Nga Zylyftar Kamberi
Gabimi themelor është të ngatërrosh aftësinë për të penguar jetën publike me aftësinë për të ndryshuar jetën politike. E para i mjafton një grushti njerëzish. E dyta kërkon shtrirje në shoqëri, organizim, fuqi institucionale dhe, mbi të gjitha, një alternativë. Protesta e këtyre kohëve pretendon shumë më tepër nga sa dëshmon, dhe sa më gjatë zgjat, aq më pak dëshmon.
Thuhet se sheshi flet në emër të shoqërisë. Pas gati katërmbëdhjetë vjetësh në pushtet, është e natyrshme që shumë qytetarë të jenë të pakënaqur me qeverinë. Kjo nuk do të thotë se i mbështesin ata që protestojnë kundër saj. Mund të jesh i pakënaqur dhe prapë të mos e shohësh veten te opozita, te organizatorët e protestës apo te zërat e paguar që e vazhdojnë protestën tek emisionet e darkës
Tirana e tregon këtë çdo ditë. Përtej sheshit, dyqanet punojnë, njerëzit vazhdojnë hallet e tyre dhe vizitorët vijnë, sidomos tani që moti është zbutur. Qyteti nuk është ngritur në këmbë pas protestës. Njerëzit duan të punojnë dhe të lëvizin lirshëm. Tregtari ka nevojë për klientë, jo për rrugë të bllokuara. Kur bllokimi u prish punë më shumë qytetarëve sesa qeverisë, protesta i ka kthyer ata që thotë se përfaqëson në ata që paguajnë koston e saj.
Në rrjet, fryrja është rregull. Sa më e madhe paraqitet gjëma, aq më i besueshëm duket përfundimi politik. Fotografitë e simbolet përsëriten derisa sheshi të duket më i mbushur nga ç’është. Kur një fotografi paraqitet si dëshmi e qindra mijëra vetëve dhe pamjet e verifikueshme nuk e vërtetojnë, kemi të bëjmë me mashtrim, jo me dëshmi. Kush i kërkon qeverisë transparencë, duhet t’ia kërkojë edhe vetes.
Fryhen edhe kauzat. Flamujt ndërrohen: pardje flamingot, pastaj kundërshtimi ndaj Trumpit, patriotët, simbolet e Gazës. Dje ishin studentët, sot gjimnazistët, e nesër pse jo dikush të cilit i kanë thyer këmbën dje. Pasnesër ndoshta sjellin edhe Greta Thunbergun. Organizatorët do të mobilizojnë këdo që munden, kushdo që ka një hall dhe mund të sjellë njerëz në shesh, pa pasur ndonjë synim t’i përfaqësojnë. Hallet e tyre merren hua për të mbushur sheshin dhe u kthehen pas, të pazgjidhura, sapo nuk duhen më. Drejtimi mbetet gjithmonë i njëjti: fajin e ka qeveria, prandaj shoqëria duhet të ngrihet kundër saj. Në fillim mund të dyshoje. Tani duket qartë se kemi të bëjmë me një fushatë politike të organizuar, jo me shpërthim spontan zemërimi.
Pretendohet se protesta synon të zgjidhë halle. Një protestë mund ta bëjë këtë: të tërheqë vëmendjen ndaj një padrejtësie, të detyrojë një institucion të reagojë, të rrëzojë një vendim të gabuar. Atëherë suksesi i saj matet me atë që ndryshon në jetën e njerëzve.
Halli i studentëve është i këtij lloji. Tarifat, konviktet, kushtet dhe cilësia e mësimit kërkojnë vendime, para dhe institucione që japin llogari. Asnjëra prej tyre nuk zgjidhet me ndërrimin e qeverisë. Kur halli zhduket pas kërkesës për ta rrëzuar atë, protesta ka kaluar nga një kauzë te një objektiv politik, dhe kjo duhet thënë hapur. Pakënaqësia shoqërore mund të bëhet lëndë e parë për një shumicë të re politike. Lënda e parë jo vetëm nuk është ende ndërtesë, por lënda e parë e kësaj proteste në vend të shtohet, ka firuar.
Halli zhduket edhe për një arsye tjetër. Kur protesta e mat suksesin me ditë dhe jo me arritje, ajo ka rënë në duart e atyre që jetojnë prej saj. Por ndryshe nga profesionet e tjera, ky i protestuesit nuk paguhet për ta mbyllur punën. Mjeku jeton nga i sëmuri që shërohet, inxhinieri nga ura që qëndron. Aktivisti profesionist jeton nga halli që nuk zgjidhet. Lëvizja që fiton shpërndahet. Ajo që mbetet në kundërshtim të përhershëm mbijeton. Jo aq me shpresën e një shumice të re, por mbijeton me një shpresë më të vogël e me probabilitet më të lartë: një vend në një listë, një mandat deputeti, apo thjesht një karrige në emisionin e radhës.
Mbetet pyetja që sheshi e anashkalon me kujdes: po pastaj? Le të themi se qeveria bie nesër. Kush vjen në vend të saj, me çfarë programi, me çfarë njerëzish? Si financohet shëndetësia, si mbahen të rinjtë në vend, si ndërtohet një gjykatë që nuk blihet? Këto janë punë për ekonomistë, juristë e administratorë, jo për asamble, dhe sheshi nuk ka asnjë përgjigje për to. Kush e bën pyetjen, pritet si provokator. Kjo heshtje nuk është e pafajshme. Ajo largon pikërisht njerëzit që protestës do t’i duheshin më shumë: të pakënaqurit që, para se të nisen, duan të dinë ku po i çojnë.
Ka edhe nje pretendim se vendi po shkon drejt krizës. Shumica parlamentare ka treguar se ka vota edhe për ndryshime kushtetuese. Kjo nuk do të thotë se shoqëria e mbështet çdo vendim të qeverisë, ashtu si protesta nuk do të thotë se shoqëria është rreshtuar kundër saj. Por pretendimi pindarik se protesta po e çon vendin drejt një krize politike kërkon më shumë sesa një skenar të mundshëm përshkallëzimi. Kush tregon si një incident bëhet përplasje, përplasja trazirë dhe trazira krizë politike, duhet të tregojë edhe kushtet që e bëjnë të mundur këtë rrugë. Ajo që mund të ndodhë nuk është domosdoshmërisht ajo që do të ndodhë. Një varg kushtesh hipotetike nuk është diagnozë.
Nëse protesta kthehet në dhunë, gjykohet sjellja e secilit, jo qëllimi politik i protestuesve. E drejta për të protestuar nuk mohohet. E drejta për të dhunuar, për të dëmtuar pronën apo për t’u bërë keq të tjerëve nuk ekziston. Shteti duhet të ruajë rendin, të mbrojë protestuesit paqësorë dhe qytetarët e tjerë, dhe ta zbatojë ligjin aq sa duhet e jo më shumë.
Me thënë të drejtën nuk mjafton të jesh i pakënaqur, të kesh mjete për të ngritur një shesh, të ndjellësh studentë e gjimanzistë të lenë mësimin, dhe pastaj të kërkosh që vullneti yt të merret si vullnet i shoqërisë. Pakënaqësia është e drejtë e secilit. Përfaqësimi kërkon legjitimitet, dhe legjitimiteti merret në zgjedhje. Protesta mund të kundërshtojë, të kritikojë dhe ta detyrojë pushtetin të japë llogari. Zgjedhjet nuk i zëvendëson dot. Demokracia nuk i detyron të gjithë të mendojnë si protestuesit. U jep të gjithëve të drejtën të kundërshtojnë, brënda një rendi ku pushteti fitohet e humbet në kutinë e votimit.
Që kur nisi protesta, kushdo që mendon edhe pasi i kalon dopamina ndeshet me një trilemë rreth pyetjes më të natyrshme: kush përfiton nga kjo protestë? Nëse përfitojnë ata në emër të të cilëve protestohet, protesta duhej të ishte ulur prej kohësh në tryezë me kërkesat e tyre në dorë. Nuk u ul. Fytyrat në shesh dhe në studiot televizive janë po ato, vetëm kauza ndërrohet nga Zvërneci pardje tek gjimnazistët sot. Hallet e njërës kauzë braktisen sapo kapërcehet te tjetra, dhe mbeten aty ku ishin. Nëse përfiton opozita, sheshi duhej të ishte zgjeruar dhe ajo duhej të ishte sot më afër ardhjes në pushtet. Ndoshta është më pranë pushtetit se kurrë, por si shoqëruese e tij, jo si zëvendësuese. Një lëvizje që synon të fitojë shumicën duhet t’i bashkojë njerëzit. Kjo protestë çdo ditë e më shumë po i përçan: studentin me prindin që e do në mësim, tregtarin me atë që i bllokon rrugën, të pakënaqurin me atë që i flet në emër. Ajo që thuhet në shesh, ajo që dëshirohet në të vërtetë dhe ajo që bëhet për ta arritur nuk përputhen, dhe njerëzit i kanë sytë në ballë. Kjo duket tek mbështetja që ka firuar ndërsa qyteti është kthyer prej kohësh te punët e veta. Mbeten ata që jetojnë nga protesta dhe njeriu kundër të cilit protestohet. Të parët fitojnë kohë, i dyti alibi. Kjo është e vetmja përgjigje që del me hesap.
Kështu protesta mbyllet aty ku e nisëm. Ka treguar se di ta pengojë jetën e qytetit, por jo se di apo ka ndonje fuqi ta ndryshojë jetën politike. E nisur për ta rrëzuar qeverinë, ka përfunduar duke i dhënë asaj atë që opozita nuk ia dha dot kurrë: bindjen e shumë njerëzve se pa të vjen rrëmuja. Pakënaqësia nuk ka nevojë për mandat. Qeverisja ka, dhe mandati nuk jepet në shesh.

