“Dibra” mesa duket kërkon ta bëjë Kurban Lulzim Bashën. Partia Demokratike ishte me e goditura nga zgjedhjet në Dibër. Padyshim që Basha ishte dhe është ai që mban të gjithë barrën e humbjes e cila është e katërta radhazi për të si kryetar partie.
Së bashku me prurjet e tij të reja Basha nisi qysh në fillim të asimilojë “të vjetrit” dhe të promovojë fort të rinjtë Duma, Salianji, Zhupa etj. Të rinj që dhanë shembullin e tyre në fushatën e 2015-tës dhe dështuan me sukses, duke nisur nga Durrësi ku Duma u “rrah” keq nga Dako.
Mirëpo, ky promovim i të rinjve që më pas do tregonin se nuk e kanë akoma eksperiencën dhe idenë e duhur si fitohet besimi qytetar, ishte një shuplakë që zëra si Patozi, Bregu, Selami dhe Ruli nuk e lanë pa përgjigje. Madje bashkë me ta edhe Topalli, e cila nëse Basha vazhdon kështu mund ta “lërë vetëm” në Shkodër. Kjo do të ishte katastrofike për PD-në, ku të rinjtë as nuk ja kanë haberin se si funksionon komunikimi dhe organizimi elektoral atje.
Por Dibra ishte një moment i ri politik për PD-në. Humbja e thellë dhe e pajustifikueshme me asnjë argument, ishte edhe fuqia e zërit të “të mënjanuarve” nga Basha, që këtë herë u kthyen në rebelë brenda selisë blu. Duke i kujtuar humbjet kryetarit të tyre ata (Patozi, Bregu, Selami) theksuan edhe nevojën për një analizë paszgjedhore, duke lënë mënjanë justifikimet “na vodhën, na blenë”. Në fakt “të mënjanuarit” nga Basha e kanë kuptuar se në popull nuk mund të dalësh të akuzosh që ata të të votojnë. Publiku pret artikulim të një programi dhe zgjidhje konkrete nga opozita që më pas të vendosë e beson apo jo.
E nisur nga kërkesa dhe logjika politike e ndjekur nga “të mënjanuarit”, doli në tavolinën e grupit parlamentar të PD-së një propozim që është sot edhe shpresa e PD-së për tu çliruar dhe energjizuar.
Për të mos i lënë asnjë mundësi veprimi Bashës, 3-shja e rebelëve kanë intensifikuar daljet publike dhe komunikimin publik në përgjithësi. Nga fjala e Patozit në Kuvend tek postimet e Bregut në facebook apo dalja e mbrëmshme në emisionin “Oktapod” në Vizion + janë dëshmi e një artikulimi të ri politik brenda PD. Që natyrisht është kundër Bashës dhe ka në thelb shkarkimin e tij nga kreu i PD-së.
Arsyet janë të thjeshta. Lideri mision ka të bindë popullin, ta bëjë atë të bësojë e të shpresojë. Këtë Basha sipas “të mënjanuarve” se ka bërë e kjo shihet në 4 humbjet radhazi që PD ka pësuar. Bregu shkoi larg mbrëmë kur tha në emisionin “Oktapod” se : “Zgjedhja e Bashës ishte një gabim për PD. Më mirë të qëndronte Berisha. Ka nevojë për një analizë. Pse nuk shohin shpresë njerëzit tek ne për t’u ringritur”
Ishte ky një konfirmim se Berisha nuk e ka lëshuar akoma PD-në dhe se sado Basha të përpiqet të sjellë figura të reja në pamje, filozofia mbetet e njëjtë. Pa alternativë reale për publikun nuk mund të ketë besim ndaj një force politike dhe këtë e tregojnë të dhënat empirike në Shqipëri dhe jashtë. Gjuha e dhunës është rruga e gabuar e cila mund të trembë brenda PD-së, por që nuk është rruga drejt pushtetit.
Ndaj, rebelët që kanë zë të flasin pas humbjes në Dibër kanë vetëm një shrpesë që PD-ja të çlirohet nga mungesa e vizionit dhe shpresës. Shpresa për PD e ka emrin ‘NENI 35, PIKA 4” i statutit të PD-së. Që parashikon që Kuvendi Kombëtar vendos për shkarkimin e kryetarit të partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Nëse rebelët nuk vazhdojnë linjën e tyre Basha do e ruajë karrigen e kryetarit, por PD-ja sërish do t’i humbë zgjedhjet, siç kanë treguar 4 precedentët e mëparshëm./Lexo.al