Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, i ftuar në emisionin “Opinion”, Tv Klan, cilësoi se miratimi i reformës për ndarjen administrative-territoriale do të pasohet nga hyrja në fuqi e saj dhe nga procedurat për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Ai tha se nëse kjo reformë miratohet nga Kuvendi, zgjedhjet duhet të zhvillohen në njërën prej katër të dielave mes 15 prillit dhe 15 majit të vitit të ardhshëm, ndërsa theksoi se përcaktimi i datës është kompetencë e Presidentit të Republikës.
Socialisti veçoi datën 2 maj, e cila, sipas tij, nuk duhet të jetë datë zgjedhjesh pasi përkon me Pashkët.
Pjesë nga diskutimi:
Fevziu: Balla, sot ju mendoni që i keni votat për ta kaluar. Sa kohë do të duhet që thjesht akti i ndarjes administrative të shoqërohet me të gjitha këto që janë, ndryshimet ligjore, urdhrat, etj.? Pra, kur do të jetë reforma funksionale, jo vetëm në letër?
Balla: Shiko, si parim është që reforma miratohet sot, pjesa e ndarjes administrative-territoriale. Besoj që me hyrjen në fuqi, sapo të hyjë në fuqi, Presidenti i Republikës duhet të fillojë konsultimet me përfaqësues të partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve. Një ndër katër të dielave, mes 15 prill dhe 15 maj të vitit të ardhshëm.
Fevziu: Se ishte ndarë, më duket.
Balla: Nuk e di.
Fevziu: E dëgjova Klosin këtu, ishte ndarë data.
Balla: E ka pas nga vetja një nga katër të dielat, nuk e di. Është ekskluzive e Presidentit. Ta thotë Presidenti, kur të dojë, një nga katër të dielat. Mjafton mos të jetë 2 maj, që bie Pashkë.
Fevziu: Ju vetë çfarë të diele do t’i sugjeronit Presidentit?
Balla: S’e kemi vendosur akoma, po unë do t’i them Presidentit: cakto një nga katër të dielat, ne jemi dakord.
Fevziu: Për ju nuk ka problem.
Balla: Dhe thashë, kam merak 2 majin, jo, se është Pashkë. Nuk është mirë për të pasur një ditë festë fetare zgjedhje.











