Nga Ben Andoni
Forcat e Aleancës po tërhiqen nga Afganistani teksa talebanët janë duke i mbushur njollat e mozaikut të zotërimeve me ngjyrat e tyre të errëta me Kabulin brenda saj. Realiteti i tërheqjes së forcave amerikane po konsiderohet nga një pjesë e madhe e botës si një dështim i paralajmëruar i Perëndimit. Politologu Ivan Krastev dhe kolegu i tij Holmes do e përshkruanin fenomenin në disa artikuj. Në fakt, fokusi i tyre më shumë ishte për botën më të afërt lindore dhe mbi të gjitha rrugën e vështirë për t’u asimiluar nga pjesa tjetër e botës vlerat demokratike të Evropës Perëndimore. “Duke festuar para kohe integrimin e Lindjes në Perëndim, vëzhguesit e interesuar përfundimisht kuptuan se spektakli para tyre nuk po luhej fare ashtu siç pritej. Ishte sikur në vend të shikohej një shfaqje e Pigmalionit, bota po përfundon me një përshtatje teatrale të ‘Frankenstein’ të Mary Shelley, një roman pesimist dhe didaktik për një njeri që vendosi të luante Perëndinë duke bashkuar kopje të pjesëve të trupit të njeriut në një krijesë humanoide. Por, përbindëshi i dëmtuar u ndje i dënuar për vetminë, padukshmërinë dhe refuzimin”, shkruajnë me një metaforë autorët e njohur Krastev dhe Stephen Holmes tek “Why the West is losing the fight for democracy”.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se kjo tërheqje në një farë mënyre shpërbën shumë nga teoritë e demokracisë për nevojën e eksportimit të mësimeve të Perëndimit në shoqëri të tilla, si ajo e Afganistanit. Pak ditë më parë, një autor në Bloomberg, tërheqjen e forcave e quante as më shumë e as më pak: një dështim masiv intelektual, që ai e lidhte edhe me Irakun. Dhe, ndërkohë hidhte idenë se: këto fiasko tmerrësisht të kushtueshme mund të ishin shmangur nga një klimë më pak konformiste e opinionit dhe një hapje ndaj pikëpamjeve të kundërta, përfshirë, më e rëndësishmja, vetë afganët.
Shumë e shumë kilometra me tutje, mbase krahasimi nuk është më i duhuri por interesi i Perëndimit për Tiranën, Beogradin e Shkupin, nuk mund të krahasohet asfare me bujën propagandistike, që po mundohen t’i japin zë autoritetet respektive që iniciuan “Open Ballkan”. Kjo edhe pse marrëveshja e sipërme mori një vlerësim nga autoritetet e BE-së dhe SHBA-së, duket se një mal i madh pret përpara të kaptohet dhe kjo lidhet me zbatimin e saj. Gjithsesi, “Open Ballkan” u vlerësua nga DASH-i: “SHBA-të e mbështesin fuqimisht vijimin e përpjekjeve ne Ballkanin Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin gjithëpërfshirës rajonal, në bazë të rregullave dhe standardeve të BE-së”. Kurse BE e etiketonte si: “Një proces me përfshirje të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal,…”. Me këtë rast, BE do kujtonte edhe angazhimin e të gjithë liderëve të Ballkanit vjeshtën e kaluar në Samitin e Sofjes. Po ashtu, BE-ja u zotua për të investuar deri në 9 miliardë euro (10.6 miliardë dollarë) në 6 vendet e Ballkanit për të rritur ekonomitë dhe zhvilluar infrastrukturën. I gjithë Ballkani ende i paintegruar do të përfitojë nga investimi midis 2021 dhe 2027, njoftoi krahu ekzekutiv i BE, Komisioni Evropian, por duke premtuar në këmbim nevojën e reformave të thella prej të gjashtë vendeve. Anipse, jashtë gjërave që thuhen dhe mëtimeve për demokraci: “Open Ballkan” përball një ngërç të pazakontë dhe kjo lidhet me pozitën dhe imazhin e Serbisë së sotme që refuzohet nga gati tre shtete, lidhur me qasjen e saj ndaj të shkuarës në Ballkan. E jo më kot, ekspertët e politikës së jashtme mendojnë se marrëveshja e re e tre liderëve, sa do e duhura, mund të realizohet edhe sot përmes institucioneve ekzistuese. Kur mendon se: procesi i Berlinit, subjekti i vetëm që e futi në hulli Ballkanin e parashikoi Tregun e Përbashkët Rajonal (TPR) dhe mbi të gjitha mbështetjen financiare nga ana e Bashkimit Evropian, atëherë bindesh se edhe për këtë rast: vullneti i mirë i të gjithë vendeve mund të realizojë edhe pa angazhime +, thelbin e katër të drejtave themelore: lirinë e qarkullimit të mallrave, shërbimeve, kapitalit e të personave. Në fakt paneli Vuçiç-Rama-Zaev duket se e shmangi, qoftë edhe bashkë me BE, ekzistencën e një Pakti Stabiliteti me CEFTA-s, vazhdimin e Procesit të Berlinit, takimet e shumta presidenciale, inicimin e “Beneluks” e me radhë por mbi të gjitha faktin e thjeshtë: kjo marrëveshje nuk mbyll dot plagën e marrëdhënieve serbo-kosovare, por edhe situatën krejt kaotike në Bosnjë-Hercegovinë. Dhe, perëndimi në kuadër të demokracisë së vet këto vogëlsi “i harron” për t’iu kushtuar në forma dhe emra të tjerë, si edhe për t’iu kthyer gjërave sërish nga fillimi…jo rrallë me humbje.
…
Afganistani në fillim të viteve 1970 ishte një nga vendet më dashamire në Tokë. Tragjedia e saj ndodhi pas vitit 1975. Kishte ende një dritare mundësish pas vitit 2003, kur vendi ishte në paqe të madhe pas sundimit të diskredituar të talebanëve, para se pushtimi katastrofik i Irakut ta helmonte krejt. Gabimi i madh nuk ishte vetëm të legalizohej tregtia e opiumit dhe me anë të saj të krijohej një produkt farmaceutik nga ilaçi (një trashëgimi e fshehtë e luftërave të opiumit të perandorisë britanike në mesin e shekullit të 19-të). Kabuli mund të kishte hequr rrjedhën e të ardhurave nga komandantët e luftës dhe talebanët dhe të përdorte taksat prej tyre për të financuar shpenzimet. Fermerët do t’ia kishin dorëzuar produktin e tyre qeverisë dhe kështu forcat shkatërruese që fuqizuan fraksionet e ndryshme do të ishin zbutur, shkruan te “Why the West lost in Afghanistan – and how afghans can claim victory in the aftermath”, Greg Mills, drejtori i “The Brenthurst Foundation”. Nga ana tjetër, shpjegon ai, midis viteve 2001 dhe 2019, plot dy milion burra dhe gra të huaj shërbyen në Afganistan dhe për ta u shpenzuan më shumë se 2 trilionë dollarë, një angazhim i jashtëzakonshëm, duke ia konsumuar burimet reale që duhej të merrte një vend i varfër, si Afganistani. E, kjo pati pak rëndësi për burokratët e perëndimit, që më së shumti mendonin si zakonisht për t’i rimarrë paratë e hedhura….
Në pikun e sherrit pas takimit në Shkup një përfaqësues i Qeverisë gjermane do theksonte se: në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku janë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, çdo vendim që lidhet me tregun e punës, tarifat tregtare, procedurat kufitare etj., duhet të mbartë konsensusin e të gjithëve, ashtu si dikur Komuniteti Evropian i dekadave të para. Për fat të keq “Open Ballkan”, megjithë sensin e mirë dhe mëtimin për tregun dhe hapjen e saj, ka dakordësinë e vetëm tre vendeve, teksa po e largon vëmendjen nga përditmëria e lodhur e gadishullit dhe sidomos problemet historike të ngulfatura aty. “Open Balkans” duket sikur përsërit ato që Procesi i Berlinit i ka theksuar qartë. Por dhimbja shkon e bëhet më e madhe, sidomos për ne “pro-perëndimorët”, kur mendojmë se çdo gjë që thuhet do realizohet. Realiteti po na mëson se Ballkani duhet të fillojë të mendojë me një regjistër krejt tjetër, pasi hapja mbetet ende një iluzion. “Ideali i ‘një shoqërie të hapur’ e humbi shkëlqimin e dikurit. Për shumë qytetarë të zhgënjyer, hapja ndaj botës tani sugjeron më shumë arsye për ankth sesa për shpresë. Kur u rrëzua Muri i Berlinit, kishte vetëm gjashtëmbëdhjetë gardhe kufitare në botë. Tani ka gjashtëdhjetë-pesë perimetra të fortifikuar të përfunduar ose në ndërtim e sipër. Sipas ekspertes së Universitetit të Kebekut, Elisabeth Vallet, pothuajse një e treta e vendeve të botës po ngrenë barriera përgjatë kufijve të tyre. Tre dekadat pas vitit 1989 dolën të ishin një ‘periudhë e brendshme’, një interval i shkurtër pa barrikada midis thyerjes dramatike të Murit të Berlinit, fantazive emocionuese utopike të një bote pa kufij dhe një manie globale të mureve. Ndërtimi, me çimento dhe barriera me tela me gjemba po mishërojnë frikën ekzistenciale ”, shkruajnë Krastev & Holmes te “Why the West is losing the fight for Democracy”. Kjo është më shumë se mësim. Është një tragjedi që e kemi të gjallë. Afganistani, thjesht na kujtoi Perëndimin dhe çfarë pëson nga kaosi i marrëveshjeve, ideve dhe mureve që ne, i kemi ende të gjalla mes nesh…sidomos në Ballkan. (Homo Albanicus)