Nga Elona Hasko
Edhe nё Shqipёri, gjatё kёtyre 25 vjetёve tё fundit, fenomeni i zgjidhjes sё martesёs ose ndarjes sё bashkёshortёve, ndryshe divorci, ka njohur njё rritje shumё tё lartё. Statistikat vjetore flasin pёr mijёra çifte qё zgjidhin martesёn. Referuar INSTAT, numri i divorceve nga 9.2 divorce pёr çdo 100 martesa nё vitin 1990, (megjithё prirjen rёnёse nё vitet ‘96-’97) ka vijuar tё rritet me 9.6 divorce nё vitin 2001 dhe ёshtё rritur me rreth 1.6%, pra nё 15.7 divorce pёr çdo 100 martesa nё vitin 2013 (INSTAT, Martesat dhe divorcet, 1990-2013).
Pёrveç pasojave sociale, ekonomike pёr familjet dhe pёr shoqёrinё që shkakton ndarja/divorci, pasoja negative ka sidomos pёr shёndetin mendor, emocional dhe social tё fёmijёve. Ata do tё pёrpiqen tё vazhdojnё jetёn e tyre duke u pёrshtatur me « situatёn e re », por shumё pyetje do tё lindin, sjellje tё reja do tё shfaqen, do ndjejnё trishtim e zemёrim dhe do tё duan mbështetje dhe dikё për tё folur.
Fёmijёt e moshës parashkollore që përjetojnë ndarjen/divorcin e prindërve shfaqin simptoma fizike si, dhimbje trupore dhe dhimbje koke, urinim të shpeshtë nё shtrat apo konstipacion mё shpesh dhe nё njё moshё mё tё rritur sesa ёshtё e zakonshme për fёmijёt e moshës 3-6 vjeç; ata vuajnё nga asma, ekzema dhe temperaturё e lartё; shfaqin tike fytyre dhe sjellje nervozizmi; shqetёsime gjumi dhe shqetësime të të ngrënit.
Sa i përket aspektit social-emocional, fëmijët e moshës parashkollore, që vijnë prej familjeve të ndara/divorcuara, janë më të tërhequr e përfshihen më pak në marrëdhënie shoqërore me bashkëmoshatarët, kanë pak interes për lojërat në grup, refuzojnë ose fillojnë të flasin më vonë se moshatarët e tyre; janë më të shpërqëndruar se fëmijët e tjerë dhe mund të shfaqin shenja depresioni ose sjellje tё dhunshme nё çerdhe/kopsht. Të gjitha këto sjellje çojnë në një angazhim më të ulët në programin e edukimit në kopsht, e rrjedhimisht këta fëmijë mund të mos kenë arritjet shkollore të moshatarëve të tyre, të familjeve të bashkuara, në vitet shkollore që do pasojnë.
Në studime të ndryshme të ndërmarra në vite (Hetherington dhe Cox), me fokus tek efektet e divorcit në ndёrveprimin shoqёror dhe angazhimin në lojë të fёmijёve tё moshёs parashkollore qё vinin nga familjet e divorcuara, është matur se, llojet e lojёrave tek kёta fёmijё kanë qënë mё pak tё pjekura nga aspekti social dhe konjitiv kur këto matje kryheshin menjёherё pas divorcit; fëmijët shfaqnin kufizime dhe ngurtёsi nё lojёrat ku nevojitej fantazia, dhe më pak bashkёpunim nё krahasim me fёmijёt e familjeve tё bashkuara.
Gjithashtu, edhe tek vajzat edhe tek djemtё, nё vitin vijues tё divorcit tё prindёrve, janë vënë re sjellje tё varura ndihmё-kёrkuese dhe sjellje jobindёse. Studimet kanë treguar gjithashtu se, fёmijёt e familjeve tё divorcuara ishin mё pak tё lumtur e mё pak tё afeksionuar, mё shumë ankthiozё, ndjeheshin mё fajtorё dhe mё pak tё pёrfshirё se sa fёmijёt e familjeve tё bashkuara. Kёto ndjenja, sidomos, ndjenjat armiqёsore, trishtimi dhe ankthi vazhdonin tё ishin tё pranishme tek djemtё, edhe dy vjet pas divorcit tё prindёrve.
Por a munden fëmijët e moshës parashkollore që vijnë prej familjeve të ndara/divorcuara të ripërtërihen prej dhimbjes dhe të tejkalojnë vështirësitë emocionale që sjell divorci?
Duke iu kthyer studimeve ndёrkombёtare, në vitet ‘2000, Wallerstein me koleget e saj vuri re se, edhe 25 vjet pas divorcit të prindërve, fёmijёt qё morёn mbёshtetje prej shkollёs, skuadrave tё sportit, prindёrve, gjyshёrve, partnerёve tё prindёrve, mёsuesve apo kur u motivuan prej vetё fuqive të tyre tё brendshme, interesave dhe talenteve të tyre, ia dolёn mbanё mё mirё sesa ata fёmijё apo tё rinj qё nuk i patёn kёto mundёsi. Kёto rezultate tregojnё se mbёshtetja e fёmijёve nga institucionet edukative, mёsuesit, stafi mbështetës mund tё rrisё aftёsinё ripёrtёritёse tё fёmijёve pas divorcit.
Nëse mbahen parasysh pasojat e mësipërme dhe vihen re nga edukatoret/mësueset në institucionet tona arsimore si çerdhe e kopshte, atëherë mund të shtohej vëmendja dhe mbështetja për krijimin e kushteve të përshtatshme, si dhe në drejtim të mbështetjes emocionale për këta fëmijë. Edukatorët/mësueset duke qënë më vigjilente në dallimin e sjelljeve të sipërpërmendura që shoqërojnë vuajtjen prej divorcit/ndarjes së prindërve mund t’iu japin më shumë vëmendje e t’i angazhojnë sa më shumë në lojë dhe aktivitete këta fëmijë. Një mjedis dashamirës dhe përkujdesës në çerdhe/kopsht do largonte vëmendjen e fëmijëve nga trishtimi, depresioni apo zemërimi duke ofruar kështu një nga mënyrat më të dobishme për t’i ndihmuar këta fëmijë të largojnë stresin e zgjatur që lë pas divorci.
Psikologët dhe punonjësit socialë që punojnë pranë institucioneve parashkollore mund të japin një ndihmë të madhe duke i ndihmuar fëmijët të flasin për vuajtjen apo zemërimin e tyre përmes vizatimeve, lojës dhe të ndihmojnë edukatoret/mësueset të përçojnë në mënyrën e duhur tek këta fëmijë edhe tema të ndjeshme për ta, si familja, ndarja. Gjithashtu, ata mund të këshillojnë siç duhet prindërit mbi mënyrën se si mund t’iu flasin dhe t’iu përgjigjen fëmijëve mbi familjen tashmë të ndarë, për prindin tjetër që po mungon në shtëpi dhe arsyet e mungesës, se si mund t’ua përçojnë fëmijëve mesazhin se ata (fëmijët) nuk kanë asnjë faj, etj.
*Eksperte në çështje të fëmijërisë