Ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri bashkë me administratorin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Adrian Çela inspektuan kantierin ku po punohet për ndërtimin e nënstacionit të ri në zonën e Gjirit të Lalëzit. Investimi në vlerën 458 milion lek është kryer në masën 40% deri më tani ndërsa parashikon pritet të përfundojë plotësisht në fillim të vitit të ardhshëm. Paralelisht me këtë investim, Operatori i Sistemit të Transmetimit po ndërton linjën 110 kV Sallmone-Gjiri i Lalëzit.
“Është një zonë e cila është që nga koha e elektrifikimit e paprekur, e painvestuar përsa i përket energjisë elektrike. Ka nisur fazën e parë që është realizimi i këtij nënstacioni dhe do të pasohet me fazën e dytë në fund të vitit, me zhvillimin e rrjetit 20 kilovolt që është një investim tjetër rreth 1 miliardë lekë të reja, ku parashikohen rreth 10 fidera të linjës 20 kilovolt dhe zgjidhin përfundimisht problemin e energjisë elektrike të gjithë kësaj zonës, jo vetëm të Gjirit të Lalzit, të fshatrave përreth, Hamallaj e Ishëm. Paratë që qytetarët paguajnë për konsumin e energjisë elektrike, Operatori ia kthen qytetarëve me cilësi shërbimi me investime me një furnizim më të mirë të energjisë elektrike”, sqaroi administratori i OSHEE, Çela.
Ministri Gjiknuri u ndal tek filozofia me të cilën tanimë do të strukturohet plani i investimeve që do të kryhen në rrjetin elektrik me përparësi turizmin.
“Investimet në këtë fazë do të fokusohen në dy drejtime: Një, duke i paraprirë zhvillimeve të mundshme apo duke investuar në ato zona që kanë potencial të madh të rritjes ekonomike, siç janë zonat me përparësi turizmi. Këtu jemi në një nga zonat, por njëkohësisht do të investohet në zonën e bregut, në zonën e Orikumit dhe në bregdetin e Velipojës në mënyrë që i gjithë brezi ku pritet një investim i madh në fushën e turizmit dhe ku do të ketë aktivitet ekonomik të shtuar do të mbulohet me një furnizim bashkëkohor të energjisë elektrike”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Sipas tij, objektivi i dytë është kryerja e investimeve në ato element që çojnë në mirëmenaxhimin e kompanisë. “Së dyti, investimet do të drejtohen në miradministrim dhe uljen e humbjeve që do të thotë investimet e ardhshme do të fokusohen në sistemet e matjes, në sistemet e menaxhimit të flukseve të energjisë në mënyrë që të administrohen më mirë të ardhurat nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe që do të bëjnë të mundur në të ardhmen edhe fillimin e hapave të parë të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike”, nënvizoi Gjiknuri.
Deri më tani OSHEE ka investuar mbi 1.5 miliard Lekë për infrastrukturën energjetike nga Gjiri i Lalzit, pjesa e plazhit (Adriatiku), e deri në Golem të Kavajës.