistruara 580 profesione që përfitojnë nga dalja në pension më herët. Mes zjarrëfikësve, punonjësve të ndërtimit listohen edhe parukierët (për shkak se punojnë me substanca të dëmshme), instrumentistë frymorë (për shkak të problemeve me gastritin) edhe ata që punojnë në radio (për shkak të mikrobeve në mikrofona).
Reformat në pensione i kanë çuar skemat e pensioneve nga 130 në 13, mosha e pensionit për burrat është rritur në 67 vjeç, pensionet e vogla janë ulur me 15%, kurse ato të lartat kanë pësuar një reduktim prej 44%.
Për shkak të papunësisë, kontributi për pensionet këtë vit, po sipas Guardian, është 2 miliard euro më pak, sesa shpenzimet që duhet të bëhen.
Ky deficit është rritur edhe për shkak të numrit të madh të punonjësve grekë që kanë kërkuar të dalin para kohe në pension. Që prej vitit 2009, në sektorin privat ky numër është rritur me 14%, ndërsa ne sektorin publik me 48 për qind.
Vështirësitë ekonomike janë njëra anë e acarit të pleqërisë për europianët. Në ishullin britanik ku kriza ka kohë që duket së është tërhequr, qeveria po përpiqet të ndërgjegjësojë shoqërinë civile lidhur me problemin e izolimit social tek të moshuarit.
Sekretari për Shëndetin, Jeremy Hunt, bëri thirrje për një vëmendje më të madhe ndaj të moshuarvë. Ai shkoi më tej duke sugjeruar që britanikët ta konsiderojnë mundësinë e mbajtjes së kontakteve të rregullta, jo vetëm me të afërm të moshuar, por edhe me fqinjët.
Pak kohë më parë, në kryeqytetin skocez Edinburg, një i moshuar u gjet në banesën e tij, tre vjet pasi kishte vdekur.
Në Angli, 8 funerale në ditë, kryen për të moshuar mbi 65 vjec që vdesin vetëm dhe nuk kanë asnjë të afërm që t’i përcjellë për në banesën e fundit.
Janë organizatat bamirëse si ajo me emrin Shared Lives, që përpiqen të ofrojnë shërbime mbështetëse atje ku ka nevojë të madhe.
Shared Lives u krijon mundësi rreth 12 mijë njërëzve në vështirësi dhe atyre që jetojnë të vetmuar, që të qëndrojnë në ambjentet e saj, derisa të jenë gati për të jetuar vetëm.
Këtu pëërfshihen edhe të moshuar që sapo kanë dalë nga spitali apo kanë vuajtur nga humbja e ndonjë të afërmi.
Në shkallë globale, Japonia është vendi i zhvilluar ku të moshuarit vuajnë më shumë nga izolimi. Rreth 30 mijë funerale në vit të moshuarish pa njeri, kryen në këtë vend. Këto raste njihen me emrin “Kudokushi” (ata që vdesin në vetmi).
Ashtu si edhe në Britani edhe në Japoni ka organizata dhe skema që përpiqen të reduktojnë efektin e dëmshëm që ka mbi shëndetin vetmia, sidomos tek moshat e thyera.
Në vitin 2010, Adachi (një lagje e Tokios me mbi 600 mijë banorë) ishte në një qendër të një skandali. Kur zyrtarë vendas shkuan të vizitonin 111 më të moshuarit e qytetit gjetën vetëm kadavra banorësh që mund të kishin vdekur vite më parë.
Japonia është një prej vendeve me popullsinë më të mplakur dhe në kohën kur numri i lindjeve është në rënie, problemi i mbështetjes së të moshuarve po kthehet në një çështje kombëtare.
Tradita e të jetuarit bashkë me prindërit po ndryshon, sidomos në qytet dhe një numër gjithnjë e më i madh të moshuarish jetojnë vetëm.
Zgjidhja që ofroi Adachi, ishte krijimi në 2011 i një njësie speciale që merren me fuqizimin e komunitetit. Një prej shtyllave kryesorë ishte projekti për ta cuar në zero numrin e të moshuarve që jetonin të izoluar dhe për t’i bërë ata të ndiheshin të sigurt në banesat e tyre.
Njësia e ngritur u mbështet në grupet ekzistente që punonin për të rritur partneritetin dhe bashkëpunimin në komunitet.
Në fillim të 2013 Adachi kreu rregjistrimin e të githave banesave ku jetonin vetëm, banorë mbi moshën 70 vjec dhe që nuk ishin të mbuluar nga sigurimet shëndetësore publike.
Me ndihmën e shoqatave vendase u arrit që të kryheshin vizita tek të gjithë këta të moshuar për të parë gjendjen shëndetësore dhe jetën e tyre sociale.
Personat që nuk kishin të paktën 10 minuta shkëmbime bisedash jashtë shtëpisë më shumë se një herë në javë, u cilësuan si persona të izoluar nga ana sociale dhe u vunë në listë për të marrë ndihmë.
Këtyre të moshuarve iu caktuan nga një vullnetar, prejtë cilit do të vizitoheshin rregullisht, si edhe u rregjistruan në klube sportive dhe në shërbime të tjera sociale.
Skema nuk ishte e detyrueshme dhe kishte si qëllim që t’i bënte banorët më aktivë e më të angazhuar në aktivitetet komunitare.
Nuk e di se si do të jenë lexuar nga moshuarit, lotët e pensionistit grek Jorgo Katsifotiadhis në Japoni, Britani apo edhe këtu Shqipëri.
Kriza globale vërtet i ka shtrënguar më shumë rripat, por këtu ku jetojmë, vetëm apo me prindër, me vjehërr apo me vjehrra, nëse nuk i kyçim dot gojët e hapin mendjet, të paktën të mos i ftohim zemrat. Të mos i lëmë të moshuarit tanë që të vdesin nga ky lloj acari!