Një pacient i cili vuante nga një sëmundje e rrallë, por shumë infektive e identifikuar si virusi Marburg ka humbur jetën në Guinea, sipas një deklarate të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) të hënën, shkruan CNN.
Ky është rasti i parë i identifikuar i virusit të ngjashëm me Ebola në Afrikën Perëndimore. Zbulimi i virusit që shkakton ethe hemorragjike vjen më pak se dy muaj pasi Guinea shpalli fundin e shpërthimit të Ebola.
“Gueckedou, ku Marburg është konfirmuar, është gjithashtu i njëjti rajon ku fillimisht u zbuluan rastet e shpërthimit të Ebola në 2021 në Guinea, sipas deklaratës së OBSH-së.
“Mostrat e marra nga një pacient tashmë i vdekur nga laboratori kombëtar në Guinea dolën pozitivë për virusin Marburg. Analizat e mëtejshme nga Instituti Pasteur në Senegal konfirmuan gjithashtu rezultatin, raporton abcnews.al
Autoritetet shëndetësore po bëjnë thirrje për të gjetur personat që mund të kenë pasur kontakt me pacientin, si dhe filluan një fushatë për informimin e publikut për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së infeksionit.
Një ekip fillestar prej 10 ekspertësh të OBSH -së ndodhen në terren për të hetuar rastin dhe për të mbështetur reagimin emergjent të Guinesë. Sipas OBSH-së, virusi transmetohet te njerëzit nga lakuriqët e natës dhe më pas mund të përhapet nga njeriu te njeriu nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore të njerëzve të infektuar ose sipërfaqet dhe materialet e kontaminuara me këto lëngje.
Nuk ka vaksina ose trajtime antivirale për të trajtuar Marburg; megjithatë, ka trajtime për simptoma specifike që mund të rrisin shanset e pacientëve për mbijetesë.
“Shkalla e vdekshmërisë ka ndryshuar nga 24% në 88% në varësi të llojit të virusit dhe menaxhimit të rasteve,” thuhet në deklaratë. “Në Afrikë, shpërthimet e mëparshme dhe rastet sporadike janë raportuar në Angola, Republikën Demokratike të Kongos, Kenia, Afrika e Jugut dhe Uganda.”
Virusi Marburg u identifikua për herë të parë në vitin 1967, kur 31 njerëz u infektuan në Gjermani dhe Jugosllavi në një shpërthim që u identifikua fillimisht tek majmunët e importuar nga Uganda.
Që atëherë virusi është shfaqur në mënyrë sporadike, me vetëm një duzinë shpërthimesh të regjistruara. Virusi Marburg shkakton simptoma të ngjashme me Ebola si ethe dhe lodhje dhe shpesh gjakderdhje të brendshme ose të jashtme, probleme të organeve duke çuar deri në vdekje.
/b.h