Dokumentet e firmës ligjore “Mossack Foseca”, publikimi i të cilave mori emrin “Panama Papers”, janë publikuar sot online. Bëhet fjalë për më shumë se 200 mijë dokumente, të cilat janë bërë publike në faqen “offshoreleaks.icij.org”.
Këto dokumente tregojnë se si njerëzit e pasur përdornin firma offshore për të shmangur taksat dhe sanksionet. Dokumentet sekrete i kaluan gazetës gjermane “Sueddeutsche Zeitung” nga një punonjës i firmës “Mossack Finseca”, i njohur me emrin “John Doe”.
Për shkak të këtij skandali dha dorëheqjen kryeministri i Islandës, Sigmundur Gunnlaugsson pasi rezultoi se kishte konflikt interesi nga borxhi që shteti i kishte disa bankave, ku mes të cilave në njërën prej tyre rezultonte aksioner.
Në total nga “Panama Papers” bëhet fjalë për 11.5 milionë dokumente që disponon gazeta gjermane “Sueddeutsche Zeitung”.
Sa i takon shtetasve shqiptarë të përfshirë në këtë skandal deri tani është përmendur emri i Ismail Mulletit. Por, nga një kërkim i thjeshtë pjesë e morisë së dokumenteve të publikuara është i përfshirë dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani.
Ish-deputet socialist i cili për disa vite ishte drejtor i KESH-it gjatë qeverisë “Nano” rezulton se ka regjistruar një kompani me adresë në Gjermani të quajtur “White Ebony Holdings Ltd”. Në regjistrimin e vitit 2007, ai rezulton vetë drejtor dhe zotërues i të gjitha aksioneve.
Harasani në shtator 2012, dha dorëheqjen si deputet dhe shkoi në Nju Jork për të drejtuar një kompani ndërtimi të quajtur Phoenix Network LLC, ku është ortak dhe drejtor i operacioneve.
Ligji shqiptar detyron zyrtarët publikë në Shqipëri të deklarojnë të gjitha bizneset dhe burimet e të ardhurave si pasojë e përpjekjeve për të ndërtuar transparencë në politikë, të reduktojë korrupsionin dhe të shmangë konfliktin e interesit.
Ndërkohë më parë agjencia e lajmeve “Balkan Insight” (BIRN) ka raportuar se, nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive tregojnë se Harasani nuk e deklaroi kompaninë e tij të fshehtë, White Ebony Holdings, të cilën e pati regjistruar gjashtë vjet më parë./Panorama/a.m.