Njihuni me “Rambon” shqiptar, ja çfarë ju bëri 4 hajdutëve serb
Katër grabitës kishin zgjedhur orët e pasdites për t’u futur në një banesë dje në Alassio. Brenda saj ishte duke pushuar i qetë një shqiptar 37-vjeçar.
Por sapo ndjeu zhurmën, ai është zgjuar dhe më pas e ka gjetur veten përballë katër hajdutëve. Mediat italiane e kanë quajtur “Rambo”, pasi e kanë konsideruar të rrallë mënyrën se si është përballur me ta.
Shqiptari me inicialet B.B, që prej vitesh jeton me familjen e tij në provincën e Alassio, është vënë në ndjekje të serbëve. Të frikësuar ata hapën derën dhe vrapuan.
Njëri prej tyre u mundua të fshihej brenda banesës dhe sipas mediave, i është lutur shqiptarit që ta lërë të ikë dhe mos të lajmërojë policinë. “Edhe unë jam emigrant si ti. Mos e lajmëro policinë” – mësohet të ketë thënë serbi me iniciale V.D. Atëherë shqiptari ka hapur frigoriferin dhe i është drejtuar: “Meqë qenke emigrant, ha çfarë të duash deri sa të vijë policia”. Hajduti është mbajtur në shtëpi deri sa mbërritën forcat e policisë dhe e kanë vënë në pranga.