• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, July 13, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Revolucioni moral i hajnit me doreza të bardha

by Baton Haxhiu
28/05/2026 11:56
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Mes varfërisë së inskenuar dhe moralit të përhershëm në ekran, Albin Kurti po i ngjan gjithnjë e më shumë Bernard Madoff-it politik, njeriut që nuk i grabiste njerëzit me armë, por me besimin se kishte fytyrën morale të njeriut që nuk vjedh.

Nga Baton Haxhiu

Në jeten tonë të përditshme, hajni klasik ka qenë gjithmonë i lehtë për t’u njohur. Ai vinte natën, thyente derën, merrte paranë dhe ikte. Shoqëria e përçmonte sepse akti i tij ishte brutal dhe i dukshëm. Por, Kosova, prodhoi një figurë tjetër, shumë më të rrezikshme dhe shumë më inteligjente. Hajnin me doreza të bardha. Njeriun që nuk hyn në arkë me forcë, por hyn në ndërgjegjen publike. Nuk vjedh duke fshehur fytyrën, por duke e ekspozuar moralin e vet si certifikatë ndershmërie. Dhe qytetari i këtij vebdi dhe publiku është bind se ky njeri është moralisht i pastër dhe ka filluar ta falë pothuajse për çdo gjë tjetër.

Ky është momenti kur korrupsioni pushon së qeni vetëm çështje parash dhe bëhet fenomen psikologjik i Albin Kurtit.

Një shembull i rrëfimeve në gazeta në Amerikën e viteve të krizës financiare, Bernard Madoff nuk i grabiste njerëzit me armë. Ai i grabiste me reputacion dhe me qetësi, e në fund i shiste edhe besueshmëri me një fytyrë që dukej e rregullt dhe morale. Viktimat nuk ia dorëzonin paranë nga frika, por nga bindja se kishin përballë njeriun e drejtë. Dhe pikërisht kjo e bënte mashtrimin e tij pothuajse perfekt. Ai nuk shiste vetëm fitim. Shiste siguri morale.

Në politikë, kjo formë bëhet edhe më e rrezikshme, sepse aty nuk përdoren vetëm paratë private, por Përdoret shteti.

Dhe këtu fillon problemi i madh i Kosovës me Albin Kurti.

Albin Kurti nuk është hajni klasik që shoqëria shqiptare ka mësuar ta urrejë. Ai nuk është as politikani banal që shfaq luksin e vet në mënyrë vulgare. Përkundrazi. Ai ka ndërtuar figurën e njeriut asketik, pothuajse të varfër, me 16 euro në deklarim pasurie, me një gjuhë morale të përhershme dhe me një revolucion etik në gojë. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e tij. Ai nuk kërkon që publiku ta admirojë për pushtetin. Kërkon që publiku ta falë pushtetin në emër të moralit.

Kjo është arsyeja pse shumica e intervistave të tij nuk janë intervista për qeverisjen reale. Ai nuk ndalet gjatë te ekonomia, te dështimet, te mënyra si përdoret buxheti, te kontradiktat e pushtetit. Ai ndërton vazhdimisht një dramaturgji morale ku personazhi kryesor është hajni, turpi dhe fajtori. Ai e ka kuptuar se në Kosovë njerëzit lodhen nga e vërteta sepse e vërteta është komplekse dhe kërkon përgjegjësi, ndërsa fajtori është emocionalisht i lehtë. Shoqëria nuk kërkon gjithmonë shpjegim. Kërkon adresë për zemërimin.

Prandaj “hajni imagjinar” funksionon kaq mirë në diskursin e tij. Nuk ka rëndësi kush është konkretisht. Nuk ka rëndësi sa provohet. Mjafton që rrëfimi të krijojë emocion. Dhe kështu ndodh deformimi më i madh politik: hajni bëhet rrëfimi, ndërsa e vërteta mbetet fusnotë.

Kjo logjikë shpjegon pothuajse çdo kontradiktë të pushtetit të tij. Mund të dalë dhe të thotë se dëshiron president konsensual, të propozuar nga opozita dhe të pranueshëm për qytetarët, ndërsa në të njëjtën kohë deklaron se presidenti duhet të jetë “zjarrfikës”, një figurë që nuk di të hipë në avion dhe që nuk merret me politikë të jashtme. Fjalia e parë prodhon iluzionin e pluralizmit. Fjalia e dytë zbulon frikën nga çdo figurë që mund të krijojë legjitimitet të pavarur.

Dhe kjo frikë u bë e dukshme në momentin kur Vjosa Osmani fitoi profil ndërkombëtar përmes angazhimeve të saj në Bordin e Paqes në Zvicër. Aty presidenca pushoi së qeni dekor institucional dhe filloi të perceptohej si qendër tjetër graviteti politik. Për një pushtet që mbështetet mbi kontrollin e rrëfimit publik, kjo është e papranueshme. Prandaj presidenti i ardhshëm duhet të jetë figurë pa ambicie ndërkombëtare, pa profil të fortë, pa mundësi për të ndërtuar kapital politik jashtë orbitës së kryeministrit.

Në këtë pikë, manipulimi nuk duket më si gënjeshtër klasike. Ai duket si normalitet. Dhe kjo është forma më e sofistikuar e pushtetit. Kur publiku nuk e dallon më kufirin mes moralit dhe propagandës.

Kjo shihet edhe në mënyrën si përdoret shteti. Për tri palë zgjedhje shpërndahen qindra miliona euro ndihma sociale, ndërsa në të njëjtën kohë financohen politika që prodhojnë efekt të drejtpërdrejtë elektoral. Avionë për diasporën paraqiten si gjest patriotik dhe sentimental, ndërkohë që paratë janë taksa të qytetarëve më të varfër në Evropë. Dhe publikut i kërkohet ta shohë këtë jo si përdorim politik të buxhetit, por si akt moral.

Këtu shembet gjithë miti i “liderit të pastër”. Sepse pushteti nuk matet me kursimet personale. Matet me marrëdhënien që krijon me paranë publike. Një njeri mund të ketë 16 euro në llogari dhe megjithatë të sillet sikur qindra miliona euro të buxhetit janë vazhdim i projektit të tij personal dhe moral.

Ky është revolucioni moral i hajnit me doreza të bardha. Ai nuk e përdor moralin si kufizim për pushtetin. E përdor si licencë për ta zgjeruar atë. Dhe momenti më i rrezikshëm për një demokraci është kur një lider fillon të besojë se vetëm ai ka të drejtë morale ta përdorë shtetin sipas vullnetit të vet.

Aty fillon degradimi i vërtetë.

Sepse shteti nuk trajtohet më si pronë e përbashkët e qytetarëve, por si vazhdim i ndërgjegjes së liderit. Dhe sa më shumë që ai bindet për pastërtinë e vet morale, aq më pak e ndien kufirin mes pushtetit dhe vetes.

Në fund, kjo nuk është më histori për korrupsion klasik. Është histori për një shoqëri që rrezikon të mashtrohet jo nga hajni brutal, por nga ai që vjen me fytyrë të qetë, me moral në gojë dhe me doreza të bardha në duar.

Next Post
Pasojat e ngrohjes globale! “El Niño” pritet të forcohet, temperaturat drejt rekordeve të reja

Pasojat e ngrohjes globale! "El Niño" pritet të forcohet, temperaturat drejt rekordeve të reja

Comments 1

  1. Bruno says:
    1 month ago

    Ti nuke ke vlera,te permendesh Albin Kurtin,ti je nji hic para tije,je nji mashkull,pa shtylle kurrizore.Ti spiuni i vucicit,sje gje tjeter vec nji kordinator,i pislliqeve te vucicit,e ktije palloshit.Te paguan,ne menyren me kriminale,me parate e taksa paguesve shqiptare.Kyt gje te kane caktuar,te dy vucic e palloshi,te shpifeshe te mashtrosh,kunder Albin Kurtit,je i pa vlere,ste beson askush.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Në një vit u proceduan 961 fëmijë, avokati tregon rastin: Konflikt lindi përmes Instagramit

Në një vit u proceduan 961 fëmijë, avokati tregon rastin: Konflikt lindi përmes Instagramit

July 12, 2026
Tjetër aksident në aksin Gjirokastër-Tepelenë, përplasen dy automjete

Tjetër aksident në aksin Gjirokastër-Tepelenë, përplasen dy automjete

July 12, 2026
Tre debate të panevojshme për protestën

Shumica e heshtur që u zgjua nga “këshilltarët” e protestës

July 12, 2026
Na ndihmon suksesi i koncertit në Kashar?

Na ndihmon suksesi i koncertit në Kashar?

July 12, 2026
“Pseudo gazetar që nxin ekonominë”, biznesmeni Luca reagon ndaj Erebarës pas sulmit me komente negative

“Pseudo gazetar që nxin ekonominë”, biznesmeni Luca reagon ndaj Erebarës pas sulmit me komente negative

July 12, 2026
VIDEOLAJM/ Protesta në ditën e 43-të, ja sa u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në orën 19:45

VIDEOLAJM/ Protesta në ditën e 43-të, ja sa u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në orën 19:45

July 12, 2026
Protesta në ditën e 43-të, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë

Protesta në ditën e 43-të, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë

July 12, 2026
Flamingot kundër Zogut të Parajsës

Flamingot kundër Zogut të Parajsës

July 12, 2026
Pse “liderët” e protestës paralajmërojnë burg sipas ligjit të “sufllaqes”

Pse “liderët” e protestës paralajmërojnë burg sipas ligjit të “sufllaqes”

July 12, 2026
Anglia në gjysmëfinale, 12 nga 13 golat e shënuar mbajnë firmën e Kane dhe Bellingham

Anglia në gjysmëfinale, 12 nga 13 golat e shënuar mbajnë firmën e Kane dhe Bellingham

July 12, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In