Nga Prof. Aleko Miho*
Nga data 29 maj deri më 6 qershor 2021, një grupim shkencor nga Austria, Shqipëria, Italia dhe Gjermania mblodhën të dhëna multidisiplinore në dy degët e mëdha të Vjosës, Shushicë dhe Bënçë. Kjo javë e tillë hulumtimi shkencor është në vazhdim të asaj që është kryer në Vjosë në gjithë këta vite, e cila ndihmoi shumë në zbulimin e vlerave ekologjike, hidrogjeologjike dhe të biodiversitetit për lumin e Vjosës. Kjo siguroi argumente shkencore për të mbrojtur Vjosën nga projektet e hidrocentraleve, e cila që çoi së fundi në shaplljen e peizazhit lumor të Vjosës si zonë të mbrojtur, Park Natyror/Rezervë Natyrore e Menaxhuar (Kategoria IV sipas IUCN). Një kategori e tillë nuk është vërtetë ajo që do të meritonte Vjosa me gjithë degët e saj, dhe nuk duket se mjafton për një mbrojtje përfundimtare nga ndërtimi i HEC-eve, por gjithsesi është një hap pozitiv, dhe vlen për t’u mbështetur.
Qëllimi ishte i ngjashëm edhe gjatë kësaj jave kërkimore: ndërsa kërcënimi nga HECet për vetë lumin Vjosë duket disi i shmangur për momentin, degët e saj kryesore janë ende nën kërcënim. Thuhet se në Shushicë parashikohet të ndërtohen 5 HECe, dhe deri në 8 HECe përgjatë lumit të Bënçës. Shkencëtarët shpjegojnë, që për të mbrojtur Vjosën, është thelbësore të mbrohen edhe degët e saj. Vlera e rrallë e Vjosës, gjendja e saj natyrore, hidromorfologjike dhe ekologjike qëndron jo vetëm tek vetë lumi i Vjosës, por te gjendja e paprekur e gjithë rrjetit lumor të pellgut ujëmbledhës, ku degët e Shushicës dhe të Bënçës dallohen. Nëse këto degë shkatërrohen, edhe vetë lumi i Vjosës do të shkatërrohet në mënyrë të pashmangshme. ‘Ashtu si trungu i një peme vdes përfundimisht nëse i priten të gjitha degët e saj’, thekson Prof. Fritz Schiemer, profesor Emeritus i Universitetit të Vjenës, ekspert me përvojë të gjatë në ekologjinë lumore, dhe nxitës kryesor i gjithë aktiviteteve tona për Vjosën.
Për të treguar vlerat e këtyre degëve, ndër të tjera vërtetë shumë piktoreske, nevojitet një kërkim multidisiplinor. Kjo ishte arsyea që thirrjes për bashkëpunim të Prof. Schiemer ju bashkuan edhe kësaj herë rreth 30 ekspertë nga disiplina të ndryshme, me qëllim që të përftohet një pasqyrë gjithëpërfshirëse, konkretisht në hidromorfologji, florë, bimësi ripariane lumore dhe ekologji bimore, algologji dhe cilësi biologjike e ujërave, botë e gjallë shtazore, invertebrorë ujorë dhe tokësorë, peshq, shpendë, amfibë dhe zvarranikë, njohja me proceset e vetë-pastrimit dhe të ekologjisë së ujërave nëntokësore etj. Grupi i shkencëtarëve nuk i kursyen as harxhet dhe mundin për të marrë pjesë në këtë javë kërkimore, dhe për të kontribuar sadopak në mbrojtjen e këtyre ekosistemeve të jashtëzakonshme. Më këtë ne duam të ofrojmë edhe një herë mbështetjen tonë për qeverinë e re në mbrojtjen e rrjetit unik hidrografik të Vjosës dhe shpalljen e parkut të parë kombëtar të lumit të egër në Europë.
Lumenjtë e Shushicës dhe Bënçës, si dhe degët e tjera me rrjedhje të lirë duhet të bëhen pjesë e një Parku të vetëm Kombëtar të Vjosës. Për këtë arsye ata duhet të mbeten të paprekur nga planet ndërtimore të HECeve. Nëse ndërtohet vetëm një digë, lumi përkatës nuk mund të përfshihet më në një zonë të mbrojtur. Kjo do të shkatërronte gjithashtu mundësinë e një zhvillimi ekonomik ndryshe për banorët vendas, me në qendër ekoturizmin. Ky është edhe vizioni për të cilin po lufton koalicioni “Të ruajmë Zemrën Blu të Europës”, i cili është në gjithë këta vite promotor dhe mbështetës për shumë nga këto veprimtari kërkimore, ndërgjegjësuese për Vjosën.
Për kureshtjen e gjithë opinionit vendas dhe të vendimmarrjes mund të them se shumë nga gjetjet tona janë materializuar në shumë punime diplomash ose doktoratash (në Shqipëri dhe jashtë vendit), disa ende në proces, si dhe në shumë publikime që janë gjithmonë në dispozicion. Një pjesë e mirë e të dhënave tona të përbashkëta për lumin e Vjosës janë paraqitur në disa ngjarje shkencore në Tiranë, organizuar nga FShN, UT në këta vite, dhe në një vëllim përmbledhës në Acta ZooBot Austria, 155/1 (2018), me titull ‘Vjosa në Shqipëri – një ekosistem lumor me rëndësi europiane’. Së fundi, ekspertët europianë (Meulenbroek et al., 2020), kanë publikuar një tjetër vëllim, me titull ‘Lumi Vjosë: vlerësim bazë për biodiversitetin, ndikimet e mundshme dhe kuadrin ligjor për zhvillimin e hidroenergjisë’, ku përditësojnë dhe përmbledhin më mirë këto gjetje, bashkë me 3 argumentime dhe rekomandime shumë të vyera.
Mjafton të themi se nga studimet deri tani për lumin e Vjosës nga 1175 specie që njihen gjithsej, nga HEC-i i Kalivaçit kanë lidhje dhe ndikohen në popullatat e tyre rreth 865 specie, jo vetëm nga rezervuari përkatës (18.3 km²), por dhe poshtë dhe sipër digës (Meulenbroek et al., 2020). Këtu përfshihen: 299 bimë vaskulare dhe 5 bimë jo vaskulare, 340 artropodë, 109 molusqe, 36 peshq, 19 zvarranikë dhe 9 amfibë, 24 shpendë dhe 24 gjitarë; rreth 40% e të gjitha specieve deri tani të njohura për atë zonë të peizazhit lumor preken rëndë. Në këtë mënyrë, 39 specie bëjnë pjesë në llojet e kërcënuara sipas IUCN dhe 119 janë në Listën e Kuqe Shqiptare (2013). Gjithsej 148 specie renditen në Aneksin 1–3 të Konventës së Bernës, 41 lloje në Direktivën e Shpendëve dhe 78 lloje në Direktivën e Habitateve. Shumë prej specieve të renditura në këto Direktiva dhe Konventa do të ndikoheshin rëndë nga HEC-i, duke filluar nga zvogëlimi i popullatave deri në zhdukje. Kjo sepse nga rezervuari i mundshëm zhduken 870 ha habitate lumore që bëjnë pjesë në Direktivën e Habitateve të BE; të paktën 2800 ha habitate të Direktivës së Habitateve ndikohen drejtpërdrejt në rrjedhën e poshtme të digës nga morfodinamika e reduktuar; mund të pritet dhe humbje afatgjatë e habitateve nën mbrojtje.
Çështja e Vjosës për mbrojtje është një nismë e hershme (prej vitit 2014) nga organizmat më në zë ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës, si RiwerWatch Austri, EuroNature Gjermani, WWF, IUCN, Konventë e Bernës, etj. Është pikërisht falë këtyre përpjekjeve që kjo nismë të mbështetet në mënyrë të përsëritur dhe nga Raportet e Progresit të KE, përfshirë edhe Raportin e fundit (Prill 2021), por dhe nga EnCom, FAO, etj. Kjo ka bërë që në mbrojtje të Vjosës të përfshihen edhe shumë shkencëtarë dhe figura të tjera mjedisore në mbarë botën. Shumë prej tyre kanë qënë edhe bashkëpunues konkretë në evdentimin e vlerave dhe ofrimin e përvojave të tyre, ashtu si dhe në këtë rast për lumin e Shushicës dhe të Bënçës. Qëllimi i gjithë këtij bashkëpunimi mbetet gjithmonë që të kuptohen më mirë vlerat natyrore të Vjosës, por dhe të degëve të saj, thuajse të panjohura, dhe lidhjet mes integritetit të ekosistemit dhe integritetit ekonomik, shoqëror dhe kulturor në funksion të rritjes së mirëqenies së zonës.
Në këtë javë numri i ekspertëve dhe larmia e fushave kërkimore ishte vërtetë për t’u admiruar, nga Universiteti i Vjenës, Universiteti i Shkencave Natyrore dhe të Shkencave të Jetës (BOKU), Vjenë, Muzeu i Historisë së Natyrës, Vjenë, Muzeu i Shkencave të Natyrës, Graz, Universiteti i Insbrukut, Universiteti i Klagenfurtit, Universiteti i Parmës, Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, etj. Gjatë javës u kryen shumë matje në transekte të ndryshmë lumore, u mblodhën shumë mostra biologjike, ujore dhe nënujore, sedimentesh, etj. Të dhënat do të përpunohet pranë laboratorëve përkatës dhe shumë shpejt do të bëhen njohura për gjithë opinionin e interesuar dhe vendimmarrjen, ashtu si dhe në gjithë rastet e sipërpërmendura. Kjo veprimtari u ndoq me shumë interes edhe nga mjedisorë të tjerë dhe media, vendase dhe të huaja.
Opinioni i përparuar shkencor shqiptar, disa OJF (veçanërisht EcoAlbania, por dhe të tjera), dhe shumë mjedisorë apo vendorë u janë bashkuar gjithë këtyre përpjekjeve, jo vetëm për të ndihmuar më shumë veten tonë, përfituar nga përvoja e përparuar, por edhe për kërkime të përbashkëta dhe zbulime të mëtejshme të vlerave natyrore hidromorfologjike dhe të biodiversitetit, ende jo shumë të zbuluara, si dhe ndikimin e mundshëm nga projektet hidroenergjetike. Kjo edhe për të ndihmuar vendimmarrjen për ruajtjen e këtyre vlerave, ruajtjen e gjendjes natyrore të tyre, shfrytëzimin e qëndrueshëm dhe zhvillimin ndryshe të gjithë kësaj zone. Ritheksoj se qëllimi ynë është të ndihmojmë në ndërgjegjësimin në rrugën e vështirë të zhvillimit, dhe të nxitim diskutimin mes botës akademike dhe vendimmarrjes në Shqipëri, për një baraspeshë mes zhvillimit ekonomik dhe përdorimit të burimeve natyrore. Sëbashku të ndihmojmë që Shqipëria të ecë në përputhje me ligjshmërinë mjedisore kombëtare dhe atë ndërkombëtare, si dhe të shmangen situatat me humbje, lidhur me planet për prodhimin e energjisë.
*Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. e-mail: aleko.miho@fshn.edu.al