• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, June 16, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

A mund të rindërtohet shqiptari që skuqet nga vjedhja

by Adrian Thano
01/03/2026 15:08
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Adrian Thano

Ka një propozim nga Lëvizja e A.Qorit për ta çuar dënimin për korrupsion në 20 vite burg. Duket masë e fortë, e prerë, në sinkron me klimën e zemërimit publik. Në një shoqëri të lodhur nga abuzimi me pushtetin, edhe 20 vite, madje pse jo 30, tingëllojnë si drejtësi e vonuar që më në fund troket në derë.

Historia e shteteve funksionale na mëson megjithatë, se ashpërsimi i dënimeve nuk është garanci automatike për uljen e korrupsionit. Norvegjia me dënime relativisht të moderuara, renditet ndër vendet me nivelin më të ulët të korrupsionit në botë. Kina e dënimeve me vdekje, ka korrupsion të lartë.

Norvegjezët nuk fshehin ndonjë sekret gjenetik. Atje ligji ndjek bindjen e brendshme, jo anasjelltas. A është e mundur gjetiu një shoqëri e tillë? Ku vjedhja nuk është çështje kodi penal, por para së gjithash një njollë që njeriu e ndien në lëkurë? Ku frika nga burgu vjen pas “frikës” nga vetja?

Ne shqiptarët jemi një popull që e ka provuar gjatë shijen e hidhur të zhgënjimit. Kemi parë shumë lugë në të njëjtën çorbë të prishur. Ndaj kjo na duket utopi.

Por jemi njëherazi një shoqëri ku presioni social funksionon si mekanizëm parandalues po aq sa ligji, madje më fort se ligji. Rrethi ynë shoqëror, fjala e lagjes, vështrimi i komunitetit, reputacioni, këto peshojnë realisht në jetën e përditshme.

Pikërisht për këtë arsye, rindërtimi i një presioni përbuzës ndaj vjedhjes mund të jetë një proces i gjatë, i ngadaltë, por nuk është i pamundur.

Frika nuk prodhon më shumë “ndershmëri” se edukimi dhe formimi i karakterit. Kjo është një e vërtetë e provuar. Prangat vetëm e fshehin vjedhjen. Është PËRBUZJA ndaj saj që e parandalon, bindja e brendshme se vjedhja është e papranueshme. Edhe kur askush nuk të sheh. Thelbi është jo të druhesh nga prangat, por të mos e duash vjedhjen si akt.

Qëndrojmë pak te kjo ndjesi e refuzimit të brendshëm, sepse prek një nga plagët më të vjetra dhe më të thella të shoqërisë sonë.

Historikisht, kjo ka qenë rregullatori kryesor i kanuneve dhe dokeve tona (burrëria, besa). Sot është zhvendosur nga akti i vjedhjes te “paaftësia” për të përfituar. Pse? Sepse për gati 4 dekada sinjali që i është dhënë shoqërisë është se i forti fiton, se i shkathti shmang ligjin, se kapja e hajdutit është e pamundur.

Kështu erdhëm te momenti ku vjedhja u normalizua.

Moralin tonë publik e ka vrarë së pari politika. Ajo që sot justifikon veten, relativizon akuzat me krahasime foshnjarake, sulmon institucionet hetimore, shpall “komplote” sepse hetimi i është afruar më në fund te pragu.

E quajmë “skandal” por kjo sjellje është shumë më tepër se kaq. Ajo ka prodhuar kulturën e vjedhjes, ka sjellë erozionin e ndërgjegjes kolektive. Shoqëria intuitivisht është përshtatur. Ka mësuar të quajë vjedhjen aftësi, e të rreshtohet në llogore, të zgjedhë kampin në vend të parimit. Papritur nuk ka më rëndësi çfarë është e drejtë, por kush është “yti”.

Shembulli “nga elitat” është mekanizëm institucional që mund të jetë shtetformues ose krejt e kundërta, sepse krijon klimë dhe standarde.

Kur një deputet, një ministër, një biznesmen i fuqishëm, një artist me ndikim, pra njerëz me siguri financiare dhe pozicion publik nuk gjejnë dot forcën të thonë “Jo” kur duhet thënë “Jo” dhe “Po” kur duhet thënë “Po”, çfarë presim nga ai që s’ka asgjë?

Kur politikani shet shpirtin ndërkohë që nuk i mungon asgjë, pushtet, para, privilegj, me ç’të drejtë i kërkon llogari atij fukarait pse ka “shitur votën”?!

Kur ai që i ka të gjitha kushtet për të qenë “kapedan” zgjedh servilizmin dhe konformizmin përballë pushtetit, çfarë kërkojmë nga fshatari që gdhihet në baltë?

Nëse as siguria, as paraja, as fama nuk prodhojnë dinjitet tek elitat tona, atëherë përse i duan ato? Përse kërkojnë pushtet e pasuri, nëse jo për të qenë të lirë në gjykim e të fortë në qëndrim? Nëse mirëqenia nuk u jep pavarësi morale, cfarë u paska dhënë? Rehati?

Çfarë është kjo rehati pa karakter, dreqi e mori?

Ja kjo kulturë e vjedhjes, e pasuar nga nënshtrimi ndaj pushtetit, ka rrjedhur masivisht poshtë në shoqëri.

Ndaj debati për shtimin e viteve të dënimit për korrupsionin mund të jetë i nevojshëm. Por më e rëndësishme se kaq është NDËRTIMI i kësaj kundër-kulture, ku vjedhja nuk justifikohet apo zilepset, por PËRBUZET. Frika nga prangat frenon dorën ndoshta, por turpërimi i brendshëm dhe përbuzja morale ndalojnë mendjen.

Një shoqëri që ndjen KRUPË nga vjedhja. Kjo është reforma e vërtetë, nëse dikush si Arlindi kërkon një kauzë që ia vlen t’i kushtojë jo një mandat, por një jetë të tërë politike.

Sado kohë të marrë, ia vlen.

Next Post
Sulmet e SHBA-ve dhe Izraelit në Iran, vritet edhe ish-presidenti Mahmoud Ahmadinejad

Sulmet e SHBA-ve dhe Izraelit në Iran, vritet edhe ish-presidenti Mahmoud Ahmadinejad

Comments 1

  1. Lui says:
    4 months ago

    Përveç kësaj që propozon dhe që jam shumë dakord që më shumë duhet të të vrasë fjala se plumbi, në këtë rast burgu, unë mendoj që duhet shtuar edhe konfiskimi i pasurisë që ka e tërë gamilja (burrë, grua, prindër dhe fëmijë). Dhe sigurisht t’u ndalohet përjetë të punojnë në shtet.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Shqipëria nënshkruan tre konventa me Këshillin e Europës, Gogu: Fokus te AI, drejtësia dhe siguria

Shqipëria nënshkruan tre konventa me Këshillin e Europës, Gogu: Fokus te AI, drejtësia dhe siguria

June 16, 2026
Paralajmërimi i fortë i Ramës: Do të publikojmë faktet që protesta për Zvërnecin po shfrytëzohet nga Irani

Kryeministri Rama drejt Berlinit, pjesë e Konferencës Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor

June 16, 2026
Trafik ndërkombëtar droge dhe emigrantësh, SPAK dërgon në gjyq 10 anëtarët e grupit kriminal

Trafik ndërkombëtar droge dhe emigrantësh, SPAK dërgon në gjyq 10 anëtarët e grupit kriminal

June 16, 2026
Pavarësia, 113 vjet më pas. Fakte dhe shtrembërime…

Kush do të ndryshojë (marshin) i pari?

June 16, 2026
Fjala e plotë e Veliajt para Gjykatës Administrative: Po më pengohet ushtrimi efektiv i të drejtave që më garanton Kushtetuta dhe mandati i qytetarëve

Gjyqi për Veliajn, SPAK kundërshton kërkesat e mbrojtjes: Seancat publike nuk janë live!

June 16, 2026
Mila: Protesta ka humbur busullën, Rama po e çon Shqipërinë drejt BE-së

Mila: Protesta ka humbur busullën, Rama po e çon Shqipërinë drejt BE-së

June 16, 2026
37-vjeçari u mbyt në liqenin e Ulzës, palombarët e RENEA-s në kërkim të trupit të pajetë

37-vjeçari u mbyt në liqenin e Ulzës, palombarët e RENEA-s në kërkim të trupit të pajetë

June 16, 2026
“Procesi të vihet në shina ligjore”, avokati i Veliajt paraqet në GJKKO pesë kërkesa paraprake

“Procesi të vihet në shina ligjore”, avokati i Veliajt paraqet në GJKKO pesë kërkesa paraprake

June 16, 2026
Zgjedhjet në Kosovë/ Numërimi i votave drejt fundit, Vetëvendosja arrin në 52 mandate falë diasporës

Zgjedhjet në Kosovë/ Numërimi i votave drejt fundit, Vetëvendosja arrin në 52 mandate falë diasporës

June 16, 2026
Gjyqi në GJKKO/ Veliaj mungon në seancë: Nuk më janë vënë në dispozicion 24 fashikujt dhe provat digjitale

Gjyqi në GJKKO/ Veliaj mungon në seancë: Nuk më janë vënë në dispozicion 24 fashikujt dhe provat digjitale

June 16, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In